Aktori i njohur francez Gerard Depardieu dhe shkrimtari Michel Houellebecq raportohet se janë nën hetim në Francë, pas denoncimit të një aktoreje që pretendon se është përdhunuar në grup gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso” në vitin 2018. Në këtë çështje është përfshirë edhe regjisori Guillaume Nicloux, i dyshuar për bashkëpunim në përdhunim dhe sulme seksuale.

Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, e cila citon një burim të njohur me çështjen, hetimi ka nisur pas një kallëzimi të paraqitur nga aktorja në maj të vitit 2025. Rasti u bë publik fillimisht nga media investigative “Mediapart”, ndërsa me hetimet po merret policia gjyqësore e Parisit.

Ngjarja e denoncuar daton më 11 dhjetor 2018, gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso” në kompleksin Thalazur, në Cabourg të Francës.

Aktorja dhe balerina me origjinë sllave pretendon se atë ditë po xhirohej një skenë që, sipas skenarit fillestar, nuk kishte asnjë përmbajtje seksuale. Megjithatë, sipas kallëzimit, regjisori i kishte kërkuar të dilte para kamerave pa rroba.

Po atë mbrëmje, sipas denoncimit, ajo dyshohet se është përdhunuar në grup dhe ka pësuar sulme seksuale, ndërsa ndodhej në gjendje të dehur rëndë.

Mediat franceze raportojnë se pas përfundimit të xhirimeve, aktores i janë ofruar një rol tjetër dhe tre kontrata me vlerë totale 45 mijë euro bruto, të cilat janë paraqitur si një formë kompensimi.

Disa nga detajet e denoncimit, të publikuara nga “Mediapart”, janë konfirmuar për agjencinë AFP nga një burim pranë dosjes.

Për Depardieu, 77 vjeç, kjo nuk është hera e parë që përballet me akuza për dhunë seksuale. Aktori është dënuar më parë me 18 muaj burg për sulme seksuale gjatë xhirimeve të filmit “Les volets verts”.

Edhe Houellebecq është nën hetim në një tjetër çështje në Nanterre, për bashkëpunim në nxitjen e diskriminimit, urrejtjes dhe dhunës, pas disa deklaratave për myslimanët të botuara në revistën “Front Populaire” në nëntor të vitit 2022.