400-vjetori, përkthimi i një teksti
 të Shekspirit nga Fan Noli

400-vjetori, përkthimi i një teksti<br /> të Shekspirit nga Fan Noli
TIRANË - Sa herë përmendet Fan Noli si përkthyes, menjëherë shtohen disa cilësime për mjeshtërinë e tij të lartë në këtë fushë. Kohët e fundit janë ndërmarrë edhe punime krahasuese për veprat e përkthyera prej tij, në veçanti nga anglishtja. Ndërkaq, përveç cilësimeve në rastin e parë dhe shqyrtimit të fjalëve e fjalive në rastin e dytë, nuk e gjejmë të shprehur se çfarë konkretisht e ka bërë Fan Nolin të fitojë vlerësimet e merituara, as edhe përse shpesh flitet jo për përkthime prej tij, por për shqipërime.

Besoj se po të niseshim nga një këndvështrim tjetër, mund t’i afroheshim sado pak qartësimit të kësaj ane të arritjeve të tij, të cilat mbeten përshtypjelënëse edhe në ditët tona.

Noli kur niste një përkthim, nuk ulej përpara një teksti dhe thjesht gjente barasvlerëset shqipe të fjalëve dhe të fjalive në një gjuhë të huaj. Para së gjithash, ai kishte një vlerësim të shumanshëm vetjak për veprën përkatëse të autorit të huaj, prandaj nuk është e rastit që ka shkruar edhe Introduktat e njohura. Për më tepër, zgjedhjet e tij bëheshin duke peshuar se çfarë do t’i sillte vepra lexuesit shqiptar, si do të tingëllonte në mjediset me problematikën shqiptare të kohës dhe prandaj Introduktat nuk janë ngushtësisht vështrime kritike letrare, por edhe publicistikë e mirëfilltë, domethënë aktualizimi i tematikës së tyre në rrethanat e Shqipërisë. Pikërisht këtu fillonte “shqipërimi” nga ana e tij dhe jo vetëm te prirja për përkthim të lirë, apo për gjetjen e barasvlerëseve më të goditura artistike të mjeteve leksikore e stilistike.

Kur është rasti në veçanti për veprat dramatike, sërish Noli nuk u qaset si përkthyes i zakonshëm. Ai vjen aty me përvojën e viteve të para të jetës, kur luante në skenë si aktor dhe e dinte përmendsh çdo dramë. Replikat e tekstit ai i përjetonte si aktor, domethënë i mendonte se si do të tingëllonin në skenë, kur të ishin në gojën e aktorit drejtuar shikuesve.

Në një farë mënyre, Noli bëhej njëherësh aktori i të gjithë personazheve të pjesës, e shihte veten si mishërues të secilit karakter, ndërsa ëndërronte të luante rolin kryesor. Po ta vështrojmë pak më ndryshe, kur përkthen vargjet e famshme të Hamletit “Të rrosh a të mos rrosh”, në të vërtetë është edhe vetë Fan Noli që e bën këtë pyetje nga ana e tij. Këtë karakteristikë e gjejmë të shprehur mjaft qartë në Autobiografinë e tij, kur vë në dukje se sa herë ndodhej përpara një udhëkryqi të vështirë, bënte pyetjen: Çfarë do të bënte Jezui në një rast të tillë? Çfarë do të bënte Skënderbeu në një rast të tillë?

Prej këndej kuptohet përse kur përkthente Noli, nuk kishte përpara fjalë e fjali, që duheshin kaluar nga gjuha e huaj në shqipen, madje nuk kishte përpara veçse një tekst, por kishte një pamje njerëzore të shndërruar në një tekst. Pyetja shtrohej se si kjo pamje njerëzore do të rifitohej në gjuhën shqipe. Duke e shprehur me terma të tjerë, do të thosha se Fan Noli nuk vështron vetëm fenotekstin, objektin fjalësor si një strukturë thëniesh konkrete, por vëmendjen e ka te gjenoteksti, te prodhimi dinamik i tekstit, që të dalë kuptimi i tij në marrëdhënien me interpretuesin e tij, domethënë me lexuesin shqiptar, në një gjuhë kështu të ndryshme nga ajo e autorit.

Në këtë pikë ka rëndësi të vihet në dukje, se kemi të bëjmë vërtet me gjuhë të ndryshme, domethënë nuk ka mundësi që të arrihet njëjtësia me gjuhën  tjetër. Synimi kryesor atëhere mbetet që të arrihet sa më afër të jetë e mundshme njëjtësia me pamjen njerëzore që ka mishëruar autori i origjinalit në gjuhën e huaj përkatëse, pa harruar se edhe përvoja njerëzore nga mënyra se si lëndëtohet në gjuhë të ndryshme natyrisht që nuk është identike.

Së fundi, në rastin e veprave letrare mbetet e pashkëputur edhe ana estetike. Pavarësisht se cili është ideali estetik për objektet fjalësore te rryma të ndryshme letrare, te epoka të ndryshme dhe te autorë të ndryshëm, teksti i përkthyer duhet të tingëllojë edhe bukur. Me këtë shpjegohet, përse përkthimi i “Rubaive” të Omer Kajamit nga Ali Korça sigurisht që është shumë më afër origjinalit nga disa pikëpamje, e përsëri nuk mund të rivalizojë nga asnjëra pikëpamje me përkthimin e Fan Nolit, i cili ka arritur të rimishërojë shqip një tekst me vlera artistike. Rubaitë e Nolit janë përshtypjelënëse, ngjallin ndjenjë, rrjedhin gjuhësisht, tingëllojnë muzikalisht, nguliten menjëherë në mendje, kanë ritëm, shkurt: janë të bukura.

Mund të shkruhet shumë gjatë për këto çështje, por në këtë rast kam marrë vetëm një përkthim të Fan Nolit, i cili besoj se mjafton si dëshmi bindëse për të treguar, që Fan Noli përkthente një tekst që mishëron një pamje njerëzore të shndërruar në gjuhën e letërsisë, domethënë në gjuhën që synon të ngjallë skena, karaktere, veprime, ndjenja me efekt artistik.
 
Dramën e dytë të Shekspirit Noli e përktheu më 1926. Qeveria e tij ishte rrëzuar me dhunë nga Ahmet Zogolli dhe bashkë me të tjerë Noli ishte arratisur e ndodhej në Berlin. E shënon në “Introduktë” datën gusht 1926. Ishin vrarë Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi pak më parë. Pikërisht po në këtë vit ai shkruan dy elegjitë e fuqishme për ta. Nuk është e vështirë të kuptohet kështu, përse ai zgjedh të përkthejë “Makbethin”.

Në “Introduktë” e nënvizon, që tragjedia e Shekspirit i kundërvihej Makiavelit dhe kishte si motiv qendror të dëshmonte, se ai që e nis qeverimin me gjakderdhje dhe terror është i shtrënguar fatalisht të vazhdojë ashtu si e nisi, s’kthehet dot mbrapsht, hyn thellë e më thellë sa vete. Për Nolin, Shekspiri na tregon një histori dhe na lë ta nxjerrim vetë përfundimin.

Madje e quan se kjo është më e lehta ndër tragjeditë shekspiriane për ta kuptuar. Lexuesi shqiptar i kohës dhe spektatori i mëpastajmë njëkohësisht do ta kishin të lehtë për ta kuptuar, se regjimi i vendosur me dhunë në Shqipëri do të ecte po në atë rrugë, do të kishte po atë fat. Në këtë mënyrë Noli e sillte tragjedinë në rrethanat shqiptare dhe kjo e kushtëzonte përkthimin, domethënë qysh këtu niste “shqipërimi”. Më duket se hedh dritë për këtë pikë edhe mënyra se si regjisori i njohur japonez Akiro Kurosava ka bërë një film: ai ka marrë tekstin e “Makbethit”, por mjedisi historik dhe personazhet janë tërësisht japonezë.

Megjithëse bota mesjetare japoneze ishte tjetër gjë me samurajët e luftërat e tyre, përsëri filmi dëshmon natyrën universale të temës që kishte përpunuar Shekspiri, duke treguar se kush i hyn rrugës së pushtetit nëpërmjet dhunës, do të përmbyset nga dhuna, domethënë pavarësisht se kjo aktualizohet në Japoni apo në Shqipëri.

Ndërkaq, Noli nuk vë përpara një tekst të shkruar për të kapërcyer çështjet gjuhësore. Ai hyn në një skenë, kërkon ta perceptojë atë skenë dhe do t’i suflojë secilit aktor e secilës aktore se çfarë të thotë, domethënë edhe njëjtësohet alternativisht me secilin e me secilën. Akti i parë, skena e parë (AI, 1) është në një vend të shkretë (A desert place). Noli ka përdorur “yrt”, që është një turqizëm, të cilin nuk e ka as Fjalori i orientalizmave i T. Dizdarit (2005) me kuptimin e vendit dhe të atdheut. Dëgjohen bubullima e shkreptijnë vetëtima, sepse sipas mitologjisë magjistricat janë në gjendje t’i ndiellin; ky është mjedisi i tyre, ato hyjnë në skenë dhe pyesin se kur do të takohen përsëri.
 
- Kur piqemi të tria përsëri,/ Në bubullimë, vetëtim’ a shi?
- Posa shamat’ e luftës të pushonjë/ dhe dita mundësin të na tregonjë.
- Pra, posa dielli të perëndonjë.
- Po ku?
- Këtu në rrethin.
- Këtu e hasim dhe Makbethin.
- Ja ku po vinj, Zonja Lubi.
- Ja ku po kthehem.
- Ja tani.
- Zbarth e zeza, dhe e bardha nxin;/ Er’ e ndyr’ e mjegull na përpin.
 
Katrahurën e luftës Noli e ka quajtur “shamatë”, ndërsa do t’i dilte e ndërlikuar po ta jepte të përpiktë sipas anglishtes rreshtin tjetër: “Kur beteja do të jetë e humbur [nga njëra palë] dhe e fituar [nga tjetra]”. Për përkthyesin ka rëndësi që spektatori ta kuptojë, se është fjala që përleshja do të mbyllet me dikë që fiton:  dita mundësin të na tregonjë.

Këtu tashti ndërhyn një faktor tjetër i tekstit. Në origjinal radhët kanë pjesërisht rima. Noli është përpjekur që edhe këtë veçori ta ruajë, duke i bërë vargjet të rimojnë, por natyrisht, me rima të varfra me mbaresat foljore (pushojë, perëndojë, tregojë) dhe me “i” të theksuar (përsëri, shi). Kjo e ka detyruar që për “Makbethin” të vendosë me rimë “rrethin”. Në origjinal fjala ishte për një shqopishtë, domethënë e ka zëvendësuar me një fjalë të përgjithshme, si rrethi aty rrotull. Madje në AIII,5 “A Heath” nuk do t’i dilte me “rreth” dhe e ka dhënë . . . Një Yrt!

Më pas i shfaqet kërkesa për të gjetur shqip nofkat e lidhura me magjistricat. E para përmend Greymalkin, domethënë macen e përhimë; e dyta thotë se po i thërret Paddock, këtu me kuptimin e thithëlopës; e treta do të shqiptojë vetëm në A4,1 fjalën Harpier, një lloj shqiponje grabitqare. Atëhere përkthyesi i ka lënë mënjanë dy nofkat anglisht dhe e ka dhënë të parën si figurë të kuptueshme shqip: Zonja Lubi. Ndërsa për të dytën replika Paddock calls i ka mbetur “Ja ku po kthehem”, nofka ka rënë. Në shqip do të kishim përkthimin barasvlerës fjalë për fjalë:
 
- Po vij, Mace e përhime!
- Thithëlopa po thërret.
- Qetash.
 
Arsyeja për variantin e Nolit është se marrësi shqiptar nuk është aspak i familjarizuar me botën e magjistricave angleze, rrjedhimisht ky përkthim i përpiktë nuk do t’i ngjallte gjë në mendje. Po edhe më interesante është replika e të triave bashkë. Fjalë për fjalë do të ishte:
 
E qashtra është e qelbur dhe e qelbura është e qashtër,
Flatro përmes mjegullës dhe ajrit të ndyrë.
 
