TIRANË- Qeveria ka dorëzuar në Kuvend aktin normativ përmes së cilit financuan me 4 mln euro mbarëvajtjen e një prej aktiviteteve kulturore-artistike të vlerësuara si më të rëndësishmet vitet e fundit, koncertin e artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West (YE).  

Sipas nenit 101 të kushtetutës, akti normativ duhet të shqyrtohet në seancë plenare brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të tij. Çka do të thotë, se diskutimi i aktit do duhet të futet në rendin e ditës brenda muajit korrik, para se deputetët të shkojnë me pushime verore. Akti duhet të marrë 71 vota në parlament për tu quajtur i vlefshëm.

Në aktin zyrtar shkruhet se vendimi është marrë për “financimin e pjesshëm të organizimit dhe të mbarëvajtjes së një aktiviteti kulturor-turistik, me ndikim në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Republikës së Shqipërisë”.

Opozita ka reaguar ashpër duke vënë në dukje se financimi i qeverisë për koncertin përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave, dhe një abuzim me Aktin normativ

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja në një intervistë për Report Tv tha se deri më tani janë shitur rreth 30 mijë bileta, me të huaj që pritet të vijnë nga 80 shtete të botës.

"Eagle Stadium" do të ketë 60 mijë vende, dhe po ngrihet në një sipërfaqe 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës.

Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë.