TIRANE - Ministria e Financave kallëzon penalisht në Prokurori të Përgjithshme ish-ministrin e Financave Ridvan Bode dhe ish-zëvendësin e tij Sherefedin Shehu, pasi sipas këtij institucioni, kanë abuzuar me fondet publike gjatë marrjes së dy kredive për ndërtimin e Rrugës së Kombit.

Dy ish-drejtuesit e Ministrisë së Financave akuzohen se kanë kryer dy vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë” në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
 
Lajmi konfirmohet për A1Report nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se kallëzimi është regjistruar pak ditë më parë.

Sipas të njëjtave burime, akuza është bazuar në shkeljet e gjetura nga auditi i Ministrisë së Financave në procedurat e ndjekura për marrjen e kredisë në vlerën e 250 milion eurove për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Shkeljet sipas auditit kanë qenë në mënyrën se si është marrë kredia, ku në një procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë me firmën e Bodes dhe Shehut kjo shumë parash është marrë në dy banka të nivelit të dytë duke përjashtuar nga gara bankat e tjera, të cilat mund të ofronin kredi me kushte më të favorshme.

Sipas kallëzimit në fjalë dëmi ekonomik përllogaritet në vlerën e 60 milion eurove, teksa interesi i kredisë së marrë në bankat e nivelit të dytë arrin në 13.3%, nga më të lartat për kohën kur është marrë kredia.

Aktualisht kallëzimi është në fazën e verifikimit dhe ende akuza e kryeqytetit nuk ka vendosur për hetime të mëtejshme, çka do të kërkonin dhe “OK” e Prokurorisë së Përgjithshme pasi ish-drejtuesit e financave janë dhe deputetet.
 
Kallezimi i plote i MInistrise se Financave dorezuar ne Prokurorine e Pergjithshme
Ministria e Financave ka paraqitur javën e kaluar pranë Prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Financave, z.Ridvan Bode dhe ish- zëvendësministrit të  Financave, z.Sherefedin Shehu, për shkelje të rënda në procedurat e marrjes së kredisë tregtare nga kreditorë privatë të tregut ndërkombëtarë në vlerën 250 milionë euro për financimin e investimeve kapitale.
 
I gjithë procesi është kryer në shkelje të ligjit nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”.

Përzgjedhja e fituesit është kryer në kushte të pabarabarta dhe jo transparente, duke favorizuar një ofertues kundrejt të tjerëve, dhe duke kryer vlerësim të pabarabartë të ofertave, konkurrim të pandershëm nëpërmjet kritereve të ndryshuara nga ato të shpallurat, por të panjoftuara paraprakisht ofertuesve, si dhe të paargumentuara me dokument.
 
Jo vetëm vlerësimi i ofertave, por dhe procesi është i padokumentuar, i pabarabartë, jo transparent dhe në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kriteret janë ndryshuar gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, pasi është konstatuar se ofertuesi i preferuar kishte paraqitur borxhin më të shtrenjtë nga gjithë të tjerët. Përveçse një borxh shumë i shtrenjtë me kosto reale rreth 13.3%, si pasojë e veprimeve të mësipërme dhe duke blerë borxhin më të shtrenjtë midis gjithë ofertave të paraqitura, i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën 60 milionë Euro. 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)