Noli atëhere ka gjetur një kundërvënie që të përçojë botën e mbrapshtë të magjistricave dhe pastaj i ka larguar nga skena. Lexuesi shqiptar ndërkaq ka hyrë në atë atmosferë.

Por më i vështirë ka qenë trajtimi, kur do të vinte Akti IV,1 me formulat e magjirave. Sidoqoftë, ai ka pasur një rrethanë lehtësuese: për anglezin e kohëve të reja e gjithë ajo mendësi me shtriga e me namatisje dhe me ligjëratën përkatëse tashmë ishte shumë e largët, ashtu siç po bëhet për brezin e ri te ne vetëm tashti. Ndërsa kur përkthente Noli namatisjet dhe ligjërata e tyre fsheharake ishin krejt të gjalla për folësit e shqipes. Rrjedhimisht, ai është përpjekur të kalojë në këtë botë, që mundësisht të rrokej e afërt për atë auditor.
 
(1) - Mac’e murme mjaulliti.
(2) - Tri her’ eshi derr gërriti.
(3) - “Ardhi koha!” Harpja briti.
 
Te (1) mbiemri ‘brinded’ mund të përkthehej edhe ‘e përhime’, po të ruhej lidhja me AI,1, mirëpo përkthyesi ka ruajtur tetërrokëshin e origjinalit dhe e ka lënë jashtë edhe pjesën e parë të fjalisë. Te (2) fjala ‘esh’ është sllavizëm krahinor për iriqin, madje as nuk ka ndonjë ‘esh derr’ në gjuhën shqipe, domethënë është kalkim. Te (3) në origjinal Harpja ka bërtitur dy herë në origjinal. Shmangia nga anglishtja është mjaft e dukshme, por shqip kanë dalë tre tetërrokësha të rimuar, sepse duhej krijuar atmosfera ritmike e ligjërimit misterioz të tri magjistricave rreth kazanit. Gjithçka përshtatet me dy vargjet, të cilat ato i përsërisin së bashku të tria:
 
Trubull, trubull, avullo;
Digju zjarr, kazan valo.
 
Rjedhimisht, semantika e fjalëve dhe e fjalive të veçanta e humbet rëndësinë, mjafton teksti në tërësi të jetë afër origjinalit nga përshtypja që duhet të krijojë si namatisje, jo si kumtim i një domethënieje reale; si akt magjie dhe jo si komunikim i kuptueshëm.

Po të shihen njësitë leksikore një nga një, do të thuhej se përkthyesi nuk ka ditur si t’i jepte shqip, mirëpo ai është përpjekur jo të përkthejë, por të ndërtojë një tekst shqip që të ngjallë atë përfytyrim te spektatori, i cili sheh tri magjistricat rreth kazanit, e pranon që kjo është punë magjie dhe ndikohet më shumë nga aliteracionet dhe grumbullimet fonetike, që të bashkëtingëllojnë me gurgullimin e kazanit të nxehtë.

Ne i njohim këto përftesa fonetike të Nolit aq të goditura në vjershat e tij, si p.sh. Dif- dragoj i Dragobisë. Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma. Ferra çjerr e guri grin. Dhe më ngjethte, dhe më derthte, Tmerre që s’ndjeva kurrë.
Anglisht dy vargjet që përsëriten si refren janë:
 
Double, double toil and trouble,
Fire burn and cauldron bubble.
 
Të përkthyera fjalë për fjalë do të ishin:
 
Dyfish, dyfish shkëpurdhu e trubullo,
Digju zjarr e kazan gurgullo.
 
Duke i vënë krahas vargjet e përkthimit të Nolit dhe vargjet e anglishtes të përkthyera pikë për pikë bëhet e qartë metoda e punës së tij. Po sjell nga kjo skenë vetëm të yshturat e magjistares së dytë, pa bërë komente për gjithë mospërputhjet e dukshme në sipërfaqe:
 
Kokë gjarpri laragan,               
Ziej, piqu në kazan;                
Sy kuçedre, bisht bretkosë,    
Gjuhë qeni, qime dose,              
Cfurk nepërke, thumb prej grere,          
Panç’ agrepi, gjemp prej ferre,           
Për magji e gjëmë ferri             
Zieni si çorbë derri.                       
 
Fashë e gjarprit të moçalit
Në kazan ziej e piqu,
Sy tritoni dhe gisht bretkose
Lesh lakuriqi  dhe gjuhë qeni
Sfurk nepërke dhe thumb kakëzogëze,
Këmbë hardhuce dhe krah kukumjaçke
Për një magji trubullimi të fuqishëm
Për një magji trubullimi të fuqishëm
 
Mund të merret kështu  çdo faqe e çdo replikë, duke u bërë komentin e plotë skenës, marrëdhënieve të karaktereve, çastit emocional e rrethanave të komunikimit, të cilat kushtëzojnë në tërësi tekstin gjuhësor, që gjatë përkthimit nevojitet t’i përcjellë të gjitha këto sa më mirë në gjuhën shqipe, madje duke ruajtur organizimin e replikave dhe të ritmit e rimave të vargjeve. Nuk ka nevojë atëhere për ta shqyrtuar gjithë tragjedinë nga ky këndvështrim, prandaj po kaloj te fjalët e fundit të Malkolmit, që e mbyllin veprën dhe që janë më afër ligjërimit të zakonshëm, më prozaike:
 
Pa humbur kohë do t’jua çpërblenj,
Jo veç e veç po tok, besnikërinë
Dhe dashurin’ e fortë që më çfaqtë.
Të dashur kushërinj e Thanër trima,
Që sot po jini kontër, me një titull
Që së pari jipet në Skotlandë.
Me vrap i ftojmë miqt’ e syrgjynosur,
Që iknë nga pusit’ e tiranisë,
Të kthehen prapë në shtëpit’  tyre;
Pastaj dënojmë veglat e pashpirtme
Me larot e këti gjakderdhësi
Dhe të kuçedrës mbretëreshë’, e cila
Siç thuhet, paska vrarë vetë veten;
I bëjmë pra më hir të Perëndisë
Me mas’ e koh’ e vënt, pas drejtësisë:
Ju falem nderit dhe ju ftonj në Skonë
Për festën e kurorëzimit tonë.
 
Është fjala e ngazëllimit të fitores dhe e falënderimit, e shpërblimit për luftëtarët që e mundësuan atë fitore; anasjelltas, e dënimit për fajtorët e tiranisë. Po të shihet me pedantëri, përkthyesi ka shtuar fjalët: veç e veç, po tok; e fortë; çfaqtë; të dashur; me vrap; pas drejtësisë. Ka dhënë të tjera përkthime me fjalët: të kthehen prapë; pasi; veglat; gjakderdhës; kuçedër.

Ndërsa ka lënë jashtë fjalët e origjinalit: large; before; several; in such an honour named; what’s more to do; planted; abroad; watchful; producing forth; dead; violent hands; what needful else that calls upon us; all at once and to each one; to see us. Kjo do të thotë se një përkthyes tjetër pa dyshim mund të jepte një variant të ndryshëm. Po sjell vetëm karakterizimin e mbretëreshës si “kuçedër”, që mund të thuhej “pjellë e djallit” e kështu më tej. Mirëpo edhe varianti tjetër do të ishte i shtrënguar të mbante parasysh të paktën dy kërkesa themelore. E para, të jepte shqip po aq lëndë fjalësore sa e kërkon numri i vargjeve dhe numri i rrokjeve për çdo varg.

Dihet se duke i ndenjur sa më besnik origjinalit, në shumicën e rasteve teksti i përkthyer del me më shumë lëndë gjuhësore dhe kjo pranohet pa rënë në sy në prozë, porse nuk ka vend në shtratin e ngushtë të vargjeve. Së dyti, edhe secili varg ka shtrëngesat për të ruajtur ritmin, për të organizuar theksat dhe ndonjëherë për të arritur rimën. Përpikëria fjalësore e ka pothuaj të pamundur t’i plotësojë njëheresh  të gjitha këto kërkesa.
Në këto rrethana është ndjekur ndonjëherë edhe praktika për ta përkthyer poezinë si tekst në prozë me besnikëri ndaj origjinalit. Produkti është një tekst didaktik, për të rrokur domethënien, por jo një tekst me vlera artistike.

