TIRANË- Pas marrjes së lejes për t’u betuar si eurodeputet, Fredi Beleri ka udhëtuar nga burgu i Fierit drejt Athinës. I pa shoqëruar nga efektivët, Beleri mbërriti në Athinë në rreth orës 12:30, ndërsa u prit në një takim rreth 40 minuta nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Mësohet se kryeministri grek gjatë takimit është shprehur se “rruga e Shqipërisë drejt BE-së është përmes respektimit të vlerave të BE-së”. Të dy pozuan pranë flamurit të BE, ndërsa Mitsotakis uroi Belerin duke i thënë se "shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu”.

Beleri deklaroi për mediat e huaja nga aeroporti grek se do të vazhdojë përballjen ligjore, ndërsa një mesazh pati edhe për banorët e Himarës, të cilët më 4 gusht pritet të zgjedhin kryebashkiakun e ri.

“Himarjotëve duhet t’u them se nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, herët a vonë do të shfajësohen”, tha ai për grekët e Shqipërisë.

Rreth orës 07:30 Beleri la burgun e Fierit dhe ‘liria’ e tij zgjat vetëm 5 ditë. Ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga bashkëshortja dhe makina e ambasadës greke dhe në një prononcim të shkurtër për mediat greke, duke shmangur ato shqiptare, Beleri tha se është i lumtur.

“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri për mediat greke.

Nga Rinasi, lajmëroi që do të ankimojë vendimin e Apelit të GJKKO që e dënoi me 2 vite burg, duke thënë se këtë çështje do e ndjekë deri në Strasburg.

“Do e ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare, dhe po nuk gjeta të drejtën do shkoj edhe në Strasburg", tha Beleri.

Sipas lejes së miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, leja e Belerit nis sot dhe zgjat deri më 20 korrik, më pas Beleri duhet të kthehet në burg për të shlyer dënimin e mbetur për korrupsion zgjedhor.

Më pas, nga Athina niset për në Strasburg rreth orës 16:00 dhe më 16 korrik bëhet edhe betimi si eurodeputet në Parlamentin Europian.

Para miratimit të lejes, komisioni vendosi disa kritere karshi Belerit, të cilit i kanë kërkuar të dhëna të plota, nisur nga garancia e lëvizjes, dorëzimi i biletave të udhëtimit vajtje-ardhje, apo qëndrimi dhe akomodimi në hotel. Për miratimin e kërkesës është parashikuar edhe ndonjë e papritur, për shembull nëse do t’i duhet të qëndrojë më shumë nga sa e parashikon leja, për shkak të zhvillimeve atje. Në një rast të tillë, Beleri do të duhet të njoftojë të gjitha institucionet në mënyrë zyrtare, përfshirë edhe autoritetet vendase në Strasburg.

Çështja “Beleri”, i cili u arrestua vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 14 majit në një lokal në Himarë, trazoi ujërat diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi nuk mundi të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak, mundësi që e humbi pas dënimit përfundimtar me burg, në Himarë pritet të zhvillohen zgjedhjet e reja më 4 gusht. Më 10 qershor u zgjodh si eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.

1721043918_mitsotakisbeleri2.jpg

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:27
Beleri takim 'kokë më kokë' me Mitsotakis në Athinë, zbardhet biseda

Mediat greke kanë zbardhur dhe diskutimet mes tyre, ndërsa Mitostakis ka uruar Belerin për zgjedhjen si eurodeputet, ndërsa është shprehur se “shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu”.

“Kam shumë arsye, i dashur Fredis, të jem i lumtur t'ju mirëpres sot në Megaros Makimos. Së pari, më lejoni t'ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si eurodeputet grek tani, në Bruksel dhe Strasburg, me Demokracinë e Re. Jam i sigurt se do t'i përmbushni plotësisht detyrat tuaja. Më lejoni t'ju them se sa i lumtur jam që kësaj aventure duket se po i vjen fundi. Është e vetëkuptueshme, ju keni marrë licencën që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Nga ana e tij, eurodeputeti Beleri falenderoi kryeministrin grek për mbështetjen e dhënë.

