'Vora', L.Rama sfidon Patozin:
Shkojmë bashkë në Prokurori 

'Vora', L.Rama sfidon Patozin:<br />Shkojmë bashkë në Prokurori 
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama i është përgjigjur po me letër të hapur deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Luan Rama shprehet se do të denoncojë me fakte dhe prova çdo emër që cenon procesin zgjedhor në Bashkinë Vorë dhe këtë ai thekson se është i gatshëm që ta bëjë këtë bashkë me Astrit Patozin.

Gjithashtu, në letrën e hapur, i bëhet thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës që të nisë menjëherë hetimet për denoncimet e kryera nga Astrit Patozi. Në  letër thuhet se në Bashkinë e Vorës janë regjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në Vorë, por që janë regjistruar për të votuar në favor të Fiqiri Ismailit, kandidatit të PD­së.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrimit prej disa ditësh akuzojnë njëra-tjetrën për përpjekje për manipulimin e procesit zgjedhor në Bashkinë Vorë.
 
Luan Rama i përgjigjet Patozit, i cili thotë se në Vorë po ndodh një ‘krim i frikshëm elektoral’, se “në bashkinë e Vorës janë regjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në Vorë, por që janë regjistruar vetëm për të votuar në favor të kryetarit aktual të baskisë”.
 
Letra e Luan Ramës, ashtu si ajo e Astrit Patozit i drejtohet funksionarëve më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve më të lartë të organeve diplomatike në vend dhe organizatave që vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri.
 
Letra e hapur e Luan Ramës: 
Duke besuar se keni gjetur kohë të njiheni me letrën e hapur që ju ka drejtuar deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi, i cili përmes saj, siç vetë e shpjegon, donte “të ndante me ju një problem të madh për vendin”, duke ju informuar se “…vetëm 13 km nga qendra e kryeqytetit është duke u konsumuar m’u para syve tanë më së paku një krim i frikshëm elektoral”, më lejoni që në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, përkatësisht edhe si drejtues i fushatës zgjedhore të LSI-së për bashkinë e Vorës, t’ju bëj me dije se jam i gatshëm që bashkë me Astrit Patozin të denoncojmë zyrtarisht me shkrim në organet e zbatimit të ligjit, çdo fakt e çdo provë, çdo emër dhe mbiemër që mund të rezultojë i implikuar në shkelje të ligjit, pa bërë asnjë dallim në janë emra nga radhët e mazhorancës apo të opozitës.

Standardi i zgjedhjeve, qytetaria dhe transparenca e fushatës, korrektësia dhe luajaliteti i garës zgjedhore në përputhje me parimet e OSBE-ODIHR-it, për LSI-në janë prioritare dhe të panegociueshme.

Kështu kane qenë për LSI-në edhe katër vjet më pare kur ishim aleatë me partinë ku zoti Patozi ishte kryetar i grupit parlamentar, kështu është edhe sot kur jemi rivalë me partinë ku zoti Patozi nuk është më kryetar i grupit parlamentar. Pra, në Vorë, por edhe në Tiranë, në Shkodër e gjithkund në Shqipëri, LSI është investuar maksimalisht për të kontribuar per te realizuar zgjedhje të ndershme, korrekte, të lira e të barabarta; më të mirat që mund të jenë mbajtur ndonjeherë në Shqipëri.

Por meqë letra e hapur e zotit Patozi i ka marrë indiciet nga Vora, ku sipas tij “…është duke u konsumuar m’u para syve tanë më së paku një krim i frikshëm elektoral”, pa hyrë në polemikë, por duke qenë komplementar me të, e gjej me vend t’ju bëj me dije se në bashkinë e Vorës janë rregjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në Vorë, por që janë rregjistruar vetëm për të votuar në favor të kryetarit aktual të bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili, që është edhe kandidati i Partisë Demokratike për këtë bashki.