Kurse Nolit i duhej një monolog në vargje i mbretit të ri fitimtar, i cili krejt ndryshe nga tirani i mëparshëm  i do dhe i nderon bashkëluftëtarët, i dënon ushtruesit e tiranisë, kërkon drejtësinë dhe fton për gëzimin e vet që e pret. Dhe të gjitha këto duhet t’i mishërojë me fjalën e vet të gjallë aktori që do ta shqiptojë monologun në skenë për të mbajtur të pashkëputur vëmendjen e shikuesve.

Së fundi, mbetet edhe një faktor historik i pamënjanueshëm. Së pari, gjuha evoluon gjatë shekujve, kurse teksti origjinal mbetet i ngurtësuar në epokën kur është krijuar. Ka përftesa të ndryshme për ta dhënë shijen e gjuhës tashmë të vjetruar, por ato ndeshen me pengesën e fortë të kërkesës që teksti sidoqoftë të jetë i kapshëm për lexuesin bashkëkohor. Së dyti, edhe vetë përkthyesi është i ngërthyer në etapën e gjuhës të kohës së vet dhe njëkohësisht në rrethin e njohurive vetjake të thesareve gjuhësore.

Për këto dëshmojnë si veçoritë, të cilat ndihen si shmangie nga norma e sotme e ngulitur, ashtu edhe ndikimet nga gjuha e origjinalit, sepse gjuha e lëvruar ecën përpara edhe nga pikëpamja e ballafaqimit me gjuhët e huaja. Mjafton emërtimi i vendit Skotlandë, siç e ka dhënë Noli sipas anglishtes, kundrejt Skocisë që përdorim sot rregullisht. Një vërtetim e kemi edhe nga shembujt e “Introduktës”, e cila nuk është përkthim. Edhe aty e kemi emrin e Skotlandës, madje për “skocez” e ka skotez. Po njësoj ka: Ingli dhe ingliz, që për ne tashmë janë të vjetruara. Madje edhe vetë termi Introduktë është prej trajtës së anglishtes dhe nuk ka gjetur përhapje në shqipen.

Ashtu si dhe në vepra të tjera, Noli përdor anglicizmin “liberator” për ‘çlirimtar’ (Ky Vigan Liberator te ‘Syrgjyn-vdekur’). Terroristik shqipja e ka përvetësuar pa zgjerimin me parapshtesë, domethënë thjesht ‘terrorist-e’. Fjalë e trajta të tjera të huazuara aty, që nuk kanë gjetur vend, janë: vijtore, invazje, punitje, sermon, kontroversial, monomania, vizualizata, noktambul, konkluzje. Kurse shembulli më bindës i rrethit të njohurive vetjake është çerdhja e foljes zaptoj, një huazim nga turqishtja, sepse Noli nuk e njihte foljen pushtoj me çerdhen e saj.

Edhe nga ky vështrim krejt i pjesshëm dalin qartë vështirësitë e panumërta për të arritur një përkthim të cilësisë së lartë, i cili nuk përbën thjesht gjetjen në fjalor të barasvlerëseve të fjalëve, por ngërthen një varg kërkesash të ndërlikuara, të cilat përmbushen në radhë të parë duke e vështruar tekstin si një tërësi të organizuar, për të dhënë atë pamje njerëzore që ka krijuar autori me qëllimin jo vetëm për të përçuar një brendësi me veprime, ide e mendime, por edhe për të arritur efekte artistike te lexuesi ose shikuesi. Fan Noli u ka kushtuar kujdesin më të madh pikërisht këtyre anëve dhe ky është çelësi i mjeshtërisë së tij. Natyrisht, për këtë nuk mjaftojnë njohuritë dhe dëshira, por nevojiten edhe talenti e përvoja, të cilat Nolit nuk i kanë munguar.

noli

noli


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri