"Një serenatë dashurie për Korçën fisnike"
Sa herë i përmendet emri duket sikur flet për një njeri të gjallë, duket sikur flet për një vajzë plot hijeshi që as nuk plaket e as nuk rinohet, por qëndron e bukur për jetë.
Epitetet për të nuk rreshtin kurrë. Qyteti i serenatave, Qyteti i dashurisë, Qyteti i Artit, Qyteti i birrës, vendi i kërnackave, Parisi i Vogël…e po të kërkosh, gjen plot epitete të tjera që cilësojnë vlerat e saj, por edhe karakteristikat se përse duhet vizituar një qytet si Korça. E hapur qysh herët me botën, drejt Perëndimit (shumë korçarë emigruan herët në Amerikë, por edhe shumë atdhetarë e intelektualë më herët në Turqi e vende të tjera të Ballkanit), Korça është një qytet i qeshur e plot jetë, që të fton në çdo stinë të vizitosh rrugët e saj karakteristike, të mësosh për kulturën dhe historinë e saj, të kuptosh pse shumë atdhetarë që sot mbushin faqet e historisë së kombit, ishin pikërisht nga Korça. Por edhe për të pirë një birrë shoqëruar me “kërnacka”, do të ndjesh po aq kënaqësi e mikpritje, sepse kudo që të shkosh nëpër qytet e në të gjitha fshatrat e tij, gjëja e parë me të cilën do të takohesh, është pikërisht mikpritja e korçarëve.
Korça është një krahinë e Shqipërisë e gjitha për t’u vizituar, si nga ana kulturore, ashtu edhe për nga vlerat e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra ia ka falur krahinave përreth saj. Korça si qytet dhe rrethi i saj shquhen për objektet dhe mjediset e veçanta me vlera të larta turistike. Korça u ofron turistëve një trashëgimi të pasur kulturore në arkitekturë, urbanistikë, monumente kulture etj. Të veçanta janë ushqimet që servirin në restorante, pijet karakteristike si vera, birra “Korça”, vodka korçare etj. Ekoturizmi është një fushë me interes të veçantë për të pasionuarit e natyrës së bukur korçare. Ky është një qytet gazmor e magjik, që, me serenatat e tij, është bërë i njohur në të gjithë botën.
Pozicioni gjeografik, klima
Korça është rrethi me lartësinë më të madhe në vend. Gjendet në juglindje të Shqipërisë, në kodrat rrëzë malit të Moravës. Ajo kufizohet nga veriu me Pogradecin dhe Maqedoninë, nga veriperëndimi me Gramshin, nga perëndimi me Skraparin, nga jugu me Kolonjën dhe Përmetin, kurse nga lindja me Greqinë. Relievi i saj është fushor, kodrinor-malor dhe malor. Aty gjejmë një ndërthurje të maleve me fushat, me kodrat, duke krijuar një thyerje të formave të relievit. Njësitë kryesore të relievit janë: Fushëgropa e Korçës, malësia e Gorë-Oparit me pesë komuna: Gorë, Opar, Moglicë, Vithkuq, Voskopojë.
Klima e Korçës bën pjesë në zonën e karakterit kontinental, me dimër të ftohtë dhe me një rritje të theksuar të temperaturës gjatë verës. Muaji më i ftohtë është janari me temperaturë mesatare 0,4 gradë celsius, ndërsa më i ngrohti është gushti me 20,6 gradë celsius. Gjatë dimrit temperatura është më e ulët se 0 gradë.
Historia
E vërtetuar nga studiuesit, zona ku ndodhet sot qyteti ka qenë e banuar që në kohët e lashta. Kështu, në rrethinën e qytetit është gjetur, ndër të tjera, edhe një kodër-varrezë e vjetër (rreth 7 mijë vjet) me një diametër prej 10.47 metrash dhe lartësi 114 centimetra.
