39 vende europiane kanë vendosur që bisedimet me Rusinë për sigurinë në Europë të zhvillohen vetëm pasi të përfundojë lufta në Ukrainë dhe të rikthehet paqja. Qëndrimi është përfshirë në një deklaratë të përbashkët gjatë samitit europian në Dublin, ndërsa Moska ka kritikuar vendimin. Bullgaria është i vetmi vend i Bashkimit Europian që nuk e ka nënshkruar dokumentin.
Deklarata, e propozuar nga Franca dhe e titulluar “Parimet kryesore të sigurisë europiane”, mbështet mundësinë e bisedimeve me Rusinë për uljen e rreziqeve të sigurisë, por vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet e nevojshme për rikthimin e paqes.
Diskutimet mund të përfshijnë rreziqet ushtarake dhe kërcënimet hibride, si sabotazhet, sulmet dhe fushatat e dezinformimit. Rusia ka kërkuar më herët kufizimin e pranisë së NATO-s pranë kufijve të saj.
Në dokument theksohet se asnjë vendim për Ukrainën nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e Kievit, ndërsa çdo marrëveshje që lidhet me sigurinë e Europës duhet të përfshijë vendet europiane.
39 vendet kërkojnë gjithashtu garanci të forta dhe të besueshme sigurie për Ukrainën. Deklarata vjen mes spekulimeve se Shtetet e Bashkuara mund të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta me Moskën për një sistem të ri të sigurisë europiane, pa përfshirjen e vendeve të Europës.
Negociatori amerikan Jared Kushner ka paraqitur një propozim që mbështetet te komunikimi, transparenca ushtarake dhe ulja e rrezikut të përshkallëzimit. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka kritikuar qëndrimin europian, duke akuzuar vendet e Europës se nuk janë të gatshme të diskutojnë për një sistem të ardhshëm sigurie dhe se nuk kanë caktuar ende një negociator për këtë proces.
Mes vendeve që nuk e nënshkruan deklaratën janë Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina dhe Zvicra.
Bullgaria është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që nuk iu bashkua deklaratës, ndërsa arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë të ditura.
Një automjet është shpërthyer me eksploziv ditën e sotme në Moskë, ngjarje për të cilën Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur një hetim të gjerë.
Sipas mediave të huaja, mjeti thuhet se i përkiste një ish-ndihmësi që jetonte në mërgim, i cili më parë kishte punuar për një politikan ukrainas pro-rus. Pas sulmit ai ka mbetur i plagosur.
I plagosuri është identifikuar si Sergei Zavorotniy, një ish-zëdhënës i ish-kryeministrit ukrainas Mykola Azarov.
Zavorotniy u zhvendos në Rusi në vitin 2014, pasi u largua nga Ukraina gjatë protestave antiqeveritare, sipas raportimeve të mediave ruse.
Gazeta Kommersant raportoi se ai u dërgua në spital pas shpërthimit, por gjendja e tij shëndetësore nuk është konfirmuar ende.
Shpërthimi vjen vetëm një ditë pasi një ushtar rus u vra kur makina që ai drejtonte shpërtheu në Shën Petersburg.
Rusia ka paraqitur një sërë kërkesash të gjera gjatë bisedimeve në Abu Dhabi për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Sipas mediave gjermane propozimet e Moskës nuk kufizohen vetëm te territori ukrainas, por përfshijnë edhe ndryshime të rëndësishme në sigurinë e vendeve të tjera evropiane.
Ndër kërkesat kryesore raportohet të jetë largimi i Finlandës nga NATO, si dhe ndalimi i vendosjes së bazave ushtarake të Aleancës në Estoni, Letoni dhe Lituani.
Sipas raportimit, propozimet joformale u janë përcjellë përfaqësuesve evropianë gjatë takimeve në Abu Dhabi dhe synojnë krijimin e një rendi të ri të sigurisë në Evropë.
Në lidhje me Ukrainën, Moska kërkon të mbajë të gjitha territoret që aktualisht kontrollon, si dhe të marrë të gjithë rajonin e Donbasit. Kjo do të nënkuptonte që Kievi të hiqte dorë edhe nga pjesët e Donetskut dhe Luhanskut që ende ndodhen nën kontrollin e tij.
Një tjetër pikë e planit parashikon që portet e Odesës dhe Mykolaivit të çmilitarizohen dhe të mos përdoren si baza detare. Ndërkohë, propozohet garantimi i lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe në Detin Baltik.
Rusia kërkon gjithashtu që Ukraina të mbetet përgjithmonë një shtet i paangazhuar ushtarakisht, duke përjashtuar anëtarësimin në NATO, por duke mos kundërshtuar mundësinë e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.
Rusia propozon që vendi të shndërrohet në një republikë federale, ku do të përfshiheshin territori qendror moldav, Transnistria dhe Gagauzia. Në rast se Moldavia do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, Transnistria dhe Gagauzia do të kishin të drejtën të organizonin referendume për pavarësi.
Në këmbim të këtyre lëshimeve, pala ruse ofron të tërheqë armët bërthamore nga Bjellorusia dhe të mos vendosë atje raketa me rreze të mesme veprimi.
Propozimet, nëse konfirmohen, do të përbënin një ndryshim të gjerë të arkitekturës së sigurisë në Evropë, pasi prekin jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet anëtare të NATO-s dhe Moldavinë.
“Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe nga territoret që ende kontrollon në Donbas, ndërsa kërkon gjithashtu largimin e Finlandës nga Aleanca dhe ndalimin e bazave ushtarake të NATO-s në vendet baltike. Në këmbim, Rusia ofron tërheqjen e armëve bërthamore nga Bjellorusia”, thuhet në përmbledhjen e propozimeve, raporton Bild.









Komente
Komento