Ilir Meta i është rikthyer akuzave të forta ndaj SPAK për prova të sajuara, madje flet edhe për një komplot ndërkombëtar ndaj tij. Ish presidenti rikujton luftën që sipas tij i është bërë nga Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ndërsa ka akuzuar edhe 5 ambasadorë që sipas tij e kanë kërcënuar gjatë kohës kur ishte President i Republikës, lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, deklaroi Meta.
"Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, tha Meta.
Edhe në këtë seancë të radhës në GJKKO, u vu re e njëjta strategji e ish çiftit të bashkëshortëve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, për t’ia kaluar të gjithë përgjegjësinë kësaj të fundit, sidomos për çështjen e lobimit në SHBA.
Meta deklaroi se është i gatshëm të udhëtojë me shpenzimet e tij drejt SHBA dhe të përballet me drejtësinë amerikane, nëse provohet qoftë edhe një shkelje e vetme. Ai pretendoi se veprimet në këtë çështje janë kryer përmes Monika Kryemadhit dhe se kontrata është e detajuar e plotësisht e verifikueshme.
Së njëjtës linjë i qëndroi edhe Kryemadhi, e cila për mediat deklaroi se kishte negociuar vetë me kompaninë amerikane GSIS dhe se Meta nuk kishte dijeni për veprimet e tyre.
“Unë iki që sot me shpenzimet e mia në SHBA, nëse ata kanë gjë me mua. Në SHBA edhe Maduron e arrestuan me mandat arresti. Ka të bëjë seriozisht me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Çdo veprim e kam bërë përmes zonjës (Monika Kryemadhit). Kontrata është aq e specifikuar, çdo gjë është e verifikueshme”, tha Meta.
Kryemadhi tha se kontrata ishte negociuar prej saj në cilësinë e sekretares organizative të LSI-së dhe tregoi se kush e firmosi marrëveshjen dhe kush pagoi tri faturat e partisë.
“Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me këtë kompani janë bërë prej meje. Ndërkohë, pagesat e tri faturave të LSI-së janë bërë nga sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, Ilir Meta, për hir të së vërtetës, ka zero komunikim dhe zero dijeni se çfarë kemi bërë ne”, tha Kryemadhi jashtë senacës.
Vetë Kryemadhi ka përfunduar kundërshtimet e saj për episodin e fundit të lobimit, duke kundërshtuar lidhjen që SPAK i bën pagesave të kompanisë Unifi ndaj kompanisë amerikane GSIS me aktivitetin e LSI. Kryemadhi ka kërkuar që përmes letërporosive të merret informacion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për deklarimet e GSIS në regjistrin FARA, si dhe që Bank of America të paraqesë faturat origjinale që pretendohet se janë paguar nga kompania Unifi. Po ashtu, kërkoi të dëshmojë edhe përfaqësuesi i GSIS-it, Dennis Burke, duke thënë se kontrata lidhej me përpjekjet për të arritur konsensus për reformën në drejtësi.
“Kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së kanë numra katërshifrorë”, tha Kryemadhi.
Edhe Ilir Meta kërkon provat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai depozitoi përmes avokatit të tij Bujar Musta një sërë kërkesash procedurale, duke kundërshtuar komunikimet telefonike dhe mesazhet që SPAK ka përdorur në funksion të akuzave, duke vënë në pikëpyetje autorësinë dhe autenticitetin e tyre.
Gjithashtu ish presidenti kërkoi verifikimin e këtyre komunikimeve dhe shqyrtimin e ligjshmërisë së mënyrës se si janë siguruar e administruar në dosje.
Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor ku pritet qe SPAK të bëjë kundërshtimet ne lidhje me kërkesat e të pandehurve, dhe më pas do të jetë gjykata ajo që do të vendos.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Monika Kryemadhi tha se ishte ajo që negocioi kontratën e lobimit të LSI-së me kompaninë amerikane GSIS dhe se Ilir Meta nuk kishte dijeni për veprimet e kryera.
Pas seancës në Gjykatën e Posaçme, ku paraqiti kundërshtimet ndaj provave të SPAK-ut, ish-deputetja deklaroi se kontratën e firmosi Petrit Vasili, ndërsa tri faturat e LSI-së i pagoi Luan Rama si sekretar i përgjithshëm i partisë.
Ajo kundërshtoi pretendimin e prokurorisë se pagesat e kompanisë Unifi ndaj GSIS-it ishin bërë për llogari të LSI-së dhe kërkoi që Bank of America të dorëzonte faturat përkatëse.
Pyetje: Na thoni çfarë pretenduat sot për episodin e fundit të lobimit?
Sot, për episodin e fundit të lobimit, unë pretendova se prokuroria hamendëson që faturat që kompania Unifi i ka paguar kompanisë së lobimit GSIS janë paguar për llogari të LSI-së. Por, kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it.
