Report Tv shkoi sot në lagjen '5 Maji' në Tiranë, pikërisht te shtëpia e Genc Gjinit e cila tashmë është një gërmadhë. Kanë mbetur vetëm rrënojat, pasi shtëpia e tij u shemb një ditë më parë. Ndërsa mbi rrënoja dhe dyshekun e nënës së tij Lizës, 78 vjeç që ka jetuar mbi 26 vite në këtë shtëpi e cila tanimë është shkatë rruar.

Teksa shkel mbi gërmadhat e banesës së tij, Genci tregon se mbrëmja e djeshme ka qenë më e trishta dhe e pashpresa.

“Kemi bërë atë që mundëm dje. Çfarë të të them unë, më keq se me t’u shemb shtëpia. Këtu kam krijuar familjen, këtu kam rritur fëmijët. Natë po them kam kaluar se s’kam fjet gjumë. Duhet të më kishte sjell një psikolog për fëmijët. Mua s’më ka pyet ai,asgjë nuk dua nga ai. Unë kam punë kush ndërton këtu.”- u shpreh Genc Gjini.

Banesa e tij ishte një objekt 2 katësh në proces legalizimi. Kujtimet e 26 viteve iu shembën para syve, dhe gjithçka ai ka tanimë në memorie, janë momentet e përplasjes me policinë.

Pamja që të shfaqet para syve, ngjan me një fushë-betejë pas lufte... Shembja e banesave në 5 Maji po bëhet në kuadër të procesit të zhvillimit të zonës, për banorët e së cilës, Bashkia e Tiranës ka premtuar kompensim në masën 100%.