Bashkia e Shkodrës kishte kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvendosjen e tre qendrave të votimit me argumentin se nuk sigurohet infrastruktura e nevojshme. KQZ-ja ka refuzuar dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në njësive Shosh, Pult dhe Shalë drejt njësisë së Grudës. Madje, KQZ kërkoi që OSHEE të marrë masa për sigurimin e energjisë elektrike në këto zona të thella malore.
Në përgjigje të KQZ-së, drejtuesi i OSHEE për rajonin e Shkodrës, Armand Zhuka tha se ish-godinat arsimore janë plotësisht të amortizuara, pa rrjet elektrik, kësisoj gjeneratorët janë e vetmja mundësi.
"OSHEE nuk ka pasur pengesa. Stafi është në gatishmëri dhe janë marrë masat për të dërguar energji por ku do dërgohet pasi godinat nuk janë të përshtatshme? Gjithsesi, garantoj se energjia do të dërgohet në këto zona. Energjia do të dërgohet me gjenerator në këto njësi dhe procesi nga OSHEE nuk do të pengohet", tha Zhuka.
Procesi zgjedhor në këto zona të thella pritet të hasë në vështirësi jo vetëm prej ambienteve të papërshtatshme por dhe dëborës në rrugë ç'ka mund të krijojë probleme për transportimin e kutive të votimit drejt KZAZ-së. Në këto njësive vendore janë të regjistruar 1864 votues.
TABELA
SHALË 801 VOTUES
SHOSH 316 VOTUES
PULT 747 VOTUES