Çfarë do të thotë kjo? E shpjegova edhe në sallën e gjyqit. Nëse unë dhe Fation Gjini paguajmë të dy energjinë elektrike te OSHEE-ja, kjo nuk do të thotë që Fationi e ka paguar energjinë për mua. Fationi ka faturën e vet, Monika ka faturën e vet. Fation Gjini mund ta paguajë edhe energjinë për mua, por atëherë thotë: “Unë po paguaj 2.000 apo 3.000 lekë për energjinë elektrike të Monika Kryemadhit.” Ndërkohë, fatura së cilës i referohet SPAK-u nuk ka asnjë të dhënë që e lidh me LSI-në. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së kanë numra katërshifrorë.
Pyetje: Cilët dëshmitarë kërkuat të thirren?
Së pari, kemi kërkuar që, me letërporosi, t’i kërkohet informacion Departamentit Amerikan të Drejtësisë për deklarimet që GSIS ka bërë në regjistrin zyrtar të FARA-s. Pra, kush është personi që i ka bërë këto deklarime?
Së dyti, kërkojmë që Bank of America të sjellë faturat që pretendohet se janë paguar nga kompania Unifi. Nuk mund të sjellësh thjesht një pasqyrë bankare, sepse në pasqyrën bankare të GSIS-it figuron edhe Parlamenti meksikan. Kjo s’do të thotë që Parlamenti meksikan ka paguar GSIS-in për llogari të LSI-së. Me çfarë cilësie dhe me çfarë të dhënash i ka lëshuar GSIS-i këto fatura? Për shpenzimet administrative mbi 1.000 dollarë, kontrata parashikonte që ato të miratoheshin nga LSI-ja. GSIS-i duhet të paraqesë autorizimin e dhënë nga LSI-ja.
Kemi kërkuar të thirret si dëshmitar edhe Dennis Burke, përfaqësuesi i GSIS-it që erdhi në Shqipëri për reformën në drejtësi. Nëse e mbani mend, ishte periudha e nenit 88, për të cilin nuk po arrihej dakordësia me Partinë Demokratike. Ai është takuar me ambasadorin amerikan të asaj kohe, Donald Lu, me Fatmir Xhafajn, që drejtonte komisionin e reformës në drejtësi, si dhe me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Ai duhet të vijë të tregojë për çfarë ishin këto takime, sepse kontrata e lobimit për të cilën flasim kishte të bënte vetëm me reformën në drejtësi në atë kohë.
Kërkojmë gjithashtu të pyetet presidenti aktual i GSIS-it nëse ka dijeni për veprimet financiare që ka firmosur dhe për deklarimet që ka bërë në përgjigje të letërporosisë.
Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta deklaroi në gjykatë se, nëse ka bërë ndonjë shkelje në këtë pikë, e ka bërë përmes jush. Ai ju përmendi në lidhje me rolin tuaj në strukturat e LSI-së. Keni një koment?
Ai më përmendi në aspektin politik dhe organizativ. Unë isha sekretare organizative. Në kontratën së cilës i referohet organi i akuzës nuk ka asnjë firmë të Ilir Metës dhe, për këtë kontratë, nuk ka asnjë komunikim të tij me GSIS-in. Ilir Meta ka vetëm dy komunikime me ta. Njëri lidhet me ardhjen e ish-prokurorit Dennis Burke, përfaqësues i GSIS-it, në qershor të vitit 2016 për reformën në drejtësi. Tjetri lidhet me një takim që mund të jetë zhvilluar në shkurt të po atij viti.
Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me kompaninë i kam bërë unë, ndërsa tri faturat e LSI-së i ka paguar sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, për hir të së vërtetës, Ilir Meta nuk ka pasur komunikim për kontratën dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë kemi bërë ne.
Nëse kthehemi pas në kohë, Partia Demokratike nuk kishte komunikim me ambasadën amerikane. Ambasada amerikane dhe zoti Lulzim Basha nuk komunikonin. Ne na duhej një ndërmjetësues mes ambasadës amerikane dhe Partisë Demokratike për të arritur një votim me konsensus të reformës në drejtësi.
Ilir Meta ka zhvilluar një takim në janar të vitit 2016 me ambasadorin William Brownfield, zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i kërkoi që reforma në drejtësi të votohej me konsensus. Në atë kohë, nëse e mbani mend, Rama nisi negociatat për blerjen e nëntë deputetëve të Partisë Demokratike, që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin me vota të blera. Kjo u kundërshtua si nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, zoti Meta, ashtu edhe nga ambasadori Brownfield.
Pyetje: Kur po shpjegonit çështjen e përgjigjeve nga SHBA-ja, thatë, po ju citoj, “Ndërkohë, burri i botës ishte në burg”. E kishit fjalën për Metën?
Po, patjetër. Nëse hetimi për lobimin dhe për gjithë dosjen vazhdonte ende, si mund të çohej çështja për gjykim? Nëse dosja ka vajtur në gjykatë më 28 gusht dhe ti vazhdon të marrësh dëshmi e përgjigje… Prokuroria mund të pretendojë se kërkesën për letërporosi e ka bërë në korrik të vitit 2024. “Burri i botës” është thjesht një shprehje shqiptare. Për mua tani është i botës. Nuk është i imi, është i Partisë së Lirisë.
