Protestat e dhunshme në Tiranë kanë marrë vëmendjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Nga Elbasani, ku ishte i pranishëm në tryezën e diskutimit "Demokracia Vendore: Sa afër janë bashkitë me qytetarët?", ambasadori Michel Tarran theksoi domosdoshmërinë e hapjes së kanaleve të komunikimit mes pushtetit dhe shoqërisë.

Diplomati i OSBE-së vuri theksin te mungesa e konsideratës për zërin e qytetarëve gjatë muajve të fundit, duke rikujtuar se pjesëmarrja publike duhet të jetë një proces i përditshëm.

"Nisur nga rrethanat aktuale, lind pyetja nëse është momenti i duhur për këtë forum, por ne jemi këtu pikërisht për të ndërtuar ura dialogu. Ajo që kam vënë re muajt e fundit është një deficit komunikimi, ku mendimi i qytetarëve është anashkaluar. Qytetarët duhet të ndiejnë mbështetje. Prania ime këtu synon t’u bëjë të qartë të gjithëve, e sidomos të rinjve, se demokracia nuk është një akt që konsumohet vetëm një herë në katër vjet te kutitë e votimit, por një mundësi e përditshme për të ndikuar në vendimmarrje" tha ai. 

Lidhur me përplasjet e dhunshme të ditëve të fundit në kryeqytet,Tarran u shpreh kritik ndaj përshkallëzimit të situatës.

"Jam i mendimit se aktet e dhunshme mbeten të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik. Shprehim keqardhjen e thellë për serinë e incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën gjatë javëve të fundit." tha ai. 

Në përmbyllje të fjalës së tij, drejtuesi i misionit të OSBE-së nënshtroi se stabilizimi i situatës kërkon braktisjen e gjuhës së forcës dhe rikthimin e menjëhershëm të palëve në tryezën e dialogut institucional.