Kryetarja e komisionit parlamentar të Politikave të Jashtme Arta Dade hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha kur e cilësoi kriminel. "Berisha ka furnizuar me naftë makinerinë e Millosheviçit", - tha Dade, ndërsa i vijoi akuzat e saj edhe për raste të tjera që sipas saj e përfshijnë ish-kreun e qeverisë së djathtë edhe në masakrën e Srebrenicës. "Ministrat e PD-së kanë çuar fishekë në Ruanda. Berisha ka çuar edhe fishekë në Srebrenisë, atje ku është bërë masakra", -tha Dade.
“Shpërthimi” i Dades u nxit nga akuzat që deputeti demokrat Aldo Bumçi ngriti pothuajse gjatë gjithë mbledhjes, për kandidatët e mazhorancës për kryebashkiak në zgjedhjet e 21 qershorit, që sipas Bumçit janë të inkriminuar. “Ne si Parti Demokratike mbështesim policinë, por dyshojmë se nuk ka vullnet politik, sepse ju mbroni njerëz kriminelë. Çfarë mesazhi i jepni policisë. Sa jemi të besueshem ne kur ambasadori i SHBA tha të mos kandidojmë njerëz të inkriminuar", tha Bumçi.
Duke u fokusuar tek marrëveshja SHBA-qeveri për luftën ndaj lëndëve narkotike, Bumçi u shpreh: Qeveria është kundër frymës së kësaj marrëveshje.
Dade: Ne jemi vlerësuar nga SHBA dhe BE në luftën kundër drogës. Politizimi i kësaj çështje nuk shërben.
Gerdeci/ Tahiri-Bumçit: Nga zyra juaj dolen fakse per Shkelzen Berishen
I pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i cili u vu në shënjestrën e akuzave të deputetit demokrat Aldo Bumçi sa i përket luftës ndaj krimit dhe narkotikëve. Përballë këtij debati ministri i ka kthyer reston duke i kujtuar ish-ministrit të Jashtëm Bumçi tragjedinë e Gërdecit.
Tahiri- Bumçit: Prokuroria ka vërtetuar se nga zyra juaj kanë dalë fakse për Shkëlzen Berishën. Ndoshta dhe ju vetë zoti Bumçi si ish-ministër i Jashtëm duhej të ishit thirrur të dëshmonit për Gërdecin, sepse ju ka dalë emri. Sepse ka problem pandëshkueshmëria.
Bumçi: Ju mashtroni sepse s’ka asnjë fakt zyrtar nga Prokuroria. Çdo devijim tregon se ka probleme. Sepse ambasada e SHBA dhe zëvendëssekretarja Amerikane e Shtetit ka thënë mos kandido njerëz me të kaluar kriminale
Tahiri-Bumçit: Ndoshta vetem ballkoni jot mbeti pa u mbjelle kanabis
Por pavarësisht toneve të ndezura, debatit nuk i kanë munguar as batutat. “Ndoshta vetëm ballkoni i shtëpisë suaj mbeti pa u mbjell me kanabis”, - ju drejtua ministri Tahiri Bumçit, duke iu referuar periudhës së një viti më parë kur ende nuk ishte ndërhyrë nga policia në Lazarat, fshatin e konsideruar Republika e kanabisit.
Tahiri: Dua t’ju siguroj se lufta kundër krimit të organizuar e informalitetit ka të bëjë me kapacitetin tonë teknologjik, infrastrukturor etj. Pavarësisht qëndrimit të opozitës ka kohë të bëhemi bashkë kundër krimit. Ma do mendja keni pasur të njëjtin qëndrim. Kur kryetari i PD Basha vajti atje dhe tha se u hoq droga nga Lazarati dhe u çua në vend tjetër. Sepse ka pasur përgjegjësi si ministër i brendshëm. Apo kur Berisha tha se policia ka marrë peng Lazaratin. Ne duhet të bëhemi bashkë në luftën kundër kriminalitetit.
Është hera e parë që Shqipëria nuk është më vend origjine. Kemi mesataren më të ulët të vrasjeve në 24 vite. Ju zoti Bumçi e mbani mend si konsiderohej Shqipëria. Dhe ndoshta vetëm ballkoni i shtëpisë tuaj mbeti pa u mbjell. Nga janari deri tani policia ka shkatërruar 230 mijë rrënjë kanabis. Mua më pyesni a janë kapur, jo pse janë mbjellë.