Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Demo theksoi se pr.buxheti 2027 parashikon një fond prej rreth 40 miliardë lekësh, me një rritje prej 12 % krahasuar me vitin 2026.
“Ky është niveli më i lartë i mbështetjes buxhetore për Ministrinë ndër vite dhe synon forcimin e sigurisë publike, rritjen e profesionalizmit të strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha mes të tjerash Demo.
Gjatë prezantimit, ministri Demo theksoi se siguria publike nuk është thjesht “një zë në buxhetin e shtetit, por një përgjegjësi themelore e qeverisjes dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, funksionimin e shoqërisë dhe besimin e qytetarëve te institucionet.”
“Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tri prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët”, theksoi Demo.
Një nga elementet kryesore të projektbuxhetit është rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të cilën janë parashikuar 3.3 miliardë lekë.
“Rritja e mbështetjes financiare duhet të shoqërohet me rritjen e standardeve profesionale, disiplinën, integritetin dhe respektimin e ligjit. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga Policia jo vetëm siguri, por edhe sjellje korrekte dhe shërbim profesional. Mbështetja për uniformën dhe llogaridhënia për çdo veprim të saj duhet të ecin sëbashku. Një sfidë tjetër e jona nuk është të kemi më shumë kapacitete policore, por t’i përdorim ato në mënyrë më inteligjente. Dhe për Policinë e Shtetit parashikohen në total 33.6 miliardë lekë, me një rritje 20% krahasuar me vitin 2026, duke përfshirë edhe politikën e pagave”, tha mes të tjerash Demo.
Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, parashikohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare arrin në 23,600 lekë në muaj, ose 27%. Ndërsa për punonjësit me grada të tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj, me një efekt mesatar që varion nga 8% deri në 17%, duke përfshirë edhe vjetërsinë.
Ministri Demo e cilësoi këtë vendim si një “investim të drejtpërdrejtë te njerëzit që mbajnë mbi supe një përgjegjësi të rëndësishme publike, duke u përballur çdo ditë me rrezikun, kriminalitetin dhe emergjencat për të garantuar sigurinë e qytetarëve.”
Ai nënvizoi se një Polici më profesionale, më të motivuar dhe më të përgjegjshme kërkon jo vetëm pajisje dhe teknologji moderne, por edhe vlerësim dhe trajtim dinjitoz të punonjësve të saj.
Në të njëjtën kohë, ministri theksoi se rritja e mbështetjes financiare duhet të shoqërohet me standarde më të larta profesionale, disiplinë, integritet dhe respektim të ligjit. Sipas tij, mbështetja për punonjësit e Policisë dhe llogaridhënia për çdo veprim të tyre janë dy parime që duhet të ecin së bashku, pasi qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë siguri, por edhe shërbim korrekt, profesional dhe respektim të të drejtave të tyre.
Për Ministrin Demo, fokusi i Ministrisë së Brendshme në vitin 2027 do të jetë edhe te Smart City, me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve.
“Smart City që është një nga shtyllat kryesore që ne po fokusohemi, për vitin 2027 parashikohet rreth 2 miliardë lekë financim i huaj dhe 1 miliardë lekë për TVSH-në në projekt, krahas fondeve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen dhe kostot lokale”, tha mes të tjerash Demo.
Demo tha gjithashtu se pr.buxheti garanton rritje të financimit për Gardën e Republikës, prefekturat dhe gjendjen civile.
“Ky pr.buxhet garanton financimin e strukturave të reja të ministrisë, duke filluar që nga Garda e Republikës, ku parashikohen 2.8 miliardë lekë me një rritje 3%, përfshirë financimin shtesë prej 100 milionë lekë për pajisje speciale dhe për gardën e Republikës. Gjithashtu mbështetja për prefekturat dhe gjendjen civile ka qenë në fokus të këtij pr.buxheti”, theksoi Demo.
Projektbuxheti 2027 synon kështu që rritja e financimit të përkthehet në më shumë siguri për qytetarët, kapacitete më të forta institucionale dhe një shërbim publik më cilësor.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledi Çuçi, kanë replikuar në mbledhjen e Komisionit, lidhur me reagimin e Policisë gjatë protestave të dhunshme të disa ditëve më parë.
