TIRANË- Një i moshuar është gjobitur me 200 euro nga Policia Bashkiake e Tiranës, pasi ka krasitur pemët për të cilat kujdeset para pallatit ku banon. Denoncimi është bërë nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka publikuar në rrjetin e tij social edhe fletën e gjobës.  

I moshuari, Sabriu, i ka mbjellë vetë të gjitha pemët dhe kujdeset për to, por Policia Bashkiake e ka konsideruar prerje pemësh dhe për këtë e ka gjobitur. Bëhet fjalë për një pallat në Njësinë numër 5 në Tiranë, ndërsa deputeti Braçe shkruan se i moshuari po kërkon drejtësi prej 4 muajsh për këtë gjobë dhe nuk po e gjen askund.

Braçe ka reaguar me tone të ashpra duke e quajtur një akt të pajustifikueshëm. Sipas tij, “kjo nuk është Policia Bashkiake që na duhet”.  

“Kjo nuk është policia bashkiake që na duhet!!Dje ju thashë që “kur i do policitë e të gjitha llojeve, NUK I GJEN KURRË”; por ama për të bërë dëm në komunitet, gjenden gjithnjë. Tek trekëndëshi i 1 majit më përplasën në fytyrë këtë gjobë – 20.000 lekë, dmth 200 mijë lekë, troç 200 euro! Gjoba thotë “për shkulje, prerje pemësh, shkurresh, etj.”

Shihni fotot dhe videon dhe gjykoni vetë! Një burrë i moshuar – Sabriu, që ka shtëpinë në kat të parë, i ka mbjellë vetë edhe ullinjtë, edhe pemët e tjera, edhe shkurret. Të harlisura, dhe në periudhën e duhur, i ka krasitur siç ja bën muuuuuuuuu! Pra, i ka mirëmbajtur siç i mirëmban përditë! I vunë këtë gjobë! Ka katër muaj që plas të gjejë të drejtën e tij, por s’e gjen kërkund!!

Ndaj jo çdo lloj injoranti merr vesh nga kjo punë. Krasitja e pemëve të tua nuk është shkelje ligji!! Tani mezi pres që polici i radhës i Policisë Bashkiake të hyjë këtu e të më thotë: “ti gënjen”, shkruan Braçe.

Gjoba ndaj të moshuarit