Të paktën 49 shtetas shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në Zonën Shengen janë riatdhesuar sot në Shqipëri , rreth orës 16.40, me një fluturim të përbashkët charter, organizuar nga agjensia Frontex, sipas një njoftimi për shtyp nga Ministria e Brëndshme.
Operacioni i riatdhesimit u zhvillua nga Policia e Shtetit Shqiptar, përkatësisht strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me agjensitë ligjzbatuese Franceze dhe FRONTEX.
Në bordin e avionit ishte dhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit me qëllim monitorimin e respektimit të të drejtave të shtetasve që u riatdhesuan si dhe në përbërje të eskortës kishte dhe një mjek e një psikolog, sipas njoftimit. Nga shtetasit e kthyer , 25 prej tyre janë kthyer nga Franca, 4 nga Belgjika, 6 nga Finlanda, 7 nga Gjermania, 3 nga Spanja dhe 4 nga Italia.
Të gjithë shtetasit e kthyer sot , janë penalizuar për tre vjet mos të udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen./atsh/