50 vjet nga zbulimi i Amfiteatrit antik
promovim monumenteve të Durrësit

50 vjet nga zbulimi i Amfiteatrit antik<br />promovim monumenteve të Durrësit
Qyteti i Durrësit mund ta kthejë vitin 2016 në një periudhë të turizmit arkeologjik. 50-vjetori I zbulimit të Amfiteatrit antik përbën një mundësi shumë të mirë promovimi qytetar për monumentet arkeologjike në qytetin 3000-vjeçar. Durrësi duhet t’i rikthehet kujdesit për zbulimet e shumta që ndriçojnë historinë e tij dhe punimet që kanë nisur në amfiteatër janë një shkak shumë i mirë.

Festa e parë pritet të organizohet më 18 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve.

Pak ditë më parë përfundoi prishja e dy banesave të ndërtuara mbi arenën e amfiteatrit dhe banorët e tyre u kompensuan financiarisht nga shteti. E njejta proçedurë pritet të zbatohet edhe gjatë këtij viti për pesë banesa të tjera, prishja e të cilave do të mundësojë fillimin e gërmimit arkeologjik për hapjen e plotë të monumentit.

Pas 15 vjet burokracish, duket se ka arritur momenti I zbulimit përfundimtar të Amfiteatrit. E po ashtu edhe moment i rizgjimit të qytetit për vlerat e tij historike.

1966, zbulohet mrekullia e panjohur

Në prill të vitit 1966, kur filloi ekspedita për zbulimin e monumentit më të madh antik të vendit tonë askush nuk e dinte saktësisht se çfarë rrënojash ndodheshin  nën themelet e 33 shtëpive që u rrafshuan, thuajse ngjitur me Xhaminë e madhe të qytetit të Durrësit.
 
E vetmja e dhënë e shkruar vinte nga historiografi Marin Barleti, i cili në shek. 16-të shkruante se në Durrës “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme…”.
 
Arkeologu I mirënjohur Vangjel Toçi dhe ekipi i Muzeut Arkeologjik që ai drejtonte, jo vetëm që besonin fort në mrekullinë që fshihej ngjitur me muret mesjetare të qytetit, por kishin grumbulluar të dhëna të mjaftueshme edhe nga banorët e lagjes së vjetër.
 
50 vjet më parë do të niste zbulimi i monumentit më të rëndësishëm të lashtësisë në vendin tonë, dhe që ka përmasa mesatare, mes 30 amfiteatrove të zbuluara nga Roma deri në Lion dhe Budapest. Brenda katër vjetësh në qendër të qytetit antik u përvijuan shkallaret dhe galeritë nga ku nisnin shfaqjet 20 shekuj më parë.
 
Bota shkencore i ktheu sytë nga Durrësi, duke konfirmuar shënimet e udhëtarëve, studiuesve, gjeografëve, historianëve dhe poetëve antikë. Ciceroni e quan Durrësin “qytet shumë të mirë për të jetuar”; Jul Çezari mbërrin në portat e qytetit, pa e pushtuar dot atë; Aristoteli shkruan për Durrësin një nga 158 Kushtetutat e formuluara gjatë jetës së tij.
 
Për katër vjet radhazi në ekspeditat verore, ku morrën pjesë dhjetra specialiste e punëtorë, amfiteatri u zbulua në pjesën kryesore të tij, kryesisht në shkallaret dhe galeritë e krahur perëndimor dhe verior. Në vitin 1973 shteti e shpalli amfiteatrin “Monument kulture”.
 
Ditët e zbulimit
 
“Objektet e para që zbuluam në galeritë e amfiteatrit të Durrësit ishin rreth 100 kandile, të cilat duket se shërbenin për ndriçimin e arenës gjatë shfaqjeve. Që nga ajo ditë kanë kaluar plot vite por mua më duket se gjithcka ka ndodhur dje”. Specialisti Ilia Toci kujtonte me hollësi sondazhet dhe punimet që udhëhoqi I vëllai I tij, Vangjel Toçi, i cili njihet si zbuluesi i dhjetra monumenteve arkeologjike të qytetit 2.700-vjecar.
 
“Punimet nisën në prill të vitit 1966. Por, në atë kohë për monumentin e mrekullueshëm nuk dihej thuajse asgjë. Një lagje shekullore ishte ndërtuar mbi amfiteatër”. Deri në atë kohë nuk kishte thuajse asnjë të dhënë për ekzistencën e monumentit, të ndërtuar 1900 vjet më parë, në kohën e perandorit Trajan.
 
Për zbulimin e plotë të amfiteatrit antik janë prishur 33 shtëpi, ku banonin 50 familje të vjetra durrsake si, Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi, etj. Ekspeditat intensive për hapjen e amfiteatrit kanë vazhduar nga viti 1966 deri në vitin 1970, e megjithatë monumenti më i bukur i botës antike nuk u zbulua dot plotësisht. Për gati pesë dekada në hapësirën më të njohur arkeologjike të vendin tonë nuk ka ndodhur asgjë me rëndësi.
 
Para disa muajsh, Ministria e Kulturës akordoi një fond prej 46 milione leke për shpronësimin e familjeve që banojnë në tre godinat mbi arenën e monumentit të lashtë. Sipas MK, në fazën e dytë të shpronësimeve do të prishen 5 banesa të tjera që ndodhen mbi shkallaret lindore, në rrugicën pranë bulevardit “Epidamn”. Zbatimi I këtij projekti mund të shndërrojë në realitet të gjitha përpjekjet e dështuara të këtij fillimshekulli.
 
Skedë teknike
 
– Amfiteatri i lashtë ndodhet në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor. Ndërtimi i saj fillon në rrafshin e arenës në kuotën 5.50 metra mbi nivelin e detit. Dy të tretat e tij mbështeten në kodër.
 
-Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. 1pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.
 
-Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.
 
-Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.
 
-Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.
 
-Në fund të viteve ’90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës nga dherat. Arkeologët italianë të Universitetit “La Sapienza” të Romës dhe të Universitetit të Chieti – Pescarës, me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara.
 
-Nga të dhënat e deritanishme mendohet se amfiteatri mirëpriste mbi 15 mijë spektatorë njëherësh.
 
-Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove te zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.
 
-Dhjetra artikuj shkencorë janë shkruar për amfiteatrin e qytetit me kulturë 3000-vjeçare. “Amfiteatri i Durrësit dhe raportet urbanistike me qytetin bashkëkohës” titullohet libri i doc. Koço Miho, kushtuar kësaj vepre madhore të arkitekturës, ndërsa në veprën studimore “Dyrrachium” të arkeologëve italianë dhe shqiptarë vëllimi i parë i kushtohet amfiteatrit antik.
 
-Në shtator të vitit 2004 amfiteatri u shfrytëzua për herë të parë pas 1500 vjetësh. Nën kujdesin e Bashkisë së Durrësit në arenën e  këtij monumenti të lashtë 43 vajza nga e gjithë bota morrën pjesë në konkursin e bukurisë “Miss Globe International 2004”.
 
-Vitet e fundit në mjediset e tij është organizuar Festivali ndërkombëtar i filmit, i njohur nga çmimet “Gladiatori i artë”, si dhe një sërë koncertesh vokalo-instrumentale.
 
-Para dy vjetësh mjediset e amfiteatrit janë ndriçuar, duke i dhënë një pamje të hijshme galerive dhe shkallareve. /ATSH/

Redaksia Online
(b.h/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid