Në total, në sektorin e ndërtimit rezultojnë të punësuar 64,572 punonjës, duke reflektuar një përqendrim të madh të pagave në fashat e ulëta dhe të mesme, sipas dokumentit “Plani i menaxhimit të riskut për sektorin e ndërtimit (informaliteti dhe pagat referencë)”, të publikuar nga administrata tatimore

Rreth një e katërta e punonjësve në sektor, ose afërsisht 25% e totalit, përfitojnë paga që përfshihen në fashën 40,001 – 50,000 lekë në muaj, duke e bërë këtë fashë atë me përqindjen më të lartë të punonjësve.

Një pjesë e konsiderueshme e punonjësve paguhen gjithashtu në fashat 50,001 – 70,000 lekë, ku përfshihen rreth 22% e totalit, si dhe në fashën 40,000 lekë, me rreth 18% të punonjësve.

Ndërkohë, 12% e punonjësve rezultojnë të paguhen me paga deri në 39,999 lekë, po aq sa edhe ata që marrin paga në fashën 70,001 – 100,000 lekë.

Përqindja e punonjësve me paga më të larta është dukshëm më e ulët. Vetëm 3% e tyre përfitojnë paga nga 100,001 deri në 120,000 lekë, ndërsa 7% marrin paga mbi 120,000 lekë në muaj.

Në dokument administrata tatimore thekson se sektori i ndërtimit mbetet një nga prioritetet e institucionit për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore dhe në tregun e punës.

Vendosja e pagave referuese dhe përdorimi i analizës së thelluar të riskut për identifikimin e rasteve të nën-deklarimit përbëjnë një instrument të rëndësishëm në formalizimin e sektorit dhe forcimin e administrimit tatimor.

Ndërtimi dominohet nga ndërtesat rezidenciale, të përqendruara 27% e kompanive

Ndër të tjera, dokumenti i administratës tatimore evidenton se, në total, në vend janë 8,784 tatimpagues aktivë në sektorin e ndërtimit. Rreth 4,123 subjekte, ose 47% e tyre, ushtrojnë aktivitet në Tiranë. 14% e firmave të ndërtimit operojnë në Durrës, ndërsa 6% në Vlorë dhe 6% në Fier.

Sa i përket ndarjes sipas llojit të aktivitetit, 27% e totalit të subjekteve të ndërtimit ushtrojnë aktivitet në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jorezidenciale. Ndërkohë, ndërtimi i hekurudhave mbi dhe nën tokë përfaqëson aktivitetin me përqindjen më të ulët të tatimpaguesve, me rreth 0.1% të totalit të tatimpaguesve të gjithë sektorit.

Në sektorin e ndërtimit rezultojnë të punësuar gjithsej 64,572 punonjës, nga të cilët rreth 40% janë të angazhuar në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jorezidenciale./Monitor