Në lashtësi, Korça dhe krahinat e saj bënin pjesë në dinastinë Ilire që shtrihej midis lumenjve Devoll e Osum dhe pjesërisht në atë të Enkeleasve, rrëzë malit të Thatë. Në Desardi kanë qenë disa qytete të njohura ilire; Pelioni, në afërsi të lumit Devoll, në grykën e Cangonjit, ku sot hasim toponimin Pilur: Korrogu në vendin e quajtur Hija e Korbit, mbi fshatin Kloce. Lumi kryesor i Korçës, Devolli në atë kohë quhej Eordao, buzë të cilit ishte vendosur Pelioni, i cili më vonë merr emrin Devoll.
Korça në dokumente historike përmendet për herë të parë në vitin 1281, me urdhër të perandorit të Bizantit, ku emëron Andrea Muzakën si administrator dhe i jep titullin e lartë Despot. Një tjetër dokument, që na jep të dhëna të tjera për Korçën është dorëshkrimi i Princit të Muzakajve. Ai e përmend Korçën me disa fshatra si: Sovjanin, Violën, Oparin, Morianin, Mazrekun, Lavdarin. Korça në këtë kohë ka qenë qendër e vogël me një kala fushore. Korça fillimisht lindi si qendër e vogël banimi, buzë rrugëve kryesore, ku bënte shkëmbime tregtare. Në fund të shek. XV, mori formën e një qendre urbane dhe në shek. XIX u krijua si qytet. Në shekujt XII-XIII, Korça ishte nën pushtetin e Muzakajve, me qendër në krahinën e Oparit. Në vitin 1382, Korça pushtohet prej Perandorisë Osmane. Në vitin 1701 shpërthen kryengritja kundër pushtimit turk, në krahinën e Gorë-Oparit. Mbas viteve 1820, mori hov lëvizja patriotike. Naum Veqilharxhi botoi abetaren e tij, kurse Thimi Mitko “Bletën Shqiptare” . Më 7 Mars 1887 hapet Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Me nismën e korçarëve krijohen shoqëri patriotike në Stamboll, Bukuresht e Kajro. Më 23 tetor 1891 çelet shkolla e parë për vashat nga Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi. Ishte kjo një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare.
Kultura dhe Etnografia
Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qenë pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë një pjesë të vogël të kulturës korçare.
Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, gjë që dëshmon se qyteti ka qenë një vatër e rëndësishme e kulturës me shumëllojshmëri materialesh shpirtërore për popullin tonë. Dy nga veprat më të rëndësishme të folklorit shqiptar janë, “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos dhe “Valët e Detit’ të Spiro Dines.
Mikpritja dhe Besa, janë dy virtytet me të cilat shqiptarët krenohen. Kur vinte miku në fshat ose qytet, ai pritej me të gjitha të mirat, për fjetjen e tij kishte dhomë të veçantë, që quhej “dhoma, ose konaku i miqve”. Për këtë zakon fisnik e shumë të lashtë, te shqiptarët ka mbetur thënia e famshme “kur e ke ndjerë veten në vështirësinë më të madhe ?” Ai u përgjigj : “ Kur më ka ardhur miku në shtëpi dhe nuk kam patur mundësi ta pres e ta kënaq si duhet”.
Folklori
Çdo qytet, çdo krahinë në shekuj ka krijuar kulturën e vet. Kështu, edhe populli i Korçës ka krijuar gojëdhëna, përralla, gjëegjëza, këngë, fjalë të urta, të njohura në të gjithë vendin. Për to janë kryer studime dhe botime të ndryshme, që janë bërë të njohura e të dashura për shpirtin e shqiptarit dhe të korçarit.
Veshja kryesore e burrave është fustanela, kallat dhe opingat me xhufka të zeza në majë të tyre, në kokë mbanin fesin me ngjyrë të bardhë. Ndërsa gratë visheshin me xhamadan dhe në kokë mbanin shami.
Monumentet e kulturës
Korça është shumë e pasur me monumente të kulturës, gjë që dëshmon se qyteti ka qenë në të kaluarën vatër e rëndësishme e kulturës materiale e shpirtërore për popullin tonë. Numërohen rreth 110 monumente kulturore, që mbrohen nga shteti.
Muzeu i artit mesjetar shqiptar
Është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Ai përmban objekte me vlera artistike e shpirtërore të popullit tonë, materiale që shkojnë deri në periudhën e Mesjetës. Në të ndodhen vepra të piktorëve të shquar shqiptarë si: Onufri, i biri i tij Nikolla, vëllezërit Athanas Zografi, Kostandin Jeromonaku nga Voskopoja e shumë të tjerëve.
Muzeu arkeologjik i Korçës
U krijua në vitin 1985 dhe mori formë të gjerë pas vitit 1990. Për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture. Ky muze është ngritur në një godinë karakteristike të shek XIX. Në të janë ekspozuar pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë, ku vendin kryesor e zë pellgu i Korçës.
Muzeu i arsimit
Është ngritur në godinën ku më 7 mars1887 u hap shkolla e parë shqipe ose “Mësonjëtorja”. Kjo godinë është dhuruar për shkollë nga patrioti Diamant Tërpo. Në të kanë dhënë mësim atdhetarët Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.
Besimi Fetar
Popullsia në rrethin e Korçës është e përzier, myslimane e ortodokse. Dikur qyteti ndahej në dy pjesë prej lumit të Mborjes, në Varosh, pjesa lindore ku banonin të krishterët dhe Kasabaja në perëndim, ku banonin myslimanët. Tani ndarja e dikurshme nuk ekziston më. Banorët e të dy feve kanë jetuar në harmoni. Kurrë nuk janë vënë re armiqësi e grindje fetare ndërmjet tyre. Tani në qytet e në fshat mund të hasen me qindra familje, që janë lidhur ndërmjet tyre me martesë. Në qytetin e Korçës sot ndodhen 9 kisha, ku shërbejnë 9 priftërinj dhe 6 manastire, si Manastiri i Shën Prodhomit në Voskopojë dhe i Shën Pavlit e Pjetrit në Vithkuq. Qyteti ka dy xhami, ajo e Minollarit ndërtuar më 1496 dhe Xhamia e Re. Janë 36 xhami në fshat dhe disa teqe në Turan, Melan, Vrëpckë etj.
Turizmi
Korça është si një minierë ari për nga llojshmëria që i ofron çdo vizitori. Monumentet e kulturës më të rëndësishme të Korçës janë: Kisha e Shën Ristozit, Mborje, Kisha në Voskopojë, Parku Kombëtar i Prespës, zonë e peizazheve mjaft tërheqëse dhe me potenciale për zhvillimin e ekoturizmit, ku vlerat natyrore gërshetohen me vlerat tradicionale, kulturore e historike, Muzeu arkeologjik i Korçës, ikona Ngjallja e shën Llazarit. Gjithashtu natyrë të mrekullueshme gjeni edhe tek fshati Dardhë i cili është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Gjelbërimi dhe freskia e ditëve të verës, por dhe dimri me shumë dëborë e bëjnë një vend të preferuar në të gjitha stinët e vitit. Sportet dimërore sidomos skitë tërheqin turistë të pasionuar pas tyre. 25 km nga Korça, në majë të një kodre shtrihet fshati i Vithkuqit. Pika më e lartë është maja e Rrungajës me lartësi 1750 m. Një nga atraksionet e këtij Rajoni është Uji i Ftohtë i Bellovodës i pasur në minerale, i quajtur ndryshe dhe Uji i Bardhë. Fshati Boboshticë është i famshëm jo vetëm për prodhimin e Rakisë së Manit, por edhe për Punimet e Leshit si Velenca, Qilima etj. Ky fshat ka dy Kisha që paraqesin interes të veçantë me një numër afreskesh mjaft tërheqëse.
