Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka marrë pjesë të shtunën në një seancë të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë, ku të rinj nga të gjitha trevat shqiptare u bashkuan në kuadër të forumit “Foli Shqip”.
Aktiviteti vuri në fokus atdhedashurinë, identitetin kombëtar dhe vizionin për të ardhmen, duke nxitur dialogun mes të rinjve dhe institucioneve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja veçoi miratimin e rezolutës së përbashkët në përmbyllje të forumit, përmes së cilës të rinjtë shprehën vullnetin për ta kthyer përkatësinë kombëtare në angazhim konkret dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes trevave shqiptare. Ministri theksoi se ky angazhim i brezit të ri meriton vëmendje dhe mbështetje institucionale.
"E shtunë, mes të rinjve në Parlament, në një seancë ndryshe nga herët e tjera, ku atdhedashuria, identiteti kombëtar dhe vizioni për të ardhmen bënë bashkë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare. Forumi “Foli Shqip”, nismë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës dhe tre universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ishte një dëshmi e fuqisë së dialogut mes të rinjve dhe institucioneve. Miratimi i rezolutës së përbashkët në përmbyllje të forumit i dha këtij takimi një rëndësi të veçantë, duke shprehur vullnetin e brezit të ri për ta kthyer përkatësinë kombëtare në angazhim konkret dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes trevave shqiptare. Një angazhim që meriton gjithë vëmendjen dhe mbështetjen tonë institucionale."- shkruan Gonxhja.










Komente
Komento