Administratori i firmës "Fish Co",  Denis Doda  është lënë në burg, pasi në kontejnerit që kishte porositur nënprodukte të peshkut u gjetën 7 kg kokainë e fshehur në kapakët e ventilimit. Arresti me burg u kërkua nga prokurori i çështjes Ilir Turja, masë që u pranua nga gjykatësi i Durrësit, Vladimir Skënderi, i cili vendosi masën shtrënguese arrest me burg për 35-vjeçarin.

Vetë Denis Doda, ka mohuar të ketë dijeni apo të jetë i implikuar në trafikun e drogës, duke hedhur poshtë pretendimet e organit të akuzës.

Zbulimi i drogës llojit kokaine u bë 4 ditë më parë në Portin e Durrësit, ku sinjalizimi erdhi nga DEA amerikane, e cila kishte vendosur dhe GPS në kokainë.  Kontejneri i ngarkuar me prodhime deti ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co”, me qendër në Tiranë. Pakot e drogës ishin te fshehura ne pjesën e kapakëve të ventilimit.

Kokaina ishte e ndarë në 7 pako me peshe totale 7 kg, ndërsa kontejneri ishte i stivosur në zonën e kontejnerëve me risk,  ku iu bë një kontroll i detajuar.