Kuzhinë karakteristike
Arti kulinar në Rajonin e Korçës është një arsye më tepër për të qëndruar dhe pushuar këtu. Mos harroni të shijoni një vakt me gatime të peshkut shoqëruar me verë speciale buti, ose gatime të tjera, specialitete të rajonit nëpër restorantet e shumta me pamje nga liqeni dhe malet. Është për tu përmendur edhe Korani i famshëm, peshk që gjendet vetëm në liqenin e Ohrit. Korani është i famshëm për mishin e tij të shijshëm, i cili gjatë dimrit ka ngjyrë rozë dhe në verë të bardhë. Gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra është gjithashtu një kënaqësi krahas kuzhinës orientale dhe evropiane. Është një kënaqësi më vete të shijosh prodhimet e Liqenit të Prespës: peshkun Krap, Mrenë dhe cironkat të gatuara nga kuzhinierët e aftë që kanë recetat e tyre të veçanta. Në kuzhinën e Prespës, karakteristikë janë edhe byreku i zonës (me peshk e gjizë dhe vezë, ose me qepë) si dhe turshitë e ndryshme.
Në qoftë se vini në Dardhë nuk duhet të lini pa provuar lakrorin me dy petë të pjekur në saç. Është specialiteti i zonës dhe do të ngeleni mjaft të kënaqur. Pjekja e mishit është një tjetër specialitet karakteristik, i ndryshëm nga të gjitha vendet jashtë rajonit. Boboshtica ofron një kompleks restorantesh ku ju mund të provoni dhe mishin e pjekur që gatuhet në mënyrë të veçantë.
Voskopoja
Voskopoja shtrihet në një pllajë të bukur të rrethuar nga kodra të larta dhe pyje me pisha e bredha. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lenies dhe Ostrovica me një lartësi prej 2.246 m. Vera e freskët dhe dimri i ftohtë, gjelbërimi, ajri i pastër malor, i pasur me oksigjen, peizazhet e bardha dimërore ju ftojnë të kaloni momente mbresëlenëse me familjaret apo miqtë tuaj. Ajo është një vendbanim mesjetar i hershëm që nga viti 1330. Lulëzimin më të madh e ka patur në vitet 1764 me një popullsi prej 30.000 banorësh. Kishte 24 kisha me afreske nga më të bukurat, tani janë vetëm 7 prej tyre. Ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë (1720), artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinjë Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka patur në vitin 1769, të dyti më 1789 dhe të tretin në 1916. Ruan vlera të mëdha të artit mesjetar.
Në Dimër funksionon Pista e Skive dhe zhvillohen garat rajonale dhe kombëtare.
Voskopoja është fshati që ka traditë në pjekjen e mishit të qingjit, përpunimit të djathit, salcës, gjizës, turshive, petkave si dhe pjekjen e byrekëve në saç.
Dardha
Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore. 20 km në juglindje të Korçës, në një lartësi 1344 m mbi nivelin e detit. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Gjelbërimi dhe freskia e ditëve të verës, por dhe dimri me shumë dëborë e bëjnë një vend të preferuar në të gjitha stinët e vitit. Sportet dimërore sidomos skitë tërheqin turistë të pasionuar pas tyre.
Midis burimeve të shumta në këtë fshat është edhe i quajturi “Uji i Qelbur” që shërben si ujë kurativ për stomakun dhe veshkat. Shtëpitë e gurta karakteristike plotësojnë bukurinë e këtij fshati, por edhe njerëzit janë shumë mikpritës dhe gatuajnë specialitete karakteristike të fshatit.
Vithkuqi
25 km nga Korça, në majë të një kodre shtrihet fshati i Vithkuqit. Pika më e lartë është maja e Rrungajës me lartësi 1750m. Një nga atraksionet e këtij Rajoni është uji i ftohtë i Bellovodës i pasur në minerale, i quajtur ndryshe dhe Uji i Bardhë. Vithkuqi ka Florë e Faunë të pasur sidomos me kafshë të egra si Ariu, Ujku, Dhelpra, Dreri, Lepuri i Egër dhe pyjet me Ah, Dushk dhe Pishë. Çaji i Malit dhe bimë të ndryshme mjekësore gjenden me shumicë në të gjithë zonën e Vithkuqit. Fshati i Vithkuqit do të lërë mbresa tek vizitorët e pasionuar pas ngjitjeve malore, ofron ajër të pastër dhe klimë të shëndetshme malore.
Boboshtica
Fshati Boboshticë është i famshëm jo vetëm për prodhimin e Rakisë së Manit, por edhe për Punimet e Leshit si Velenca, Qilima etj. Ky fshat ka dy Kisha që paraqesin interes të veçantë me një numër afreskesh mjaft terheqëse. Boboshtica ofron një kompleks restorantesh ku ju mund të provoni dhe mishin e pjekur që gatuhet në mënyrë të veçantë.
Parku kombëtar “ Bredhi i Drenovës”
Ndodhet në Qarkun e Korçës dhe në rrethin e Korçës, 10 km larg qytetit të Korçës dhe shtrihet në kurrizin e malit të Moravës. Parku ka një sipërfaqe prej 1,380 ha. Bozdoveci, Guri i Capit, Çardhaku janë pikat më atraktive të tij. Konsiderohet zonë e peizazheve tërheqës me potenciale të mëdha për turizëm natyror e kulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky është mjaft i frekuentuar nga banorët e qytetit të Korçës dhe fshatrave përreth. Vlerat atraktive këtij parku ia shton edhe prezenca e shumë burimeve, të cilët kanë ujë të pijshëm gjatë gjithë vitit si ai i Shën Gjergjit, Plakës, Pllicës etj.
Parku Kombëtar i Prespës
Ndodhet në Qarkun e Korçës dhe në rrethet e Korçës (45 km larg) dhe të Devollit dhe ka një sipërfaqe prej 27,750 ha. Gjithashtu ndodhet në kryqëzimin e kufijve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Park ndërkufitar dhe shumë i rëndësishëm. Përbëhet nga liqeni i Prespës së Madhe dhe ai i Prespës së Vogël si dhe Pellgu ujëmbledhës i tyre. Prania e shtatë zonave rurale, mungesa e qyteteve dhe industrisë krijojnë një pasuri natyrore të pazbuluar. Liqenet e Prespës me një sipërfaqe prej 49.5 km2 (në territorin Shqiptar) kanë prejardhje tektonike, karstike. Thellësia e tyre arrin në 54 m. Brigjet e liqeneve janë pjesërisht shkëmbore të lartë dhe të ulët me plazhe ranore. Ujrat e Liqenit të Prespës së Madhe janë të shumta e të tejdukshme. Gjendet një lidhje nën ujore midis Liqeneve të Prespës dhe Liqenit të Ohrit. Zonë e peizazheve mjaft tërheqëse dhe me potenciale për zhvillimin e ekoturizmit, ku vlerat natyrore gërshetohen me vlerat tradicionale, kulturore e historike. Brenda zonës ndodhen dhe mjaft zona me vlera arkeologjike dhe biospeleologjike, në mënyrë të veçantë për lakuriqët e natës. Kjo zonë është mjaft e pasur me vlera kulturore. Në pjesën shqiptare të liqenit ndodhet edhe ishulli piktoresk i gjarpërinjve, Maligradi i cili me rrënojat e një bazilike të vjetër (shek XIV) dhe peisazhin karstik është një pikë e rëndësishme atraksioni në këtë rajon. Bazilika e ngritur brenda një guve shkëmbore është e njohur për ansamblin e saj me piktura murale bizantine.
Korça nuk mund të vizitohet vetëm për disa orë. Një fundjavë këshillohet të kalohet atje, por natyrisht koha do të mbetet e limituar. Në qytetin dhe rrethinat ku çdo stinë e përkëdhel pa kursim duhet të keni parasysh e të jeni koshientë se po e vizituat vetëm një here do të zhgënjeheni. Nuk do e harroni lehtë Korçën! Dashuroheni me të me shikimin e parë dhe një pjesë e shpirtit tuaj do t’ju mbetet atje. Ndaj bëhuni gati për vizita të shpeshta.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)