Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme dërgimin e 6 ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak. 

Misioni i ushtarakëve është trajnimi i personelit të Kolegjit të Shtabit të Forcave të Armatosura në Bagdad, Irak, dhënia e kontributit në trajnimin e personelit në fushën e procesit të planëzimit operacional, procesin e vendimmarrjes ushtarake, trajnimin për sigurinë kibernetike, si dhe edukimin për dhënien e ndihmës së parë.

Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 2 (dy) vjet. Periudha e qëndrimit në mision do të jetë 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për dorëzimin e detyrës dhe vonesat për transportin strategjik.

"Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për: a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore; b) sigurimin e jetës; c) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; ç) mbështetje shëndetësore; d) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
dh) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; e) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit. 5. Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Irak, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime. 6. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes", thuhet në vendim