40 vjet art hungarez vjen për herë të
parë në Galerinë e Arteve në Tiranë

40 vjet art hungarez vjen për herë të<br />parë në Galerinë e Arteve në Tiranë
Arti hungarez do të prezantohet për dy javë rresht në Tiranë. Një koleksion i zgjedhur i Muzeut Ludwig të Budapestit është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita e emërtuar “Ideale dhe Vepra Arti” u realizua pas një bashkëpunimi dyvjeçar me Hungarinë tha drejtori i institucionit Artan Shabani. Në një konferencë për mediat ku ishin të pranishme kuratorja dhe historiania e artit Krisztina Szipőcs u fol për zhvillimet e artit hungarez.

E pyetur për ngjashmëritë dhe ndryshimet e zbatimit në art të metodës së realizmit socialist në Hungari dhe në vendin tone Szipőcs u përgjigj:

“Ne nuk jemi prekur shumë nga kjo. Ka qenë një periudhë shumë e shkurtër e shkollës zyrtare realiste deri nga vitet ’50, por nga ana tjetër artistët i mbanin sytë nga perëndimi, por edhe nga arti abstrakt. Brezi i ri i artistëve që doli pas vitit 1989, mundi kështu të fillojë karrierën pa kufizime ideologjike dhe formale.”

Në ekspozitën e artit hungarez që do të qëndrojë çelur deri më 25 qershor prezantohen artistë më të njohur bashkëkohor si László Fehér, László Lakner, Dóra Maurer, Sándor Pinczehelyi e të tjerë. 

Sipas Krisztina Szipőcs në gjysmën e dytë të viteve 1960-të në Hungari filluan të dalin disa artistë të rinj të cilët po krijonin art në mënyrë të pavarur nga ideologjia qendrore dhe politika shtetërore për artin, duke iu bashkuar lëvizjeve aktuale ndërkombëtare, në frymën e lirisë artistike dhe sipas trendeve të kohës. 

“Ende edhe sot aktivë, këta anëtarë të brezit të neo-avant-gardës hodhën themelet për përpjekjet e mëvonshme me mjetet e abstraksionit gjeometrik, pop-artit, apo pikturës gjestuale.
 
Nga fillimi i viteve 1970-të, kritika kundër regjimit dhe realizmit socialist si metodë përfaqësuese e tij u shpreh jo vetëm në mënyrë indirekte, nëpërmjet stilit dhe mërgimit të artistëve në sferën e dytë publike, por edhe nëpërmjet simboleve dhe gjesteve të mirëfillta. Vepra konceptuale, vepra me bazë fotografinë, aksione artistike dhe performanca, morën shpesh topoi (kategori) të njohura ideologjike dhe formale – simbolet e lëvizjes punëtore, figurën e punëtorit dhe atë artistit – e kështu në mënyrë indirekte vetë regjimin, si objekt shqyrtimi dhe kritike.”, thotë Krisztina Szipőcs.

Më tej ajo përshkruan ndryshimet komplekse dhe shpesh të padepërtueshme sociale dhe politike në fillim të viteve 1990-të në vendet e Evropës Lindore.
 
 “Këto ndryshime përfshinë Hungarinë - sollën me vete një trend doktrinash të vjetra dhe të reja dhe ideale të ndryshme për jetën, nga individualizmi përmes konsumizmit, te rizgjimi i nacionalizmit apo religjionit, në përhapjen e të cilave media, mbi të gjitha televizioni, ka luajtur një rol të rëndësishëm”, thotë ajo.
 
Por sipas saj brezi i ri i artistëve që doli pas vitit 1989, mundi të fillojë karrierën pa kufizime ideologjike dhe formale dhe, “në frymën e pluralizmit tematik dhe stilistik, trajtoi çështje të identitetit gjinor, kombëtar apo fetar, traditës historike dhe artistike, dhe shtroi pyetje themelore për jetën si artist, dhe lidhjen mes jetës dhe artit.
 
"Kjo dekadë u karakterizua nga intermedia, mendimi konceptual dhe popullariteti i ripërtërirë i videos dhe fotografisë. E sotmja, dekada e dytë e mijëvjeçarit të ri, është mbytur nga një ndjenjë gjithnjë e më e fuqishme e krizës, e cila bën thirrje për forma të reja aktivizmi dhe mendim kritik në art, bashkëkohësisht dhe në kundërshtim me strategjitë e qëndrimit introvert dhe izolimit.” thotë Szipőcs e cila njohet edhe si një nga studiueset më të mira të artit në Hungari.

arti hungarez

arti hungarez
 
Redaksia Online
(M.Ç/shhqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

'Je në kontradiktë me atë që the', e ftuara braktis emisionin: Mos analizo fjalën time, mos ndërhy tek unë

'Je në kontradiktë me atë që the', e ftuara braktis emisionin: Mos analizo fjalën time, mos ndërhy tek unë