Ndërsa i afrohej fundit të jetës së tij, mjeshtri i impresionizmit, Claude Monet, mbushi një telajo të madhe me lule që lëkunden pranë pellgut në shtëpinë e tij në Giverny, Francë. Tani, më shumë se një shekull më vonë, vepra e titulluar ‘Iris’ është shitur për rreth 56,2 milionë dollarë, duke vendosur një rekord si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë në ankand në Francë.
‘Iris’ u shit pas një beteje telefonike që zgjati 42 minuta, mes të paktën gjashtë koleksionistëve, gjatë një ankandi të Sotheby’s në Paris më 22 tetor. Në fund, vepra përfundoi në duart e një blerësi privat në Azi.
Konkurrenca e ashpër për 'Iris' mund të lidhet pjesërisht me periudhën e vonë kur u krijua vepra. Besohet se Monet e ka pikturuar atë në vitin 1924 ose 1925, vetëm pak vite para vdekjes së tij, në dhjetor të vitit 1926. Vepra është gjithashtu me përmasa të mëdha: 1,5 metra e lartë dhe 1,8 metra e gjerë.
Deri vonë, ‘Iris’ u përkiste pasardhësve të Jeanne Schlumberger, familja e së cilës e kishte krijuar pasurinë e saj në industrinë e naftës. Vepra nuk ishte ekspozuar kurrë publikisht, pasi kishte qëndruar për dekada në muret e rezidencës së familjes Schlumberger në Paris.
Me kalimin e moshës së Monet, veprat e tij u bënë gjithnjë e më abstrakte. Ai “nuk pikturonte më peizazhe, por atmosferën, hapësirën dhe kohën”, shpjegon Marianne Mathieu, historiane arti dhe ish-kryekuratore e Musée Marmottan Monet në Paris.
“Në vend që thjesht të paraqiste natyrën duke pikturuar kopshtin e tij në Giverny, ai krijoi një botë të pastër piktoreske, të çliruar nga perspektiva tradicionale dhe horizontet fikse”, shtoi ajo.
Megjithëse Schlumberger vdiq në vitin 1983, familja e saj priti deri këtë vit, që shënon 100-vjetorin e vdekjes së Monet, për të nxjerrë në shitje ‘Iris’, disa vepra të tjera të Monet-së dhe punime të artistëve të tjerë nga koleksioni i gjerë i familjes.
Duket se kjo strategji ka dhënë rezultat. Ankandi solli rreth 83,7 milionë dollarë, ndërsa pothuajse tri të katërtat e veprave të ofruara për shitje u shitën me çmime më të larta se kufiri i sipërm i vlerësimeve të bëra para ankandit.
Monet ishte artisti që tërhoqi më shumë vëmendjen. ‘Saule pleureur ou L’Arbre de feu’, një vepër e pikturuar rreth viteve 1918 ose 1919, që paraqet shelgjet vajtuese të Giverny-t, u shit për 10,9 milionë dollarë. ‘La Seine à Vernon, l'arbre’, një pamje ëndërrimtare e vitit 1894 e lumit Sena pranë Vernonit, u shit për 4,8 milionë dollarë, ndërsa ‘La maison à travers les roses’, një tjetër vepër e periudhës së vonë, e krijuar në vitin 1925 ose 1926, u shit për 2,9 milionë dollarë.
Tri vepra të hershme të Paul Cézanne-it, përfaqësuesit të postimpresionizmit u tërhoqën vetëm pak orë përpara fillimit të ankandit. Të tria ishin shpallur së fundmi thesare kombëtare të Francës, gjë që nxiti diskutime mes familjes Schlumberger dhe zyrtarëve në Aix-en-Provence, qyteti ku lindi Cézanne. Tani, ky qytet në jug të Francës planifikon t’i blejë të tria veprat për muzeun e tij, Musée Granet, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës së Francës.







Komente
Komento