Pas më shumë se 4 vitesh jashtë politikës, Saimir Tahiri është bërë nostalgjik për kohën kur ishte në detyrë si ministër i Brendshëm.

Teksa ka publikuar një video me foto nga koha kur ishte ministër i Brendshëm, Tahiri bën me dije se sot si 4 vjet më parë e mbylli këtë detyrë.

Ndërsa e quan këtë detyrë si eksperienca e jetës, ish-ministri falenderon të gjithë ata që kanë qenë përkrah tij në këtë ministri. Por nuk ka harruar të falenderojë edhe ata që e kanë kritikuar.

"Sot 4 vjet me pare, mbylla detyren time si Minister i Brendshem. Eksperienca e jetes, me shume dashuri e pasion, dhe plot arritem. Faleminderit me shpirt djemve e vajzave qe punuan krah meje ne Ministrine e Brendshme dhe Policine e Shtetit. Faleminderit ty qe besove! Faleminderit dhe ty qe kritikove. Na bene te gjitha mire Gezuar diten e veres",- shkruan Tahiri. 

Ish-ministri i Brendshëm ndonëse është prej kohësh jashtë politikës aktive, shpesh ndan momente të veçanta me familjen e tij.

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në shkallën e parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe sot dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. Nuk dihet ende se çfarë vendimi do të marrë Gjykata e Lartë.