Sot, në ditën e shënuar të Ditës së Mësuesit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, mësues nga shkollat shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës, të ardhur nga shtete të ndryshme të botës.
“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, – deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu shërbimin që i bëjnë gjuhës amtare mësuesit e shkollave shqipe në diasporë.
“Ju keni diçka më të fortë, diçka që lidhet me bindjen se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por është identiteti ynë. Ajo mbart në vete rrëfenjat e të parëve, këngët e djepit dhe ëndrrat e Rilindësve tanë. Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin. Në klasat tuaja gjuha shqipe nuk mësohet vetëm si gramatikë. Ajo mësohet si histori, si kujtesë, si lidhje me gjyshërit dhe gjyshet, me vendlindjen dhe me rrënjët tona”.
“Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim. Ju jeni dëshmia se një komb nuk matet vetëm me territorin që ka, por me gjuhën që ruan dhe trashëgon”, – nënvizoi Presidenti Begaj, duke theksuar se për këtë mirënjohja është e thellë dhe e përhershme.
Lajmi kryesor:
Festa e mësuesit/ Rama, Begaj, Peleshi e Kumbaro urojnë 7 Marsin, opozita: Arsimi i nënfinancuar, pagat janë të ulëta










