Vetë prindërit shprehen se dhuratat janë më e pakta që ata mund të bëjnë për të shprehur mirënjohjen për ata që u japin dije fëmijëve të tyre.
Ndërkohë që kjo ka qenë një ditë e mbarë edhe për shitësit e luleve, të cilët kanë “pushtuar” hyrjet e shkollave.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte sot në Elbasan, për të përcjellë urimet por edhe për vizituar Drejtorinë Arsimore të këtij qyteti me rastin e 100 vjetorit të krijimit të saj.
"Përulem më respekt përpara arsimtarëve elbasanas sepse ky qytet është djepi i arsimit Kombëtarë. Elbasani i ka dhënë 3 kryetarë të Akademisë së Shkencave vendit tonë dhe prandaj ndjehem krenare sot"- tha Nikolla.
Më tej ajo shton se, " për 6 muaj të qeverisë Rama arsimi ka sot një mekanizëm rregullator midis mesuesve, prindërve dhe rektoratit. Ne kemi rritur rrogat për 40 mijë mësues dhe i kemi ulur takstat, pra mësuesi sot ndjehet më i vlerësuar dhe më i paguar".
Një ditë më parë ministrja e Arsimit, e cila ndodhej për një vizitë zyrtare në shtetin helen, ka takuar mësuesit shqiptarë që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptar që punojnë e jetojnë në Greqi.
Kryeministri Edi Rama dje në bashkëbisedimin e zhvilluar me mësues të arsimit parauniversitar, organizuar në kuadër të Festës së 7 Marsit tha se prioritet do ketë realizimi i premtimit për një taksim të ndershëm. Sipas tij, mësuesit më të mirë do të marrin bonuse për punën e tyre.
7 Marsi i dedikohet ekskluzivisht edukatorëve të brezave të rinj që me përpjekjet e tyre perçojnë dijet duke ndihmuar të rinjtë të ecin përpara ne jetë dhe të jene qytetarë të mirë. Më e paharrueshme, festa e 7 Marsit është për nxënësit e klasave të para që për herë të parë do të përjetojnë emocione të veçanata duke i çuar lule mësuesve të tyre.
Dita e 7 Marsit në Shqiperi është në përkujtim e nderim të hapjes së shkollës së pare shqipe rreth 127 vjet më parë, në 1887.
Më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 mMarsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara.
Redaksia online
(el.sk/shqiptarja.com)