Rama u shpreh se qeveria është në krah të banorëve të Zharrëzës dhe se janë ndaluar injektimet nga kompania, ndërsa janë gati dëmshpërblimet.
'Shumë kanë dëgjuar për banorët e Zharrëzit. Qeveria e dëgjoi me shumë vëmendje problemin e tyre dhe angazhoi ekspertizë vendasve dhe të huaj.
Problemi i tyre lidhet me zonën dhe jo domosdoshmërisht me operacionet, pasi mund të kenë ndodhur lëvizje të shtresave ndër vite.
Qeveria reagoi duke ndaluar injektimet, tani presim konkluzionet. Kërkesa e banorëve për ndalimin e injektimeve është plotësuar.
Banorët janë mosbesues pas braktisjes së shtetit për kaq shumë vite, por iu them se injektimet nuk do të fillojnë.
Qeveria po punon për evidentimin e dëmeve. Jemi dakord me pretendimet e banorëve për rivlerësime në disa vende.
Kemi folur me Bankers për një program dëmshpërblimi dhe po punohet për ta garantuar sa më parë" deklaroi ai.
Kryeministri u shpreh se banorët janë të nxitur nga opozita, ndërsa thumboi edhe Blushin kur u shpreh se kushdo që ka dy fije mend dhe gjykon përtej partiçkës së vet e kupton se kjo histori nuk është e thjeshtë.
"Qeveria është në krah të banorëve, historia e ka zanafillën shumë vite më parë. Që kjo histori është jo e thjeshtë këtë e kupton kushdo që ka pak informacion për sektorin e naftës dhe që ka dy fije mend për të arsyetuar përtej interesit të vet apo të partiçkës.
Këta janë aktivistë të kamuar që shfaqen mes njerëzve kur ata protestojnë për të nxjerrë përfitim, këta pelivanë janë rreshtuar dhe s'po lënë gurë pa luajtur për t'i nxitur kundër qeverisë.
U kishin bërë gati edhe një çadër. Politikanët duan vota për karrige dhe as e çajnë kokën për pasojat sikur nuk e çanë" tha ai.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri deklaroi se opozita me protestën e nisur po përpiqet që të rezistojë kundër Vettingut.
"Kanë dalë nga arsyeja në përpjekje për ti rezistuar reformës dhe për ta hedhur në detin e anarkisë çelësin e kësaj reforme, Vettingun.
Kërkojnë revolucion për të mbrojtur karrierat e tyre të ngritura mbi zullumet dhe tradhtitë e panumërta" përfundoi ai.
Pas udhëtimit në këmbë nga Zharrëza në Tiranë, prej dy ditësh banorët vazhdojnë grevën para ministrisë së Energjisë duke kërkuar dëmshpërblim dhe largimin e kompanisë naftënxjerrëse.