Kapri tha gjatë fjalës së tij se rritja e pagave për punonjësit e Policisë po bëhet me qëllim shtypjen e protestave.
Teksa nxori fotografi të protestuesve të dhunuar sipas tij nga Policia, Kapri tha se Policia ka përdorur dhunë jo-proporcionale mbi protestuesit.
“Rritja e pagave dhe shpërblimi pas protestës, e cila vijon duke u shtypur. Dua të di sa ka kushtuar blerja e dy autobotëve që hedhin ujë, nëse janë dhuruar, dua të di nga kush? Po dronët që hedhin gazin lotsjellës, që kanë rënë mbi kokat e protestuesve, ato ndalohen të fluturojnë mbi kokat e njerëzve, mbi ç'bazë ligjore e bëni? Dua të di, a keni dijeni për dhjetëra protestues që janë dëmtuar rëndë nga plumbat e gomës, shkopat e gomës dhe nga gazi, që nuk shkojnë në spital nga frika? Si e komentoni faktin se arrestimet e policisë janë konsideruar nga gjykata si të paligjshme? A ka oficer që po ndiqet penalisht për shkak të dhunës së ushtruar ndaj protestuesve? Ç'punë kanë efektivët e Shqiponjave, që të rrahin protestuesit?”, tha mes të tjerash Kapri.
Por Çuçi i tha Kaprit se nuk ishte i sinqertë, pasi sipas tij, ka përmendur vetëm reagimin e Policisë dhe jo sulmet me sende të forta e molotovë ndaj efektivëve.
Çuçi më tej theksoi se shqiptarët e kanë parë trajtimin që i bën Policia në vende të ndryshme të Europës protestave të dhunshme.
“Unë sigurisht që do të kisha ndjeshmërinë e duhur nëse ti do të ishe i sinqertë në këto që thua. Por mungesa e sinqeritetit fillon në momentin kur ti nuk thua gjysëm fjale për ata policë që janë në krye të detyrës dhe janë akoma në spital. Dhe janë dhunuar barbarisht me bomba molotov, armë zjarri e zhdukjes në masë. I thoni këto në një moment kur shqiptarët i shohin në të gjithë Europën sesi i trajton policia protestat e dhunshme”, iu përgjigj Çuçi.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka folur sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme edhe për protestat e dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë.
Demo tha se gjatë protestave, dhuna ka qenë me doza shumë të larta, duke rrezikuar edhe dëme të shumta te efektivët e Policisë.
Ai shtoi se Policia përdor pajisje e metoda siç e parashikon ligji, teksa shtoi se uniformat blu janë aty për të mbrojtur të drejtën Kushtetuese dhe për të garantuar sigurinë.
Lidhur me rastet e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e Policisë, Demo tha se 9 efektivë janë pezulluar gjatë protestave, ndërsa 50 raste janë nën hetim në AMP.
“Policia përdor pajisje e metoda siç parashikohet në ligj. Kur flasim për dhunën, dhuna duhet dënuar. Policia është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar sigurinë, por është e padrejtë që të mbrojmë edhe dhunën që është me doza shumë të larta, që mund të japin dëmtime të rënda te efektivët. Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë, 50 raste janë nën hetim nga AMP, policia është duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t'i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve”, tha mes të tjerash Demo.
-
Je këputur për rritjen e pagës 3 % për Gardën e Republikës, o z Ministër, po kush të ruan, kush të shoqëron, kush të mbron në Seancë Plenare nga Spartanët e Sali Non Grada apo ??. Ju zëntë sytë juve dhe gjithë ish Ministrat e Brëndshëm të Sacialistëve. Garda e Republikës ka 5 muaj që nuk po mer orët shtesë nga Protestat e Flamingove të mbështetura nga Sali Non Grada. Garda ka që nga viti 2013 që nuk mer rrogën e 13, ku shkojnë këto lekë, Garda e Republikës është më e diskriminuara nga Qeverria Socialiste, turp e jazëk ju qoftë.
Përgjigju






Komente
Komento