Sipas prokurorisë, janë krijuar dyshime të arsyeshme se organizatorë të këtij grupi kriminal janë dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko.
Kjo akuzë vjen kur ka kaluar një vit nga super-aksioni i Policisë së Shtetit për çrrënjosjen e lëndës narkotike në këtë fshat, e mbjellë thuajse në shtëpitë e çdo banori të fshatit Lazarat në Gjirokastër. Deri para këtij operacioni njohur si "republika e kanabisit", Lazarati po përpiqet t’i rikthehet sërish këtij etiketimi.
Mesnatën e të mërkurës të shtënat që vinin nga qendra e fshatit nga një grup të armatosurish bënë që në Lazarat të zbarojnë forcat RENEA. Në një kurth të këtij grupi kriminal humbi jetën speciali Ibrahim Basha sot dëshmor i Atdheut, i cili u qëllua befasisht ndërsa drejtohej me furgonin e pablinduar të policisë në një aksion për të neutralizuar Xhulio Malon, i cili ndodhej në një makinë me arsenal armësh. Efektivi nuk mund të çojë deri në fund misionin e tij pasi u qëllua me snajper duke humbur jetën nga një plumb në kokë ndërsa dy kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj që ndodheshin në makinë me të u plagosën lehtë.
Xhulio Malo dhe Sinan Rabaj një tjetër i ri nga Lazarati janë të vetmit që qëndrojnë në qelinë e paraburgimit në Komisariatin e Gjirokastrës, ndërsa policia vijon aksionin në terren për të kapur pjesëtarët e grupit të armatosur. Për vrasjen e specialit të RENEA-s dhe sulmin ndaj uniformave blu, Krimet e Rënda kanë nisur procedimin penal nr 176 me 4 akuza që rëndojnë mbi Xhuliano Malon 17-vjeçarin e arrestuar dhe ndaj 2 vëllezërve Aliko ende në kërkim.
Të rinjtë akuzohen për vrasjen e punonjësve të policisë kryer në bashkëpunim, vrasje e mbetur në tentativë, prodhim dhe armëmbajtje pa leje si dhe prodhim e shitje narkotikësh. A1Report ka mundur të mësoj se Xhuliano Malo mesditën e të shtunës do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij.
Deri më tani nga kontrollet në të gjithë fshatin, shumë persona janë shoqëruar e disa të tjerë janë lënë të lirë pas verifikimeve të kryera. Policia ka bërë vazhdimisht thirrje për dorëzimin e grupit të armatosur, e po ashtu ka përsëritur qëndrimin se është e vendosur të kapë secilin prej tyre, deri në asgjësim!
Dita e trete e aksionit
Sot hyjmë në ditën e tretë që Policia e Shtetit mban të rrethuar Lazaratin pas vrasjes së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e dy të tjerëve. Policia ende vazhdon kërkimin e dy vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko, të cilët janë dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Ibrahim Bashës. Deri tani policia ka arrestuar 2 persona, Xhulio Malo dhe Sinan Rabaj.
Policia ka bërë kontrolle në shumë shtëpi në Lazarat, por ende nuk ka arrestuar disa nga personat e shpallur në kërkim. Policia ka bërë dhe shoqërimin e shumë personave të tjerë të cilët i ka marrë në pyetje.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Ardi Bita duke folur për “Associated Press” thotë se është ekzagjeruar në lidhjen e bërë mes të kërkuarve dhe ISIS. “Për momentin nuk ka asnjë të dhënë me atë që po ndodh në Lazarat me Shtetin Islamik”, shprehet Bita.
Ora 20:10 Policia shtrin kontrollet edhe në Gjirokastër, rrethon 2 zona
Forcat speciale RENEA dhe efektivë të tjerë të policisë së shtetit kanë shtrirë kërkimet e tyre edhe në Gjirokastër për autorët e grupit të zjarrit në Lazarat të cilët qëlluan për vdekje efektivin Ibrahim Basha.
Forcat speciale kanë rrethuar dy zona në lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër e në një lagje periferike pranë Lazaratit, ku policia ka amrrë informata se kanë lëvizur persona të armatosur.
Ora 17:07 Gjenden municione të tjera në depozitën e ujit të një banesë të braktisur
Në vijim të kontrolleve të imtësishëm në Lazarat, policia ka zbuluar edhe një sasi të tjerash municionesh në një banesë në pronësi të Edmond Bocit, e cila ka qenë e pabanuar.
Ndërsa janë krijuar dyshimet e para se kjo banesë mund të ishte përdorur si bazë nga personat që qëlluan mbi policinë, bëhet e ditur se disa municionet e gjetura janë të të njëjtit kalibër me të cilin u vra Ibrahim Basha.
Gjithashtu mësohet se në këtë banesë janë gjetur edhe disa armë zjarri.
Ora 10:45 Snajperi i përdorur nga grupi i zjarrit
Arma që qëlloi mbi efektivin e RENEA-s në mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat është snajper model rus draganov i kalibrit 7.5 mm. Është ky përfundimi i arritur nga grupi hetimor i cili në vendngjarje ka mbledhur provat material mes tyre dhe gëzhojat e kësaj arme e cila rezulton se ka qëlluar më shumë se njëherë.
Snajperi model draganov është një armë prodhim rus dhe hetuesit dyshojnë se kjo armë përdoret nga vëllezërit Arbjon e Alban Aliko, të cilët rezultojnë ende në kërkim.
Një prej plumbave të këtij snajperi i mori jetën Ibrahim Bashës, ndërsa në këtë pamje që shihni me rreth të kuq është vrima e krijuar në auto-blindin e RENEA-s i cili pas të shtënave me armë ka dalë në krah të furgonit volsvagen për të mbrojtur efektivët e tjerë.
FOTO- Snajperi i ngjashëm me atë që u përdor nga grupi i zjarrit
Të shtënat me snajperin model Draganov kanë ardhur nga kjo vrimë e hapur në murin rrethues të banesës në hyrje të fshatit Lazarat, ku sipas hetuesve vëllezërit Aliko kishin parapërgatitur një kurth për policinë e cila sapo është futur në fshat ka rënë në breshërinë e armëve të zjarrit.