Pas dy ngjarjeve të rënda në Lezhë dhe në Durrës, ku janë vrarë 4 persona ka reaguar ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji.

Ai është shprehur se këto ngjarje tregojnë më së miri gjithë degradimin e rendit dhe sigurisë publike në vend.

"Katër të vrarë, dy në Lezhë, dy në Durrës në mes të rrugës tregojnë qartë degradimin e rendit dhe sigurisë publike, qesharakëzimin e postblloqeve me polici dhe me ushtri me mitraloza apo policë me syze dhe policë me armë nëpër godina bosh që qeveria i nxjerr për të bërë foto propagandë",ka shkruar Salinjai.

Ish-deputeti  ka shtuar se për fat të keq çdo ditë e më shumë keqqeverisja dhe tallja me show po merr jetë njerëzish, po falimenton biznese dhe po shkakton trauma për qytetarët.

"Sot kushdo e kupton që masat e qeverisë janë për të izoluar të varfrit, qytetarët që respektojnë ligjin , bizneset e ndershme, ndërkohë që kriminelët me armë lëvizin lirshëm dhe vrasin ditën për diell", ka mbyllur ai shkrimin.