Qeveria ka miratuar aktin normativ që parashikon kompensimin e dëmeve materiale të shkaktuara gjatë protestave të dhunshme apo tubimeve të ndryshme, duke përcaktuar se barra financiare duhet të përballohet në fund nga personat përgjegjës për aktet e dhunës.
Sipas aktit, shteti mund të dëmshpërblejë paraprakisht qytetarët dhe bizneset që pësojnë dëme në pronën e tyre gjatë protestave. Përfitues mund të jenë individët dhe subjektet tregtare me aktivitet vjetor nën 14 milionë lekë.
Kompensimi parashikohet vetëm për pasuritë e pasiguruara, ndërsa kur sigurimi nuk mbulon dëmin e shkaktuar nga trazirat apo aktet e dhunshme, pronari mund të përfitojë nga skema. Një tjetër element i rëndësishëm është se kompensimi mund të jepet edhe kur autorët e dëmtimit nuk janë identifikuar.
Por pagesa nga shteti nuk i përjashton përgjegjësit nga detyrimi për të shlyer dëmin. Pas kompensimit të qytetarit apo biznesit, shteti merr përsipër të drejtën për të kërkuar paratë nga personat që kanë shkaktuar dëmin. Këtë proces do ta ndjekë Avokatura e Shtetit, e cila fillimisht do t’u kërkojë përgjegjësve kthimin vullnetar të shumës së paguar. Nëse ata nuk paguajnë, shteti mund t’i drejtohet gjykatës për të rikuperuar paratë.
Përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te personat që kryejnë drejtpërdrejt aktet e dhunës, pasi edhe organizatorët dhe drejtuesit e tubimit mund të mbajnë përgjegjësi solidare për dëmet. Ata përjashtohen nga kjo përgjegjësi nëse provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë. Rregullat vlejnë për të gjitha tubimet në vende publike, qofshin të njoftuara, të ndaluara apo spontane, përfshirë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe festive.
Akti normative parashikon gjithashtu që dëmet ndaj institucioneve dhe pronës publike të kërkohen në çdo rast nga personat përgjegjës, pavarësisht nëse shteti ka vendosur të kompensojë paraprakisht dëmet në pronën private.
Një mundësi tjetër është që detyrimi financiar të shlyhet përmes punës në interes publik, por vetëm nëse debitori jep pëlqimin e tij të lirë. Qeveria thekson se skema nuk synon të kufizojë protestat paqësore, ndërsa përgjegjësia lind vetëm për veprimet konkrete të dhunës, dëmtimit apo nxitjes së tyre.










Komente
Komento