Detyrimet e papaguara për pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë vitit 2025 arritën në 263 milionë euro, ose afro 19 milionë euro më shumë se 2024, sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Paralelisht, të ardhurat e grumbulluara nga këto kontribute pësuan po ashtu një rritje të fortë, duke kapur një total prej afro 1.78 mld euro, ose afro 170 milionë euro më shumë se sa viti i shkuar.
Shifrat tregojnë dy anë të së njëjtës medalje. Bizneset që vijojnë të përpiqen për të punësuar në të zezë apo të mos kryejnë pagesat, dhe nga ana tjetër, si rezultat i aksioneve antiformalitet, një rritje e numrit të kontribuuesve por dhe formalizimi i pagave, është përkthyer në më shumë kontributeve të derdhura.
Sipas Tatimeve, detyrimet e papaguara të cilat rezultuan më të larta, lidhen dhe me ndërmarrjen e masave më të forta, penalitetet e kamatëvonesat mbi to, të cilat po ashtu llogariten në totalin e këtyre detyrimeve. Në shumë raste kompanitë, kur bëhet fjalë për vlera të larta, preferojnë ta çojnë çështjen në gjykatë, duke zgjatur kohën e shlyerjes së detyrimeve. Nga ana tjetër, po sipas tatimeve ka dhe raste, kur për shkak të gjobave, kompanitë deklarojnë pamundësi pagesash, duke rritur kështu volumin e detyrimeve të papaguara.
Afati ligjor për të kryer pagesat është brenda datës 20 të muajit ose pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik, jo më vonë se datat: 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor, 20 Janar.
Mungesa e sigurimeve përveçse i privon qytetarët nga shërbimet shëndetësore falas, nga ana tjetër ka ndikim direkt negativ edhe në vlerën e pensionit. Për të përfituar pension duhet të kesh minimalisht 15 vite pune të siguruara, ndërsa për ta përfituar atë të plotë duhet të kesh 39 vite punë. Vitet e sigurimit do të rriten gradualisht deri në 40 vite punë brenda 2029-ës.
Por për shkak të mungesës së pagesës së sigurimeve, ulen automatikisht vitet e punës, ndaj edhe sot mbi 50% e pensionistëve marrin pagesë të pjesshme. Për të frenuar këtë fenomen administrata tatimore ka nisur aksion kundër informalitetit në disa sektorë të ekonomisë, nga turizmi, ndërtimi, e së fundmi shërbimet spitalore, ku janë caktuar edhe pagat dysheme.
Komente











