7 ligjet,nesër mblidhet Komisioni
Bylykbashi: Provokim, LSI s'vjen

7 ligjet,nesër mblidhet Komisioni<br />Bylykbashi: Provokim, LSI s'vjen
Pas presionit të ndërkombëtarëve dhe thirrjes së kreut të Kuvendit nga SHBA nesër mund të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të diskutuar dhe më pas për të miratuar në Kuvend të enjten ligjin e Vetting-ut, i cili do të bëjë të mundur kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe largimin nga gjyqësori të të korruptuarve.
 
Deputetët anëtarë të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi janë njoftuar sot që të rrinë në gatishmëri, pasi ditën e nesërme mund të ketë një mbledhje të këtij komisioni për të shqyrtuar të paktën një nga 7 ligjet e paketës prioritare të reformës, ai i Vettingut.
 
Shqiptarja.com ka siguruar e-mail që kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa u ka dërguar anëtarëve.
 
"Ju njoftojmë se nesër mund të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi për miratimin e projektligjit për Vetting-un.
 
Në përgatitje të seancës që pritet të zhvillohet brenda kësaj jave. Në lidhje me orarin e saktë të mbledhjes do të t'iu njoftojmë" thuhet në njoftimin e Xhafës.
 
Përsa i përket faktit që nuk është vendosur orari i mbledhjes, burime për Shqiptarja.com  bëjnë me dije se kjo situatë vjen pasi "Xhafaj mbetet në pritje të draftit të rishikuar mbi bazën e ndryshimeve të fundit kushtetuese.
 
Euralius po punon për këtë gjë pasi ky është një draft i hartuar nga ekspertet e Euralius dhe drejtoria e Ligjshmërisë në Bruksel si dhe nga OPDAT i Departamentit të Drejtësisë të SHBA".
 
Nxitimi vjen si pasojë e kërkesës së delegacionit të BE-së për ta miratuar sa më shpejt këtë ligj, për ti hapur rrugë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
 
Për këtë organ, KE ka në gatishmëri një fond i cili digjet nëse nuk mbyllet brenda korrikut. Por Partia Demokratike është kundër mbledhjes dhe kalimit të ligjit për Vetting-un nesër në komision dhe të enjen në seancë, pasi sipas opozitës shkelen procedurat parlamentare.
 
Kryenegociatori i PD Oerd Bylykbashi u shpreh mbrëmë në një intervistë televizive se kjo është një nismë e partisë Socialiste dhe, sipas tij, kemi të bëjmë me një provokim.
 
Bylykbashi u shpreh se socialistët po kërkojnë konflikt me thirrjen që i bëjnë Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe seancën parlamentare të enjten.
 
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese, që u miratuan me 140 vota në Kuvend, duhet të botohen më parë në Fletoren Zyrtare.
 
Më pas duhet të kalojnë 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi. Më përpara këtij afati ato janë thjesht pa fuqi ligjore dhe deputetët nuk mund të shqyrtojnë ligje që nuk kanë bazë kushtetuese.
 
Më tej, ai ka folur edhe në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “LSI nuk do t’u bashkohet socialistëve në këto procedura”, tha deputeti demokrat.
 
Kujtojmë që Presidenti Nishani ka dekretuar sot miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa në fuqi hyn 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, që në rastin më të mirë zyrtarizohen në 8 gusht.
 
Mirëpo Ilir Meta deklaroi sot se Kuvendi mund të mblidhet këtë të enjte për votimin e 7 ligjeve të paketës Kushtetuese.
 
Ndërsa kryeministri Rama paralajmëroi rezistencën e mundshme të opozitës, por sipas tij votimi i 7 ligjeve do të bëhet edhe me 84 vota.
 
 "Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota.
 
Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese.
 
Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut"deklaroi kryeministri sot përmes një postimi në Facebook.
 
Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota javën e parë pas trysnisë së ndërkombëtarëve, por pritet të shikohet nëse konsensusi do të vazhdojë edhe për 7 ligjet.


Lista e plotë e ligjeve që pritet të miratohen
 
1. Draft Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”(SPAK)
 
2. Draft Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
 
3. Draft-Projektligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”
 
4. Draft-Projektligj për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në RSH
 
5. Draft-Projektligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
 
6. Draft-Projektligj “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”
 
7. Dr. Pr. ligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8577, dt 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.
 


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Kombëtar i PD shtyn protestën për datën 7 tetor/ Berisha paralajmëron bllokim rrugësh: Të paralizohet qeveria deri në arritjen e qeverisë teknike

Këshilli Kombëtar i PD shtyn protestën për datën 7 tetor/ Berisha paralajmëron bllokim rrugësh: Të paralizohet qeveria deri në arritjen e qeverisë teknike