Pyetje: Zonja Kryemadhi, Meta u ndal në dy pika. Së pari, tha se një grup ndërkombëtarësh, mes tyre McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane, kanë krijuar dosjen kundër tij. Së dyti, tha se është kërcënuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. A keni qenë në dijeni?
Patjetër që kam qenë në dijeni. Për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, jam unë që ia kam përcjellë zotit Meta mesazhin e një ambasadori të një vendi të Bashkimit Europian. Për hir të së vërtetës, mund të pyesni zotin Vasili. Ai i thotë: “Lëre këtë zonjën të kalojë, se pastaj diskutojmë me Ramën që të vendosim zonjën Xhaferllari.” Madje, unë e kam mesazhin.
Në atë kohë isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare dhe po bisedoja me zotin Vasili. Ai më pyeti: “More vesh çfarë ka ndodhur? I kanë çuar këtë mesazh. Çfarë thua t’i them?” Unë komunikova drejtpërdrejt me personat përkatës në Departamentin e Shtetit dhe i vura në dijeni për mesazhin.
Ishte thënë se ambasada amerikane, ajo britanike dhe, më duket, edhe ajo gjermane do të dilnin me një deklaratë në favor të zonjës Arta Vorpsi. Pastaj Meta mund të bënte një marrëveshje me Ramën që, kur të vinin tre propozimet e tjera nga Gjykata e Lartë, Marsida Xhaferllari të përfshihej në atë treshe, ose diçka e tillë. Meta sigurisht që s’mund ta pranonte këtë. Pasi u vunë në dijeni institucionet amerikane, që kishin mbështetur reformën në drejtësi, zgjedhja u bë sipas rendit kushtetues. Pra, u ushtrua presion duke përdorur instrumentet e ambasadave që vepronin në Shqipëri. Për këtë mesazh e kam informuar unë Departamentin e Shtetit.
Sa i përket Yuri Kim, po, është e vërtetë që Yuri Kim është e përfshirë në çështjen tonë të lobimit. Letërporosia ka ardhur në vitin 2024, në periudhën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ardhur vetëm një pasqyrë bankare, pa shpjeguar se për çfarë i ka bërë pagesat Monika Kryemadhi. Të gjithë bëjmë pagesa. Para 15 vjetësh mund të mos na kërkonin gjëra të tilla, por sot, edhe kur bëj një pagesë nga aplikacioni i bankës, më kërkon faturën elektronike ose foton e dokumentit. Kështu që, sipas meje, ideja është: “Hajde ta mbajmë sa më gjatë brenda, se pastaj flasim.”
Gazetari: Faleminderit.
Monika Kryemadhi: Shumë faleminderit. Nuk e di nëse isha e qartë për ju. Unë do t’ju jap tani gjithë dokumentacionin që kam për fibrën optike, interkoneksionin, ligjin e minierave dhe analizën financiare. Sot, për shembull, i përmenda prokurorit një fakt. Gjyqtari më pyeti pse po kërkoja të flisja për lobimin. I thashë se edhe përmendja e të ardhurave financiare në vitet e gabuara, qoftë në mënyrë të njëanshme, qoftë për shkak të një lapsusi, ka krijuar perceptime të gabuara në akuzë dhe në procesin gjyqësor. Ju faleminderit shumë.

Ish-Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj SPAK-ut gjatë seancës sw sotme gjyqësore ndaj tij dhe Monika Kryemadhit, duke pretenduar se prokuroria është ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, deklaroi Meta.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë kohës kur mbante postin e Presidentit të Republikës ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave të huaja për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese.
“Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, u shpreh ai.
Lidhur me çështjen e lobimit, Meta deklaroi se ishte i gatshëm të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara me shpenzimet e tij dhe të përballej me drejtësinë amerikane, nëse do të provohej qoftë edhe një shkelje e vetme nga ana e tij.
Sot është seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, në Gjykatën e Posaçme. Ish-deputetja, e cila tanimë ka mbërritur, do të parashtrojë kundërshtimet e saj lidhur me akuzat për lobimin në SHBA.
Në seancën e kaluar, avokati i ish-presidentit përsëriti shqetësimin se takimet e tyre në paraburgimin e 313-ës survejohen nga kamera.
Këtë shqetësim, Gjykata u përgjigj se do t’ia përcillte Drejtorisë së Burgjeve. Seancën e kaluar, Gjykata rrëzoi kërkesat e kreut të Partisë së Lirisë për transmetimin live të seancës dhe qëndrimin e tij jashtë kafazit të xhamit.
Pas seancës, Monika Kryemadhi tha se nuk ka asnjë shkresë që vërteton kontratën midis dy kompanive për çështjen e fibrës optike dhe kërkoi thirrjen e dëshmitarëve. Sa për deklarimin e pasurisë, ajo tha se është kërkuar pavlefshmëria e akteve për shkak të mungesës së dokumentacionit.








Komente
Komento