Vetëm një noter që quhet Shaban Gjoka, mik i kryetarit të bashkisë së Vorës, ka lidhur rreth 500 kontrata qiraje midis personave të ndryshëm, qytetarë me banim në bashkinë e Vorës në cilësinë e qiradhënësit, me qytetarë nga bashki të tjera të vendit në cilësinë e qiramarrësit. Pas këtij veprimi, noteri Shaban Gjoka ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm ligjor që këta shtetas të merrnin lejen e banimit në bashkinë e Vorës.

Dy qytetarë, Daut Tafa nga fshati Karbunarë, Lushnje dhe Shpëtim Bashalli nga fshati Lin i Pogradecit, emrat e të cilëve gjenden ne listat e votuesve të Vorës kane denoncuar publikisht në një televizion të pavarur se nuk kanë asnjë dijeni që kanë marrë shtëpi me qira në Vorë dhe që nuk kanë asnjë dijeni që figurojnë të rregjistruar ne listat e votuesve në bashkinë e Vorës. Madje ata kanë dëshmuar që as nuk e njohin noterin Shaban Gjoka, ç’ka nënkupton se aktet noteriale janë bërë pa praninë e palëve, gjë që përbën një shkelje flagrante të ligjit.

A e di zoti Patozi këtë fakt? A ka dijeni apo jo zoti Patozi për aktet noteriale te noterit Shaban Gjoka, pasojë e të cilave është fallsifikimi i listave të zgjedhësve nuk di ta them, por jam i prirur të mendoj se po ta dinte, do ta kishte shënuar si fakt në letrën e vet të hapur, e madje i shtyre nga parimësia dhe jo thjeshtë për të çliruar veten nga një detyrim moral dhe politik, do ta kishte denoncuar noterin Shaban Gjoka në prokurori, siç kam bërë unë.

Por, ndërkaq nuk ma do mendja që zoti Patozi të mos e kuptojë, (nëse vërtetë nuk e di!!!) që për të gjitha këto që përbëjnë dukshëm shfaqje të korrupsionit elektoral, apo nëse i referohem përcaktimit të tij “krim i frikshëm elektoral”, më e pakta, ka dijeni edhe i mbrojturi prej tij, kryetari i bashkisë së Vorës. Sepse, më e shumta në bindjen time, ai është përgjegjësi kryesor.

Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti që në këtë “krim të frikshëm elektoral që është duke u konsumuar m’u përpara syve tanë” janë të përfshirë punonjës të bashkisë së Vorës, familjarë të tyre apo njerëz që punojnë në bizneset e kandidatit të PD-së.

Ndryshe, nuk ka se si të shpjegohet që vetë noteri Shaban Gjoka ka lidhur kontratë qiradhënieje për 19 shtetas që referuar deklaratave të vendqëndrimit banojnë në shtëpinë e tij, ku ai banon vetë i shtati me familjen e tij!

Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet qe Safet Ciku, kunati i kryetarit të bashkisë së Vorës, alias edhe kandidati i PD-së për këtë bashki, ka lidhur kontratë qiradhënieje për 15 shtetas që sipas deklaratave të vendqëndrimit (edhe sipas listave te votuesve) banojnë në shtëpinë e tij, përveç pjestarëve të familjes së tij.
Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet që edhe Lulëzim Vrana, kryetari i PD-së në Vorë ka bëre të njejtën gjë, pa u zgjatur më tej në emra, sepse do të na dalin që dhjetëra votues nga bashkia e Tiranës midis të cilëve edhe të afërm, miq e familjarë të deputetëve të PD-së, janë ç’rregjistruar si votues të zotit Halim Kosova në Tiranë, dhe janë “trafikuar” përmes akteve noteriale te noterit Shaban Gjoka si votues te Fiqiri Ismailit ne Vore.

A ka dijeni apo jo zoti Patozi për këtë lloj trafiku elektoral, nuk di ta them, por mund të them me bindje se pasi ta mësojë që kështu ka ndodhur do ta konsiderojë “krim të frikshëm elektoral që është duke u konsumuar m’u përpara syve tanë” dhe me siguri do te distancohet publikisht prej kesaj veprimtarie të kundërligjshme, e ma do mendja do t’ju informoje edhe ju!

