Një nëndetëse e mbushur me 4 ton kokainë u kap nga ushtria kolumbiane në fillim të kësaj jave gjatë rrugës për në Amerikën Qendrore, ndërsa janë vënë në pranga 4 persona.

Në një video të publikuar orët e fundit, shihet teksa forcat speciale nxjerrin nga anije sasinë e madhe të drogës, të paketuar dhe të ngjeshur në nëndetëse.

Kokaina u gjet e fshehur brenda një nëndetëseje rreth 15 metra e gjatë në Oqeanin Paqësor, në 200 thasë, të ndarë në 4000 pako.

Ngarkesa e madhe, që vlerësohet të jetë 145 milionë dollarë, u sekuestrua të dielën pasi nëndetësja hyri në ujërat kolumbiane, thanë Forcat e Armatosura të Kolumbisë.

Katër burra në bordin e anijes, tre kolumbianë dhe një ekuadorian u arrestuan dhe u goditën me një sërë akuzash, duke përfshirë trafikun e drogës.