TIRANE - Mos ekzekutimi i vendimit gjyqësor nga përmbarimi, që duhet që godinën e Partisë Social Demokrate t'ia kthejë pronarit, ka sjellë reagimin e ministrit të drejtësisë Ylli Manjani.
 
Kjo godinë është risjellë sërish në qendër të vëmendjes këtë të premte, ku përmbarimi shtetëror ka shkuar për të ekzekutuar vendimin e gjykatës dhe sipas pretendimeve të përmbarimit janë penguar nga persona të panjohur dhe nuk janë mbështetur nga Policia e Shtetit.
 
Kjo situatë për ministrin e Drejtësisë sjell mos respektim të ligjit dhe kthimin e ligjeve të natyrës, ku peshku i madh ha të voglin.
 
"Nëse përmbarimi nuk mbështetet, vendimi nuk zbatohet, ligji shkelet, shteti përdhoset! Ligji i shtetit, në dallim nga ligjet e natyrës zbatohen për të gjithë njësoj! Nëse i forti imponohet, duke injoruar vendimet e gjykatës atëherë jemi tek ligjet e Natyrës, ku peshku i madh e ha të voglin! Prandaj kërkoj mirëkuptim që të mbështesim zbatimin e Ligjit nga Përmbarimi! "- shprehet Manjani nëpërmjet shënimit në 'Facebook'.

(er.nu/shqiptarja.com)