Një 65 vjeçar nga qyteti i Krujës ka vendosur të ngrejë zërin kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Hajdar Bera 65-vjeç u ngjit mëngjesin e kësaj të shtune në monumentin e 'Skënderbeut' në qendër të Tiranës nga ku i kërkoi ndihmë Ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu,  tashmë i cilësuar si personi që ka goditur më fort korrupsionin në drejtësi në vendin tonë më mesazhet e tij mjaft të qarta.
 
Ai mbante në dorë një pankartë në dorë ku shkruhet " z. Ambasador Donald Lu, jam viktime e sistemit te drejtësise. Ju lutem me ndihmoni". Sipas burimeve të Shqiptarja.com 65-vjeçari kishte probleme me pronat dhe për këtë arsye ai kishte vendosur të ndërmerrte një veprim të tillë që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve qytetarëve e medias.

Policia ka negociuar rreth 1 orë me të moshuarin i cili fatmirësisht ka zbritur e është shoqëruar në polici ku mësohet se ka pohuar se qëllimi i vetëm i tij është që t’i dëgjohet zëri për një problem që ai ka pasur me drejtësinë shqiptare për një pronë.