Katër vjet më pare rezultati i zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës u nda me 10 vota. Si do te ndjehen deputetet e PD-se apo edhe funksionarë të tjerë të saj që kanë ndihmuar apo që kanë dijeni për lëvizjet e votuesve nga Tirana në Vorë, nëse rezulton që zoti Halim Kosova të humbasë me diferencën e ketyre votave?! Apo për ta është më e rëndesishme bashkia e Vorës nga ajo e Tiranes?!

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit, rezulton qe disa shtetas me banim ne Vorë, kanë denoncuar përpjekjet e kryetarit të bashkisë për t’ju kerkuar votën në këmbi të zarfave me lekë apo të thasëve me miell. Për sa kohë kjo çështje është nën hetim, çdo koment është i tepërt dhe i pavend. Madje është i dëmshem.

Por akoma më i dëmshëm është presioni politik mbi policinë dhe prokurorinë, të cilët duhen lënë e duhen mbeshtetur të kryejnë detyrën e tyre me korrektesë dhe transparence. Është e dënueshme që të deputetët të PD-së apo funksionarë të saj të pengojnë që punonjësit e policisë së shtetit apo të prokurorisë të kryejnë detyrën e tyre, siç ka ndodhur ditët e fundit në Vorë.

Nëse një a disa punonjës të strukturave të shtetit rezultojne te sillen në kundërshtim me ligjin siç pretendon zoti Patozi në letrën e vet të hapur, kjo nuk është arsye për të mbuluar me miell realitetet e dhimbshme të bashkisë së Vorës prej tragjedisë së përgjakshme të Gërdecit e deri tek njerëzit e natës që lëvrijnë me ndonjë thes miell në kurriz.
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Në letrën e hapur me të cilën ju është drejtuar Ju, zoti Astrit Patozi paralajmëron dhe ju fton të bëni diçka, siç nënvizon ai; “… për ta ndalur marrshimin e së keqes që po vringëllin armët e krimit vetëm 13 km larg qendrës së Tiranës”!

Nëse nuk është spekullim a shpifje qëllimligë cfarë prisni?!...

Cfarë pret zoti Prokuror i Përgjithshëm?! Përse nuk ka reaguar ende, ndërkohë që janë bërë mbi 24 orë nga apeli publik i zotit Patozi?!
Dje dhe sot gjithë ditën unë kam qenë në Vorë. Kam takuar me dhjetëra e dhjetëra qytetarë dhe askush prej tyre nuk me la të kuptoja se dikush diku po vringëllin armët e krimit. Ndoshta ja kanë thënë zotit Patozi! Ndoshta!

 Ndaj, zoti Prokuror i Përgjithshëm ftojeni zotin Patozi t’ju ndihmojë që ju të bëni detyrën.

Në një shtet normal demokratik ka institucione qe ligji i ngarkon me përgjegjësi për të ndëshkuar cilindo qe vepron në kundërshtim me ligjin. Demagogjia, spekullimi dhe me keq akoma fallsifikimi e genjeshtra e veshja e tyre me petkun e parimësisë, nuk bejnë gjë tjetër por stimulojnë atë që zoti Patozi e percakton ne letren e vet si “krim i frikshëm elektoral”.

Qe kjo të mos ndodhë në Vorë dhe asne të gjithë Shqipërinë te nderuar zonja dhe zotërinj, dhe që Shqipëria te realizojë zgjedhje ne përputhje me standardet dhe parimet e OSBE-ODIHR-it, une ju siguroj në emër të LSI-së, në bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë dhe ju ftoj të monitoroni e vëzhgoni gjithçka gjatë kësaj jave dhe deri në çertifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve.
Me konsideratën më të lartë për të gjithë ju;
 
Luan Rama
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së

Redaksia Oneline
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025