Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Hoy Brian Yee për çështjen "Tahiri". Zyrtari i lartë amerikan u shpreh gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se askush nuk është mbi ligjin si dhe u pozicionua kundër akuzave politike. 

Për kryetarin e PD, qëndrimi i SHBA është i qartë, ndërsa qeveria duhuet të tregojë me vepra se është kundër krimit. "Deklarata e qeverisë amerikane është e qartë: askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shkojnë deri në fund çështjes, është përgjegjësi e qeverisë të tregojë me vepra se është kundër krimit dhe korrupsionit.

Duke përshëndetur deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Hoyt Brian Yee, i inkurajoj fuqimisht prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë që të mos ndikohen e mos tremben nga asnjë presion politik dhe të mos ndalen as të shkurajohen por të punojnë me kurajo profesionale dhe përkushtim atdhetar deri sa të nxjerrin të vërtetën dhe të bëjnë drejtësi në çështjen Tahiri",
thuhet në deklaratën e Bashës.

Kreu i PD theksoi gjithashtu se maxhoranca duhet të ndalë sulmet dhe kërcënimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve. "Është momenti që Rama dhe shumica në pushtet të ndalin sulmet dhe kërcënimet ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, dhe dëshmitarëve, të cilat kanë dëmtuar bërjen e drejtësisë në rastin Tahiri, dhe besueshmërinë e popullit se politikanët nuk janë mbi ligjin. Pandëshkueshmëria e politikanëve duhet të marrë fund. Propagandën dhe llomotijtet në hava për drejtësinë nuk i beson më askush. Sot qytetarët presin të shohin me vepra se politikanët përgjigjen para ligjit dhe dënohen kur shkelin ligjin", thuhet më tej në deklaratën e kryetarit të PD.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com