Çdo javë, në kampionatin italian, më saktë në Serie A, përveç golave më të bukur, vlerësohene dhe pritjet më të bukura të bëra nga portierët. Në javën e fundit bie në sy prezenca e 2 portierëve të Kombëtares shqiptare, Strakosha e Berisha, përkrah legjendës së portës italiane, Buffon.

Në videon e mëposhtme janë pasqyruar ndërhyrjet më të spikatura të “gardianëve”. I pari që shfaqet është Etrit Berisha, i cili mbajti në lojë disa herë Atalanta-n që të dilte me pikë ndaj Crotone-s. Një goditje nga distanca e gjen “gardianin” kuqezi të vëmendshëm, i cili fluturon drejt trekëndëshit për të shpëtuar kuadratin.

Në radhë, shfaqet portieri tjetër kuqezi. Gjatë ndeshjes që Lazio u mund me Napolin, Strakosha bëri një sërë ndërhyrjesh të sakta, pavarësisht se nuk mjaftoi për të nxjerrë me pikë bardhekaltrit. Në garë, janë edhe Handanoviç i Inter-it, Buffon i Juventus-it dhe Nikolas i Verona-s.