SHKODER- 7 Marsi nuk është vetëm një ditë urimi, por edhe një moment reflektimi për rolin e mësuesit në formimin e brezave të rinj. Muamer Vuçi është një prej figurave te njohura që për dekada ka kontribuar në arsimin shkodran dhe atë shqiptar. Për 42 vite, ai i ka shërbyer arsimit si mësues dhe drejtues shkolle, duke ndikuar në edukimin dhe formimin e shumë brezave. Duke folur për Report TV, Vuçi tregon rëndësinë e kësaj dite dhe për rolin që mësuesi duhet të ketë në shoqëri.
“Në disa zona si Shllaku ka pasur mësues heronj. E kam gjet mësuesin duke fjet në stola. Si para ashtu dhe pas Çlirimit arsimi ka qenë i lavdishëm. Sot në Shqipëri po u jepet rëndësi ndërtesave por mungon përmbajtja. Po kështu ka rënë numri i nxënësve”, tha Muamer Vuçi.
Sot 87-vjec, ish-mesuesi thekson se stafi pedagogjik duhet të njohë jo vetëm procesin mësimor, por edhe sjelljen dhe formimin e nxënësve. Sipas tij, sot vërehet një fokus më i madh te infrastruktura e shkollave, ndërsa vëmendja ndaj cilësisë së mësimdhënies duhet të jetë edhe më e madhe.
“Për nxënësit problematikë duhet gjet metoda nga mësuesit për të mos i venë në shenjestër por për t’i mbajtur afër. Unë mbaj mend kur isha tek shkolla “Ndre Mjeda” kishim 15 nxënës problematikë por ata kishin pasion pëllumbat. Dhe ne krijuam mundësinë që ata të merreshin me pëllumbat vetem që të mos braktisnin shkollën”, shton ai.
Ndër të tjera, Vuçi shpreh shqetësimin për boshatisjen e shkollave, një fenomen që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt në sistemin arsimor. Ai ka gjithashtu një thirrje për drejtuesit e sotëm të arsimit që sistemi të drejtohet nga profesionistë dhe të rritet vëmendja ndaj arsimit profesional, si një rrugë e rëndësishme për zhvillimin e të rinjve dhe të tregut të punës.
“Shkolla e Ndërtimit ku kam qenë drejtor ka nxjerrë 8 sipërmarrës të suksesshëm të ndërtimit. Ndërsa ne sot s’kemi teknik për hidro-teknike dhe vendosim një bari për të matur kuotat e HEC-eve”, tha mësuesi në pension.
Muamer Vuçi konsiderohet një nga emblemat e arsimit në Shkodër, jo vetëm për kontributin e tij si mësues i matematikes dhe fizikes, por edhe për rolin drejtues në disa shkolla të qytetit deri në vitin 2006.
Komente












