Policia Rrugore ka vendosur 325 gjoba dhe ka nisur 31 procedime penale gjatë javës së shkuar. Nga pamjet, shihen automjetet që nuk respektojnë radhën në trafik, për të cilat janë vendosur 120 gjoba. Në një nga pamjet, një grup prej 4 makinash hyn në ‘garë’ për të kaluar e para.

98 automjete nuk i kanë shpëtuar dot karrotrecit për shkak të ndalimeve të gabuara.

Shpejtësia e lartë ka sjellë ndëshkimin me gjobë për 64 drejtues mjetesh, ndërsa 43 të tjerë do të duhet të përballen me gjoba 7000 lekë për gotat e tepërta të alkoolit.

Policia Rrugore apelon sërish për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.

Gjithashtu, fton qytetarët të njoftojnë menjëherë Policinë për çdo shkelje të rregullave që konstatojnë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe konform parashikimeve ligjore.