TIRANË- Në 6-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta e ka kujtuar me një moment nga fjalimi i tij, teksa nuk ka nguruar që përçojë edhe mesazhe aktuale.

"Të kthejmë shpresën për rininë dhe për të gjithë shqiptarët", është mesazhi i kreut të shtetit, pasi sipas tij "koha nuk pret". 

"Në 6-vjetorin e vizitës së Tij në Shqipëri, të mos harrojmë porositë e mençuara të Papa Françeskut: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Kam parë kaq shumë të rinj, ndaj ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik”.

Të bëjmë gjithçka që shqiponjat të qëndrojnë e të kthehen në folenë e tyre, dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve, si një vend plotësisht demokratik, i respektuar dhe me dinjitet në Europë. “Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ‘Ku ka rini, ka shpresë”, – tha Papa Françesku në Tiranë.

Koha nuk pret më!

Të kthejmë shpresën për rininë dhe për të gjithë shqiptarët", shkruan Meta.