'Të lutem prano eurot,pastaj...!'
Mesazhet mes Sotës e 'Kurum'

Gjatë seancës së djeshme avokati i Oresti Sotës i vuri në dizpozicion gjykatës disa përgjime ambjentale të kryera në policinë e Elbasanit. Biznesmeni Lefter Sota në konkluzjonet e mbrojtjes deklaron se paratë i ka siguruar nga shitja e aksioneve të “Banka Societe Generale Albania”, ndërsa kishte në plan që të kuronte gruan e tij. Lefter Sota, sipas avokatit deklaron se paratë do i dërgonte vetë te Kurum, por më pas vendosi të dërgonte djalin, ndërsa për këtë më parë kishin biseduar me pronarin e Kurum në një takim në Tiranë dhe 863 mijë euro do i linte si garanci për hekurin që do të merrte.

“Prej tyre është sqaruar se, Lefter Sota me datë 1 nëntor 2017 në mëngjes pati vendosur te dërgonte vetë një sasi të hollash në shoqërinë “Kurum” në Elbasan me qëllim lënien garanci për blerje të një sasie hekuri, pasi një ditë më parë në Tiranë (30 Tetor) është takuar me Drejtorin e kësaj firme, shtetasin e quajtur K. (K. Z), i cili ka qënë i shoqëruar nga pronari i firmës “Kurum”, i quajtur Ashmet (Hasmet Kurum), zotërues i 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “Kurum International” Sh.a.

Sota: Si ramë dakort të bënim tregtinë
Me ta shtetasi Lefter Sota ka biseduar në lidhje me porosi, marrëveshje të ndryshme për punë dhe i ka kërkuar konkretisht atyre lidhjen e një kontrate radhe për një sasi hekuri prej 4.000 ton. Pasi kanë biseduar në lidhje me parapagimet e shumës e cila mbahet e bllokuar në bankë deri në konsumimin e kontratës Lefteri i ka kërkuar atyre një lehtësi për mënyrën e pagesës që ti linin rreth një muaj kohë vonesë. K. nuk pranoi dhe tha “…ne kemi vendosur rregull dhe nuk e ndryshojmë këtë rregull pasi nuk japim më mall pa lekë, ne pranojmë vetëm garanci bankare…”.

 Lefter Sota i është lutur atyre që të pranonin një sasi parash cash nga fondet e tij personale. Në fillim ata nuk kanë pranuar por pastaj kanë rënë dakort se nëse do të operonin në këtë mënyre këto fonde nuk do të futeshin në llogari të firmës së tyre por do të ruheshin në ambientet e tyre. Lefteri do të merrte sasinë e hekurit në vlerën e garancisë cash dhe sa herë që do të bënte pagesën e faturave me bankë, një pjesë e shumës së lënë garanci në cash, e barazvlefshme me vlerën e faturës ose faturave, do t’i kthehej mbrapsht, derisa të tërhiqte të gjithë shumën e lënë garanci në cash. Pasi kanë rënë dakort me K. që mund të vepronin në këtë mënyrë Lefteri i ka thënë se do të njoftoj dhe janë ndarë nga njëri-tjetri”-thotë avokati.

Përgjimi i shoferit të Saimir Tahirit
Në bisedat telefonike të përgjuara të Lefter Sotës, me bashkëshorten e tij Antoneta Sota, konfirmohet sipas avokatit se shuma e parave ishte e Lefterit dhe ia ka dhënë djalit Orest, për t’i dërguar në Kurum, në Elbasan. Në datën 3 nëntor 2017 dhe ora 18:35, Lefter Sota pas arrestimit të djalit ka komunikuar me një person me emrin “Gimi” dhe i deklaron qartë se: “Ishin lekët e Netës që i kisha hequr që në 2009. Lekët nga Banka Popullore që u shitën. Fola me “Kurum” dhe ua thashë që t’i lë si garanci. Isha gati dhe thashë do iki në Elbasan. I mori djali për t’i çuar se kishte rrugën për në Vlorë...”. Avoakti thotë se po në datën 3 nëntor 2017, Lefter Sota komunikon me një tjetër person në telefon dhe shprehet se: “Kush e dinte që kishte ato në makinë (Lejet e drejtimit)... ishin lekët e Netës për Kurum (bashkëshortja e tij dhe nëna e Orestit–Antoneta Sota)...i kisha hequr mënjanë për kurimin e Netës dhe nuk i fusja dot në Bankë...”. 


Po ashtu, nga përgjimi i datës 3 nëntor 2017 ora 17:37, bërë për numrin e telefonit të shtetasit Genti Ceka (shofer i Tahirit), ai është shprehur qartë se: “…Patentat i kam pasur unë. Kam pasur makinën e tij dhe i lashë aty. Patentat i kam marrë unë para 2 muajsh në Durrës dhe i lashë aty. Është gabimi im, jo i tyre”. Por, prokuroria e Krimeve të Rënda shprehet se dyshon se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e biznesmenit Orest Sota në Elbasan janë të ish-ministrit, ndërsa bashkon zyrtarisht dosjen e Sotes me të Tahirit dhe Habilajve. Prokuroria deklaroi se “Kemi dyshime se paratë e gjetura në makinën e Sotës janë të Saimir Tahirit. Dyshohet se lekët janë të Saimir Tahirit të fituara nga aktivitetet kriminale".


dy.b/shqiptarja.com

 

/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij