/ATSH-Gjergji Mima/ - 400 fëmijë nga disa rajone të Shqipërisë, nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve, fëmijë nga komuniteti Rom/Egjiptian, fëmijë me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta në arsim dhe fëmijë në situatë rruge, morën pjesë sot në fushatën globale të Save the Children "Garë për Mbijetesë" dhe do diskutojnë me autoritetet mbi çështjet që i shqetësojnë ata në shëndetësi, arsim dhe mirëqënie.
Në fushatën ndërgjegjësuese globale 'Garë për Mbijetesë', Save the Children i bëri thirrje qeverisë dhe politikëbërësve të angazhohen për t'i dhënë fund vdekjeve të fëmijëve nga shkaqe të parandalueshme dhe të garantojnë akses në shërbime cilësore shëndetësore për çdo fëmijë.
Në aktivitet merrnin pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe zv/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj. Foto: Agim Dobi
Në aktivitet merrnin pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe zv/ ministrja e Arsimit dhe Sportit, Noral Malaj.
Përpjekjet e bëra në botë në dy dekadat e fundit, për të shpëtuar jetët e fëmijëve kanë përgjysmuar numrin e fëmijëve që vdesin nën moshën 5 vjeç, një zhvillim pozitiv që tregon se me angazhim të fortë politik, qeveritë mund të sjellin ndryshime reale në jetët e fëmijëve. Por pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv, numri i fëmijëve që vdesin nga shkaqe të parandalueshme mbetet ende i lartë në komunitetet në nevojë në botë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Raporti i Save the Children 'Situata e Nënave në Botë' i vitit 2015, identifikoi se Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë për fëmijët nën moshën 5 vjeç (14.9 vdekje për 1,000 lindje të gjalla), krahasuar me të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik.

Shpesh dhënia e kujdesit shëndetësor është e një cilësie të ulët dhe popullsia që jeton në zonat rurale dhe grupet në nevojë në mënyrë të veçantë kanë akses të kufizuar në shërbime shëndetësore publike dhe fare pak informacion mbi shëndetin.
Në institucionet e kujdesit parësor për nënën dhe fëmijën mungojnë praktikat gjithëpërfshirëse dhe qasja ndaj kujdesit dhe mirëqenies së fëmijëve nuk është tërësore. Kequshqyerja është një tjetër problem me ndikim në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Në Shqipëri, 1 në 5 fëmijë janë të kequshqyer kronikë. Kequshqyerja sjell 1/3 e vdekjeve tek fëmijët shqiptarë.
Këto janë disa nga arsyet për të cilat sot Save the Children bashkë me 400 fëmijë dhe të rinj nga disa rajone të Shqipërisë dhanë disa mesazhe për të ndryshuar këtë situatë dhe për të përmirësuar jetët e fëmijëve.

Përmes forumit kombëtar, vrapimit simbolik dhe mesazheve fëmijët pjesëmarrës i kërkuan autoriteteve dhënien fund të vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve, sigurimin e aksesit së shërbimeve shëndetësore cilësore për çdo fëmijë, përmirësimin e kushteve në institucionet shëndetësore si infrastruktura, pajisjet shëndetësore dhe sigurimin falas të medikamenteve, ofrimin e shërbimit dentar falas për çdo fëmijë, përmirësimin e higjenës dhe sigurimin e ambjenteve sportive në shkollap promovimin e mirëushqyerjes dhe praktikave të mira të rritjes së shëndetshme të fëmijëve në të gjitha institucionet përkatëse.
Angazhimi i fëmijëve në çështjet që i shqetësojnë vetë ata, kërkesat dhe mesazhet e tyre për autoritetet qeveritare u mbështetën edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Drejtoresha e UNICEF, Përfaqësuesja e BE, Kooperacioni Italian i Zhvillimit në Shqipëri dhe të ftuar të tjerë në aktivitet. Vrapimit simbolik të fëmijëve iu bashkua edhe aktori Florian Binaj.
zv/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Noral Malaj
'Gara për Mbijetesë' është ngjarja më e madhe mobilizuese e udhëhequr nga fëmijët. Ajo ka mobilizuar mijëra fëmijë gjatë gjithë vitit, të cilët i kanë bërë thirrje vendimmarrësve t'i japin fund vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve dhe të angazhohen më shumë në çështjet që shqetësojnë fëmijët kryesisht në zonat më të varfra, të prekura nga luftrat apo krizat humanitare.
Mesazhet e fëmijëve nga e gjithë bota drejtuar autoriteteve, përshirë këtu edhe ato të fëmijëve shqiptarë, Save the Children do t'i prezantojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 15 shtator 2015, për të ndikuar në vendimet që do të merren në lidhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për 15-vjeçarin e ardhshëm.
Në këtë fushatë Save the Children në Shqipëri theksoi nevojën e rritjes së investimeve publike për fëmijët veçanërisht në fushën e kujdesit shëndetësor, mirëqenies dhe arsimit të cilat kontribuojnë në një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe gjithë shoqërinë; sigurimin e aksesit në shërbime shëndetësore cilësore për të gjithë fëmijët dhe në veçanti për fëmijët në nevojë, si fëmijët Rom, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e zonave rurale, fëmijët në situatë rruge; bashkëpunim më të mirë ndërsektorial dhe bashkërendim të shërbimeve që ndikojnë në mirëqenien dhe zhvillimin tërësor të fëmijëve.