Liderët e Bashkimit Europian kanë rënë dakord që ekipi që do të përfaqësojë Europën në negociatat për paqen në Ukrainë të përbëhet nga pesë fuqi të mëdha ushtarake: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia, si dhe institucionet e BE-së.
Lajmin e bëri të ditur presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, pas përfundimit të takimit të liderëve në Dublin. Ai theksoi se Europa duhet të flasë me një zë të vetëm në çdo diskutim që prek të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit.
Nga ana tjetër, Kremlini deklaroi se Rusia është e hapur për pjesëmarrjen e vendeve europiane në negociata, nëse ato tregojnë se synojnë të kontribuojnë realisht për paqen.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i cilësoi komentet ruse si “të njëjtën lojë të vjetër”, duke theksuar se nuk mund të ketë diskutime për Ukrainën pa Ukrainën dhe për Europën pa Europën. Ai shtoi se nuk ka nevojë për negociata të reja mbi sigurinë europiane, pasi sipas tij, kjo çështje është e përcaktuar tashmë.
Ndërkohë, negociatori amerikan Jared Kushner bëri të ditur se ka nisur diskutimet me partnerët europianë për çështjen e sigurisë së kontinentit.
Përfaqësues nga Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe BE-ja morën pjesë edhe në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi këtë javë. Të dyja palët raportuan për njëfarë përparimi, por nuk pati marrëveshje për çështjet kryesore, siç është kontrolli mbi territoret.
Lajmi kryesor:
39 vende europiane i vendosin kusht Rusisë: Bisedime për sigurinë vetëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë! Kremlini kundërshton, Bullgaria nuk firmos deklaratën









