Kryeministri Edi Rama është rikthyer që të flasë sërish për cështjen e emigrantëve dhe lajmeve se Shqipëria është gati që të presë 600 mijë refugjatë nga Lindja dhe Afrika Veriore. Shefi i qeverisë sqaron se askush nuk ka kërkuar strehimin e tyre, ndërsa shton se Shqipëria është gati që të kontribuojë në misione nëse do t’i kërkohet në bazë të mundësive dhe kushteve, por që të gjitha vendet të marrin përgjegjësi.
Domethënë ti që je i mençuri në këtë mes mendon se vërtetë ekziston mundësia që Shqipërisë t’ia kërkojë kush në botë të marrë 600 mijë sirianë këtu eee?! Epo mësoje se nuk na ka kërkuar kush të marrim as 600 mijë, as 60 mijë dhe as 6 mijë! Domethënë ti që di ku e ka bishtin dardha mendon vërtetë që të ketë në këtë botë qeveri e shtete, që të imagjinojnë ngritjen e një kampi për 600 mijë refugjatë në një vend të vetëm eee?! Epo mësoje se nuk ekziston asnjë shtet apo qeveri në botë që të ketë këtë nivel budallallëku!
Faleminderit që më quan budalla, po një gabim të madh e ke kur mendon se unë i kujtoj njerëzit budallenj, prandaj edhe më vjen keq për 100 të mençurit që siç thotë populli, hidhen në lumë të gjejnë gurin e hedhur nga një budalla Sepse, mësoje edhe këtë, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë e mbetet shumë i qartë: Ne jemi gati të kontribuojmë në një plan europian, ku secili shtet merr përgjegjësinë që i takon, për aq sa i takon, sipas madhësisë e mundësisë. Ja kjo është e vërteta e thjeshtë dhe guri që budallai hodhi në lumë, nuk është dardhë or mik, prandaj mos e kafsho fort se të dëmton dhëmbët
Edi Rama
Nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ZDF tre ditë më parë se Shqipëria është gati të presë 600 mijë refugjatë nga Lindja e Mesme, reagoi fillimisht Ministria e Brendshme. Sipas MB, kronika e TV gjerman përmban spekulime dhe keqpërdorime për këtë çështje, e cila nuk ka qenë dhe nuk është në diskutim, ndërsa sot e mohoi lajmin edhe Rama.
Rama genjen
Përgjigju