Katër të rinj shqiptarë të vdekur dhe një në gjendje kome në spital është bilanci i një aksidenti tragjik në punë në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë.

Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani, Astrit Xheka 35 vjeç nga Dibra, Rruzhdi Hoxha 33 vjeç, nga Kukësi dhe një tjetër person nga Mati, kanë humbur jetën nga rrëzimi i skelës, ndërsa Alfred Visha nga Mati, 33-vjeç, është në koma në spitalin gjerman.

Grupi i punëtorëve shqiptarë ishin në gjermani me pasaporta false bullgare, gjë e cila solli edhe identifikimin me vështirësi të tyre, ndërsa tek punëdhënësi shtetas kosovar punonin në të zezë.

Besohet se numri i shqiptarëve që kanë humbur jetën në skelën që u shemb është pesë, të gjithë të regjistruar me dokumenta bullgare.

Mbrëmjen e djeshme është nxjerrë nga rrënojat një tjetër trup. Administratori shqiptar nga Kosova i firmës që kishte regjistruar shqiptarët me dokumente false është zhdukur.

Ngjarja ndodhi teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity. Mendohet se ka ende viktima nën rrënoja dhe po punohet për nxjerrjen e trupave.

700 punëtorët që punojnë çdo ditë në kantierin e madh të ndërtimit të qytetit Hafen u urdhëruan të evakuoheshin menjëherë në vendin ku ndodhi tragjedia. Skela ku po punonin shqiptarët në katin e tetë të një pallati u shemb dhe ra në një bosht ashensori.

Ngjarja e rëndë ndodhi 2 ditë më parë, teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:59
Humbi jetën në kantierin e ndërtimit në Gjermani, del FOTO e 35 vjeçarit nga Dibra

1698853719_astritxheka.jpg

Ky është 35 vjeçari, Astrit Xheka një prej viktimave që ndërroi jetë pas aksidentit tragjik të ndodhur në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë. 

Artur Xheka, vëllai i të ndjerit ka publikuar foton e 35 vjeçarit me një shkrim prekës. 

"Vlla, ku ike, kaq shumë ta paska dashur Zoti! Ma ke këputur zemrën"- shkruan vëllai i të ndjerit. 

Ora 12:26
Del FOTO, ky është shqiptari që mbeti i plagosur në kantierin e ndërtimit në Gjermani

1698838076_56220d4b70224e0e87596d95c1f2d3fe.jpg

Report Tv sjell foton e shqiptarit që mbeti i plagosur në kantierin e ndërtimit në Gjermani. Ai është Alfred Visha 33 vjeç.

Bashkë me punëtorë të tjerë, ia ka qenë duke punuar në një kantier ndërtimi në Gjermani, por skela ku po punonin në katin e tetë të një pallati u shemb dhe ai mbeti i plagosur, ndërsa 4 shqiptarë të tjerë mbetën të vdekur nga plagët e rënda që morën.

Ora 12:14
U deklarua se viktimat ishin bullgarë, policia korrigjon informacionin: 4 punëtorë ishin shqiptarë! Si ndodhi aksidenti në kantierin e ndërtimit në Hamburg?

1698837259_ham.jpg

Mediat gjermane zbulojnë detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë në punë të ndodhur në një kantier ndërtimi në Hafencity të Hamburgut të hënën e 30 tetorit, ku humbën jetën 4 shqiptarë dhe një punëtor tjetër mbeti i plagosur. Policia në fillim kishte deklaruar se viktimat ishin bullgarë, por më pas korrigjoi informacionin duke thënë se katër nga pesë viktimat e aksidentit ishin shqiptarë.

Sipas departamentit të zjarrfikësve, pas 35 orësh arritën të shpëtonin punëtorin e pestë të mbetur në rrënoja gjatë mbrëmjes, i cili u dërgua në spital me lëndime të rrezikshme për jetën pas aksidentit të hënën. Sipas raportimeve gjendja e tij ishte e qëndrueshme.

Zëdhënës i policisë për gazetën Bild të martën e 31 tetorit, tha se ka identifikuar 2 viktima dhe personin e plagosur rëndë ndërsa për dy viktimat e tjera vijon verifikimi.

Si ndodhi aksidenti?

Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës rreth orës 9:10 me orën lokale në kantierin e ndërtimit në Überseequartier. Një skelë me disa punëtorë ndërtimi në të ra nga kati i tetë në një bosht ashensori të brendshëm. Shërbimet e urgjencës që mbërritën fillimisht gjetën tre të vdekur dhe një punëtor me lëndime të forta të rrezikshme për jetën.

Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve, operacioni në kantier ishte gjithashtu i rrezikshëm për jetën e zjarrfikësve. Vendi i ndërtimit u evakuua plotësisht.

Hetimet

Ende është e paqartë se përse është shembur skela. Specialistët e Policisë Kriminale të Shtetit kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote (SPD) shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

“Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjithë të afërmit e viktimave”, shkroi ai në platformën X (ish Twitter). Në të njëjtën kohë, ai ka falenderuar edhe shërbimet e urgjencës.

Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë që ndodh në punë në Hamburg. Më 2 shtator 4 punëtorë ranë nga skelat në një aksident të ngjashëm në një kantier ndërtimi në urat Elba, Hamburg, jo shumë larg Hafencity, të cilët u plagosën dhe disa prej tyre ishin në rrezik për jetën.