“Kryeministër, dua t'ju falënderoj personalisht që më keni mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të nderoj besimin që më keni dhënë duke më futur në listën e eurodeputetëve për parlamentin europian. Mendoj se në Shqipëri nuk është i vetëkuptueshëm shteti ligjor, e drejta për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur. Unë dua t'i ndihmoj ata. Të ndihmojë pakicën kombëtare greke të qëndrojë në shtëpitë e stërgjyshërve, por edhe që ky shtet të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane”, tha Beleri.

"Kjo është ajo që duam edhe ne dhe ju duhet të dini - përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë - se qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke . " Ne gjithashtu kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që përparon në këto çështje , që i afrohet Evropës, por që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Ky, mendoj, është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë”, tha kryeministri grek.

Ora 13:43
Beleri në Athinë, takohet me kryeministrin Mitsotakis (VIDEO)

Pas mbërritjes në Athinë mesditën e sotme, Fredi Beleri është takuar me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Siç shihet edhe nga fotot e publikuar nga mediat greke, Beleri është pritur nga Mitsotakis në Pallatin Maksimos.

Takimi ka zgjatur rreth 40 minuta, ku është diskutuar mbi betimin në Parlamentin Europian, por edhe dënimit të Belerit në Shqipëri për korrupsion zgjedhor.

Ora 12:32
Beleri mbërrin në Athinë: Aventurës sime po i vjen fundi, jam i pafajshëm! Himarjotët kanë 'nënën' Greqi që i mbron

Fredi Beleri ka mbërritur në Athinë. Sapo ka zbritur nga aeroporti ai ka dhënë një prononcim për mediat duke thënë se është i pafajshëm.

Përballjen e tij me drejtësinë në Shqipëri, Fredi Beleri e shikon si gjyq të padrejtë, duke theksuar se aventura e tij po merr fund, ndërsa thekson se do vazhdojë betejën për liri.

Ndërsa një mesazh kishte edhe për himariotët, duke u shprehur se “ata kanë nënën Greqi” që i mbron.

“Jam i lumtur dhe i emocionuar. Jam krenar që po shkoj të marr detyrën si eurodeputet për të luftuar, për të mbrojtur të drejtat e vendit tonë. Falënderoj kryeministrin grek për besimin në zgjedhjen e tij, ai dëshmoi se është lideri i gjithë helenizmit dhe mbron të gjithë grekët kudo që janë. Gjithashtu, dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, të gjithë ata që më mbështetën, mediat që më qëndruan në momentin e parë pranë në këtë gjyq të padrejtë. Aventura ime po merr fund, por lufta për liri, shtet ligjor vazhdon. Dhe vetë shqiptarët thonë tani që jam i pafajshëm, nuk jam i vetmi që e mbështes” , tha konkretisht Fredi Beleris në deklaratat e tij të para nga Greqia.

Himarjotëve duhet t’u them se nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, herët a vonë do të shfajësohen”, tha ai për grekët e Shqipërisë.

Ora 09:22
Beleri flet nga Rinasi: Do ankimoj dënimin nga Apeli i Posaçëm, shkoj deri në Strasburg! Himarjotët e japin përgjigjen më 4 gusht

 

Fredi Beleri ka folur nga aeroporti i Rinasit, nga ku mbërriti për të fluturuar drejt Athinës e më pas në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet.

Në një prononcim për mediat, Beleri tha se vendimin për t’u dënuar me dy vite burg nga Apeli i Posaçëm do ta ankimojë dhe do ta ndjekë deri në Strasburg. Ndërkohë, s ai takon zgjedhjeve në Himarë, Beleri tha se himarjotët do ia japin përgjigjen qeverisë ditën e zgjedhjeve.

"Po iki drejt Athinës. Nesër do të jem në Strasburg. Dua të falënderoj Drejtorinë e Burgjeve për këtë vendim, ishte një vendim në zbatim të ligjeve. Nesër atje ka vendime dhe votime të rëndësishme. Besoj që sot e tutje do t’i kthehem normalitetit”, tha ai.

“Herët a vonë, dëshira e sovranit respektohet. Në 4 gusht himariotët do të japin një përgjigje dhe dëshira e tyre do të respektohet te rezultati i zgjedhjeve.”, pohoi Beleri.

Do e ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare, dhe po nuk gjeta të drejtën do shkoj edhe në Strasburg", tha Beleri.