45 vjeç në fshatin shqiptar je i 
moshuar, Kristina: Jeta ime ka mbarua

45 vjeç në fshatin shqiptar je i <br />moshuar, Kristina: Jeta ime ka mbarua
Kristina është vetëm 45 vjeç, me dy fëmijë adoleshentë të cilët kanë plot kërkesa, por që ajo me të shoqin, i cili ka plot 20 vjet i papunë nuk mund t’ua plotësoj ato. Kristina rrëfen e përlotur për Shqiptarja.com ëndrrën e saj që Arlindi, djali i saj 20 vjeçar të gjejë një punë(në pamundësi për të vazhduar shkollën e lartë) dhe të mos punojë më në fshat, pa besim se dhe kjo do të realizohet. Ajo shprehet se jeta e saj ka mbaruar, e vetmja gjë që kërkon është një jetë më e mirë për fëmijët e saj. E pyetur nëse do donte të kthehej në rini, ajo shprehet se jo, pasi më parë ka qenë më keq. Këtu shoh një fije shprese tek Kristina. Teksa ajo kërkon një jetë më të mirë për fëmijët e saj, unë do t’ju lutesha të kthenit sytë tek jeta e Kristinës.
 
 -Kristina, ti ke një jetë ndryshe nga njerëzit në qytetet, nga gratë..cila është ëndrra jote më e madhe?
100%... s’më realizohet ëndrra mua!Nuk mund t’a them.
 
-Pse nuk realizohet?
Nuk realizohet, nuk është mundësia.
 
-Nëqoftëse nuk e thua, nëqoftëse nuk e ndan, nuk e beson...
Ëndrra ime është t’i gjendet një punë fëmijës sime, djalit tim. Pa punë djali, edhe burri. Pa punë, pa asgjë, pa të ardhme...
 
-Nuk mendon ndonjëherë për ndonjë fustan të bukur?
Për veten nuk mendoj fare, iku jeta ime. Luftë gjithherë. Fëmijët mos t’i lë kështu si kam vuajtur unë.

-Pse pikërisht një punë dhe jo një shkollë për djalin dhe për vajzën? Një ndihmë nga shteti për studime?
S’realizohen ato.. s’më mbushet mëndja se realizohen ato punë. Ndaj them një punë se është më e thjeshtë.
 
-Cila punë mendoni se do t’i shkonte për shtat djalit, që do doje për djalin?
Djali që vjet ka dashur të hyjë në Akademinë e Rendit, por nuk e realizoi se nuk pati mundësi me ec.
 
-Nuk keni pasur mundësi ta shtyni për të vajtur në Tiranë?
Duhen lekë edhe në Tiranë, nga të shkosh, me se..
 
-Po me vajzën çfarë marrëdhënie ke?
Shumë të mirë. Vajza është e rregullt, e thjeshtë është shumë shumë e rregullt.
 
-Çfarë moshe ka?
16.
 
-Bashkëbisedoni bashkë?  Për shembull të tregon ajo çfarë ndodh në shkollë, nëqoftëse pëlqen ndonjë djalë?
Po, po të gjitha. Ato si ka hala, është e vogël. Por është shumë e rregullt vajza, është e urtë, e thjeshtë.
 
-Ka kërkesa, të mërzit kur të kërkon?
Po më mërzit se ajo ka shumë kërkesa. Ajo nuk mundet të bëjë detyrat siç i bëjnë në internet, se s’ka.
 
-Kërkojnë këtu në Rrëshen projekte? 
Po si s’kërkojnë. I bëjnë krejt detyrat, ajo nuk i bën, se s’ka internet.
  
-E penalizon kjo, domethënë mësuesit janë të rreptë dhe i ulin notën? Pavarësisht se e dinë situatën?
Po, ata të kërkojnë llogari, pavarësisht kësaj nuk ka çfarë i bën mësuesi.
 
-Në çfarë ore niset vajza për shkollë?
Në 6 e 30.
 
-Si quhen fëmijët?
Djali, Arlind Gjonaj ndërsa vajza, Anisa Gjonaj.
 
-Po marrëdhënia jote me burrin?
Shumë mirë, as më mërzit as më ka shqetësuar asnjëherë.
 
-Ke udhëtuar ndonjëherë ti Kristina?
Jo s’kam lëvizur ndonjëherë. Nga Rrësheni deri tek shtëpia.
 
-Tiranën nuk e ke parë?
Kam qenë vetëm një herë, tek vëllai i burrit.
 
-Çfarë ndryshimi mendon se ka?

Ehuu, unë sa kaloj Skurret që janë aty, them të mos shkoj më tek shtëpia.
 
-Je lodhur nga jeta e fshatit?
Po, boll..
 
-Mendon se ndonjëherë fshati do të ketë të njëjta kushte me qytetin?
Asnjëherë, unë veç për fëmijët thashë, që të më eci jeta pak më mirë.
 
-Besoni tek partitë politike? Çfarë pret që të sjellin këtu në Rrushkull?
Po, besoj se njeriu ka një bindje. Përzotin vetëm ujë, se gjë tjetër s’të sjell kush.
 
-Çfarë të kërkon Anisa, si një vajzë 16 vjeçare?
S’di çfarë të them se çfarë më kërkon më parë, nuk plotësohen. Nuk plotësohen kushtet e fëmijës asnjëherë... këtu as që bëhet fjalë.
 
-Ju jeni sa vjeç?
Unë?45 vjeç.
 
-Pra ju jeni thjesht 45 vjeç dhe prapë mendoni vetëm për jetën e fëmijëve tuaj?
Vetëm fëmija se jeta ime s’ka.. unë e di që zgjodha jetë të papërshtatshme për veten.
 
-Ju më përpara ku keni jetuar?
Në rreth të Matit.
 
-Ka ndryshuar jeta jote e rinisë me jetën sot? Do doje të ktheheshe pas në kohë?
Nuk diskutohet ajo, ka qenë më tjetër.. Jo, s’do doja, se më keq ka qenë më përpara.

-Domethënë ka shpresë që do bëhet më mirë?
Po shpresë, prej zotit shpreson robi. Hajt sot, hajt nesër, hajt një ditë... shpresojmë!
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë