Pas më shumë se katër dekadash në uniformën blu, shtatë efektivë dhe drejtues të Policisë së Shtetit kanë mbyllur zyrtarisht karrierën e tyre. Për këtë arsye, ceremonia , ku mori pjesë edhe Drejtori Skënder Hita, u kthye në një moment vlerësimi për punën dhe kontributin e tyre ndër vite në strukturat e rendit dhe sigurisë.
Albert Dervishaj, Skender Kalemi, Dritan Avdyli, Remzi Brahimi, si dhe kryekomisarët Nikolin Thana, Idajet Shatro dhe Arben Ibro u nderuan me “Certifikatën e Karrierës” për punën dhe ndihmën e dhënë në formimin e brezave të rinj të policisë.
Në fjalën e tij, Hita i cilësoi efektivët si figura që kanë lënë gjurmë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe kanë kontribuar në ndërtimin e një policie më profesionale dhe më të besueshme. Sipas tij, puna e tyre nuk ka qenë vetëm një detyrë, por një kontribut i gjatë për sigurinë publike dhe forcimin e institucioneve.
“Secili prej jush ka lënë gjurmë në strukturat ku ka shërbyer dhe ka kontribuuar në ndërtimin e një policie më profesionale dhe më të besueshme. Pensioni nuk është fundi i kontributit tuaj. Është fillimi i një etape të re në jetën tuaj, për më shumë kohë për veten, për familjen që ka qenë mbështetja juaj më e madhe gjatë viteve të shërbimit, shpesh duke ndarë me ju vështirësitë, sakrificat dhe mungesat që sjell kjo detyrë. Lidhja juaj me Policinë e Shtetit nuk mbaron sot. Përvoja, profesionalizmi dhe vlerat që keni ndërtuar ndër vite do të mbeten një referencë e vyer për brezat e rinj. Ndaj, edhe pas daljes në pension, dera e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e hapur për ju, për mendimet, këshillat, sugjerimet dhe eksperiencën tuaj të vyer” tha Hita.
Në aktivitet morën pjesë drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Akademisë së Sigurisë dhe kolegë të efektivëve që mbyllën karrierën.
Komente










