6 tingëllima të Bodlerit

6 tingëllima të Bodlerit
 Para 7 vjetësh, një gazetare e re botoi në faqet kulturore të gazetës së saj, plot entusiazëm, pesë poezi të Boderit të përkthyera nga unë. Në letërkëmbinim e shkurtër më ra në sy etja e saj për kulturë dhe dëshira e sinqertë, që “e keqja” në atdhe mund të luftohet me art dhe letërsi të cilësisë së parë.

Poezitë e Sharlit janë edhe më lart se cilësia e parë. Mbeten të thella e të jashtëzakonshme edhe pas 15 dhjetvjeçarësh. Tek to, sa herë ju rikthehesh, gjen ndjesi të holla e vlera mendimi, të cilat nuk ke mundur t’i rrokësh më parë. Po përcjell këtu, përpjekjet e mia në 6 tingëllima të poetit më të madh francez të dy qindvjeçarëve të shkuar. Të gjitha i përkasin kryeveprës së tij “Lulet e së Keqes”.

Edhe pse vargu aleksandrin i tyre, në pamje të parë, të krijon përshtypjen se do krijojë një strukturë disi të ngurtë, për të përcjellë mendime ‘të ndërlikuara apo përkulje të befta të ideve, tek origjinali i poezive të mëposhtme, gjen gjithshka filozofike dhe të bukur. Vetëm Apolloni(duke përsëritur Bodlerin) mund të krijojë botë të mistershme e tronditëse në vetëm 14 vargje. Shpresoj të pëlqehet përpjekja ime për t’i shqipëruar. Nëse po, i kushtohet asaj gazetareje të re, të ciën nuk e njoh nëse është imcake apo “gjigande”, por vetëm di që shpreson shumë tek kultura.

TRISHTIMI I HENES
 Sonte, hëna po shtriqet më me përtesë,
Si një bukuroshe, në të butat shtroje,
Me dorë përkëdhel sisët plot kujdes,
Përpara se gjumi trupin t'i kaplojë.
 
Mbi shpinën mëndafsh të reve puplore
E kotur le veten  gjatë të dremisë,
Me sy gjysëmbyllur ndjek shukat ajrore,
Si lule të bardha i ngjiten kaltërsisë.
 
Rrallëherë kur ndodh mes shtriqjes së ngeshme,
Përmbi tokë një lot i shpëton në heshtje,
Ai që e urren gjumin, poeti i devotë,
 
E mer mes pëllëmbësh  atë lot të çmuar,
Si një margaritar, plot xhixha ndriçuar,
Thellë në gji e mban, fshehur nga kjo botë.
 
 GJIGANDJA
 Në kohët, kur Natyra me shpirt lodronjës
Cdo ditë nxirrte nga një pjellë stërmadhe,
Si shtriqet kotelja në prehrin e zonjës,
Do rrija në këmbët e një femre gjigande.
 
Do shihja shp[rthimin e shpirtit dhe trupit,
Dhe sa në t[ epshit lodra ishte e zhdërvjellë,
Do sodisja dritën e njomzuar të syrit,
Që dridhjet e zemrës së saj patën ndjellë.
 
Do lodroja brigjeve të kurmit të lartë,
Do hipja në prehrin e saj të pamatë,
Dhe në korrik. nën diellin e përvëluar,
 
Kur plot përtesë të shtrihej ndanë zallit,
Do flija hijes së gjinjve i patrazuar,
Si një katund i qetë në rrëzë të malit.
 
 SPLEEN
 Acari acaruar me qytet’n e tërë,
Zbrazi me gëzim gjithë ciknën e hidhur,
Një vdekje të brymët mbi fushën e gjërë,
Mbi zhulsit që flenë në varrezën ngjitur.
 
Mbi pllaka i gjori maç rreket të kotet,
Por ethshëm i dridhen eshtrat nën lëkurë,
Streh[ve shpirti i poetit nuk rreshtën lotët,
Me zënë e trishtë të një hije të sëmurë.
 
Dëgjohet këmbana; në çastin e duhur,
Shkurdisur lavjerrsi ndjek ritmin e humbur,
Ndërkohë mes letrave plot me pika lyre
 
Të lëna kujtim nga një vejushë në zi,
Kuqka Damë Karro dhe shiku Fand Spathi,
Rrëfejnë si humbën dashuritë e tyre.
 
 NGA THELLESI TE ERRETA

 Nga thellësi të errta, ku zemra ka rënë,
Mëshir' të kërkon ty, të vetmes të dashur,
Nën një qiell plumbi në Universin e zvargur,
Mëkati, terrori gëlojnë plot gjëmë.
 
Një diell i zbehtë endet gjashtë muaj
Dhe gjashtë të tjerë veçse vetmi dhe terr,
Si vendesh polare ku gjithshka është djerr,
S’ka bar as burime, s’ka lule as kuaj.
 
Nuk ka më të rëndë, që si makth të pështjell,
Se fshikja mizore e të akulltit diell
Dhe kjo natë pafund si në Lëmshin e Vjetër;
 
Le të isha më mir' një gjallesë tjetër,
Nga ato që e çojnë gjithë jetën në gjum',
Pa e ndjerë kohën, që rrjedh, shkon e humb!
 
 IDEALJA
 Kurrë s'do më ndjellin, peritë modele,
Stisje e përkryer e zuzarit shekull,
Mbi taka të larta, tunden gjithë dhele,
Fytyrën p[rlyer, nxirë flokë e vetull.
 
Do ja le Gavarnit* fluturat krahlehta,
Që aq bukur di t'i qëndisë në kartë,
Se më kot kërkova mes gonxhesh të zbehta
Karafil'n e bukur në të kuq të zjarrtë.
 
Ajo që bën zemrën të m’rrahë me rrëmbim,
Je ti Ledi Makbeth, e akullt në çdo krim,
Dhe Makthi i Eskilit në kohë tragjedish,
 
Je ti, e Buonarrotit, magjikja Natë,
Që n'atë përkulje mbart hirin e pamatë,
Me ndriçim hukatur nga buzë Perëndish!
 
 * Pol Gavarni 1804-1866, karikaturist dhe ilustrues francez, bashkekohes i Bodlerit, i mirenjohur per vizatime te lirshme te figurave femerore.

 
 Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar