Berati po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, qytetin muze e kanë vizituar rreth 550 mijë persona, duke e renditur mes destinacioneve më të preferuara turistike në vend.

Lajmin e bëri të ditur Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, duke konfirmuar tha se rreth 85% e fluksit turistik përbëhet nga vizitorë të huaj.

“Rreth 550 mijë vizitorë e kanë vizituar Beratin brenda pesë muajve të parë të vitit 2026, nga të cilët rreth 85% e të gjithë fluksit turistik janë të huaj. Një tjetër konfirmim se Berati është zgjedhja e preferuar e turistëve ndërkombëtarë”, u shpreh ministri Ervin Demo.

Vizitorët po frekuentojnë çdo ditë pikat më të njohura të zonës, nga Kalaja e Beratit dhe lagjet muzeale Mangalem e Goricë, te kantinat e verës, agroturizmet dhe aktivitetet në natyrë si rafting në kanionet e Osumit apo ecjet në Qafë-Dardhë dhe malin e Tomorit.

Sipas Demo, trashëgimia kulturore, natyra, gastronomia dhe mikpritja karakteristike e qytetit po e bëjnë Beratin një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit, ndërsa aktivitetet kulturore dhe atmosfera në lagjet historike po shtojnë interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj.