7 Marsi, Rama: Mësuesit më
të mirë do të marrin bonuse

7 Marsi, Rama: Mësuesit më<br />të mirë do të marrin bonuse
TIRANË - Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit. Në diskutimin e nisur rreth orës 17:50 e të përfunduar në 19:25, në selinë e kryeministrisë të Rama tha se, me reformat e qeverisë tani mësuesit marrin më shumë para në pagat e tyre. Sipas tij, mësuesit më të mirë do të marrin bonuse për punën e tyre.
 
Duke folur për marrëveshjen me FMN për kredinë, Rama tha se, "në dy muajt e parë janë shumë pozitive pasi kemi kaluar të gjitha parashikimet në dialogun me FMN dhe kjo nuk do të një bllokim të rrogave tuaja".
 
Gjatë bashkëbisedimit me mësuesit e ardhur nga rrethe të ndryshme dhe të profesioneve të ndryshme, kryeministri Rama tha se, do të ndihmohen financiarisht edhe ata nxënës që do të studiojnë në degët më pak të frekuentuara.
 
Kryeministri gjithashtu theksoi në fjalën e tij se, universitetet në vend, si ata shtetërore dhe ata private aktualisht janë kthyer në një piramidë dhe janë bërë vetëm prodhues diplomash.

RAMA: MARRVESHJA ME FMN NUK DO NDALOJE RRITJEN E RROGAVE TUAJA
“Ka të bëjë në vënien në jetë të taksimit të ndershëm, përmes të cilit këtë vit kemi një ritje reale të pagës për afër 40 mijë punonjës të arsimit dhe sportit si dhe mundësi reale të indeksimit. Falë takimit të ndershëm në këtë 7 mars të parë mësuesit përfitojnë nga 20 deri në 29 mijë lekë”, theksoi kryeministri Rama gjatë fjalës së tij.
 

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe pyetjeve të mësuesve të pranishëm. I pyetur në lidhje me mësuesit e edukimit fizik, kryeministri Rama tha se do të ketë një përzgjedhje të ndryshme dhe do të ketë mbështetje financiare çdo vit për mësuesit.

“Që nga viti tjetër do ta çojmë arsimin e edukimit fizik në një stad më të lartë. Do të ketë një tjetër mënyrë për seleksionimin e mësuesve të  edukimit fizik. Bordet e shkollave u kthyen në bordet e drejtorëve, ndërsa në projektin tonë, “Shkolla qendër Komunitare”, do të thotë që shteti nëpërmjet përfaqësuesit të ketë zërin e vet dhe prindërit të kenë zërin e tyre.

Në dy muajt e parë janë shumë pozitive pasi kemi kaluar të gjitha parashikimet në dialogun me FMN dhe kjo nuk do të një bllokim të rrogave tuaja. Nuk do të reshtin asnjë vit pa pasur në qendër të vëmendjes mësuesit dhe pa rritur fuqinë ekonomike të familjeve tuaja, nëpërmjet mbështetjes financiare për mësuesit”, tha Rama.

RAMA: DIALOG PËR PËRGJEDHJEN E LËNDËVE
I pyetur për Altertekstin dhe për përzgjedhjet e lëndëve kryeministri Edi Rama tha se, ka nisur një dialog me mësuesit për të zgjidhur këtë problem të madh.

“Alterteksti është në një gjendje të rëndë. Ne kemi nisur një dialog me ju nëpërmjet ministrisë dhe kjo katrahurë do të rregullohet. Ky proces dhe reformë ka një pronësi të përbashkët mes qeverisë dhe mësuesve. Ne kemi marrë dhe një zotim tjetër, për të njehsuar sistemin me Kosovën. Sa me kënaqësi dhe keqardhje e them, me kënaqësi për Kosovën dhe keqardhje për ne, pasi në vetëm këto pak vite Kosova ka ngritur një sistem më të konsolidueshëm në arsim”, tha në fjalën e tij kryeministri Rama.

MËSUESIT ME REZULTATE TË LARTA DO TË MARRIN BONUSE
I pyetur në lidhje me cilësinë e mësuesve, kryeministri Edi Rama tha se, do të ketë një vlerësim të ndryshëm për mësuesit të cilët kanë rezultate të larta. Sipas tij, për këta mësues do të ketë bonuse në pagë.
 
“Do të normalizojmë procesin e rekrutimit dhe vlerësimit të mësuesve dhe shkollave, pasi si mësuesit edhe shkollat do të kenë vlerësimin e vetë të performancën e tyre në mënyrë që edhe prindërit ta dinë se ku po e çojnë fëmijën, jo vetëm nga emri. Do të normalizojmë maturën shtetërore dhe ka nisur procesi i reformës. Do të kemi një maturë shtetërore që besoj se do kapërcejmë ato hendeqe që janë vërejtur në të shkuarën”, tha kryeministri Rama.

“Në lidhje me eksperiencën dhe prurjet e reja duhet të jemi shumë të vëmendshëm për cilësinë e prurjeve të reja, pasi është shumë e dyshimtë për shkak të masterave, diplomave që nuk janë në nivelin e kërkuar. Të mos lejojmë që burimet njerëzore të cenohen nga lëvizje të paarsyeshme. Të kemi vlerësime specifike për mësuesit që kanë rezultate më të larta, të ketë dhe një bonus specifik”, deklaroi kryeministri Rama.

SIGURIA NË SHKOLLA, TË BASHKËPUNOJMË TË GJITHË
I pyetur për sigurinë në shkolla, kryeministri Rama tha se policia është duke u kthyer në krye të detyrës, por për sigurinë e nxënësve duhet të bashkëpunojmë të gjithë.
“Jam shumë i vetëdijshëm që ka bërë shfaqja e shpërthimeve me tritol, që pengon leximin me qetësi të rezultateve në këtë fushë. Rikthimi i policisë në krye të detyrës në 300 ditët e para është duke ecur me shpejtësi dhe shifrat e kriminalitetit flasin qartë për ulje të krimeve. Është ulur mbi 30 për qind numri i vrasjeve krahasuar me 1 vit më parë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se, “kemi një rritje prej 180 % në arrestimin e personave të kërkuar. Kemi shumë më tepër drogë të kapur dhe grupe kriminale krahasuar me1 vit më parë. Ky është vetëm një fillim i mbarë. Në lidhje me shpërthimet po bëhet një punë intensive pasi është shpërthimi i një të keqeje të akumuluar në një periudhë të gjatë, për shkak të shpërbërjes së policisë”.

“Siguria në shkolla është në rritje. Fëmijët shikojnë shembuj të këqinj edhe në televizor duke nisur që nga politika që në ekran jep shembuj të këqinj. Mësuesit nuk bëhen dot prindër dhe prindërit nuk bëhen dot mësues. Nëse nuk bëhen bashkë dhe komuniteti nuk bëhet pjesë, mund të kërkojmë llogari nëse mësove apo jo, por nuk po rrisim qyterarë”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama.

DEPOLITIZIMI I SHKOLLËS NIS NGA PRINDËRIT
“Depolitizimi i shkollave duhet që të bëhet në bashkëpunimin me prindërit, pasi ky i fundi në fillim kërkon të dijë për fëmijën e tij dhe jo se çfarë partie ka mësuesi. Duhet të bëjmë progres. Tu japim siguri mësuesve tek vetja e tyre, në kuptimin se secili prej tyre e ka në dorë vendin e punës dhe cilësinë që ofron. Kjo gjë do të nisë krenarinë e mësuesve”.
 
TRAJNIM MËSUESVE PËR TU DHËNË SHANSE TË BARABARTA
“Ne pa asnjë dyshim jo vetëm që gjithë reformën në arsim do e bëjmë, por në këtë proces do të ketë trajnime. Të fusim regjistrin elektronik. Do të fillojmë vitin e ardhëm një projekt pilot për të futur tabletat elektronike dhe për të hequr librat. Fëmijët i mësojnë shumë shpejt, por edhe mësuesit duhet të adaptohen. Bëhet fjalë për një proces ku të gjithë mësuesi të trajnohen dhe të gjithë të kenë edhe asistencën”, theksoi kryeministri Rama.

SHKOLLA TË KTHEHET NË NJË MJEDIS KOMUNITAR
“Sot mësuesi, nxënësi dhe prindërit janë vetëm. Nuk ka një bashkëpunim komunitar. Çdo prind do të marrë nga shkolla një raport për fëmijë e tij. Regjistri elektronik do të bëjë që çdo prind të njihet në kohë reale me notat dhe mungesat e fëmijës së tij. E gjithë politika jonë për shkollën si qendër komunitare kalon tek, orët jashtë shkollore që fëmijët të zhvillojmë talentet e tyre që shkolla të mos jetë si një institucion ku mësuesit marrin rrogat dhe nxënësit të shkojnë dhe prindërit të mos marrin vesh se çfarë ndodh me fëmijën e tyre. Të gjitha këto hallka duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që shkolla të kthehet në një mjedis komunitar”, tha kryeministri Edi Rama.  

ARSIMI PROFESIONAL DO TË SJELLË ZHVILLIM TË VENDIT TONË
“Mungesa e zanateve jo e diplomave është një nga problemet themelore në treg sot. Politika e bërë ka qenë fare e qartë. Për të mos u përballur me papunësinë e të rinjve, hajde ti çojmë në universitet. Një hap tjetër që do bëjmë është ndarja e arsimit të përgjithshëm mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Mirëqënies Sociale. Pse duhet të kemi një kalueshmëri artificiale në maturë dhe të gjithë këta ti çojmë në universitet. Që tu krijojmë iluzione që do bëhen doktorë shkencash dhe kur gjejnë një punë kamerier janë të lumtur. Një nga arsyet e lulëzimit më shumë se çdo tjetër në Gjermani është sepse është vendi me arsimin profesional më të mirë në Europë. E ka ndërtuar bazën në arsimin profesional. Kjo gjë kërkon kohën e vet për të dhënë rezultatet por ne duhet ta nisim. Nëse do e kishim nisur 20 apo 10 vite më parë sot do ishim duke folur ndryshe”, theksoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama.

RAMA: MUNGESA E INTERESIT, NE DO E MBAJMË FJALËN E DHËNË
Kryeministri është pyetur edhe në lidhje me mungesën e interesit të prindërve ndaj shkollës dhe ecurisë së fëmijëve të tyre. Sipas tij, ka edhe një mungesë interesi nga ana e mësuesve kur shteti nuk bën atë që i takon.

“Mungesë interesi kanë edhe mësuesit kur shikon se ca gjëra që i takojnë shtetit, ky nuk i bën. Në kushtet e kësaj anarkie kur drejtori sillet si pronar i shkollës, kur reformat hyjnë nga dritaret dhe dera. Prandaj dhe prindërit kanë mungesë interesi. Edhe ju që jeni këtu e keni të vështirë të më besoni që do i bëjmë këto që themi, pasi jeni zhgënjyer më parë dhe prindi prandaj nuk beson. Humbja e besimit është gjëja më e dëmshme që ka ndodhur. Besoj se kjo situatë ka filluar të japë shenjat e para të shpresës tek mësuesit se mund të dëgjohen dhe vlerësohen. Ne jemi serioz dhe vërtetë e mendojmë dhe do e bëjmë atë që themi, por bashkërisht duhet bindim prindërit që ato raporte që marrin të mos jenë letra bakalli. Prindërit maksimumin e kënaqësisë e kanë kur fëmija rri në shkollë e nuk ka ikur”, tha Rama.

MBËSHTETJE FINANCIARE PËR NXËNËSIT QË STUDIOJNË DEGËT E LËNA PASDORE
“Gjitha degët e shkollave që janë jetike për rritur dhe edukuar fëmijët dhe që sot po braktisen në masë ka vetëm një mënyrë për ti kthyer. Ne do ti stimulojmë këto degë duke stimuluar financiarisht ata që marrin përsipër ndjekjen e tyre dhe këta e kanë punën të sigurtë. Nuk ka arsim shtetëror dhe privat. Ka vetëm arsim publik, që financohet nga shteti ose nga privati. Arsimi publik duhet të ketë këto standarde dhe si ato të shtetit dhe të privatit të akreditohen dhe të ketë konkurrencë. Nuk mund të ketë universitete për të fituar lekë. Ne kështu kemi prekur fundin. Nuk mund të jenë ndërmarrje fitimprurëse. Të ardhurat duhet të përdoren për të reformuar sistemin. Kush do ok, kush nuk do të hapë rrugë”, theksoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama.

UNIVERSITETET, SI SHTETËRORE DHE PRIVATE AKTUALISHT JANË PIRAMIDË
Duke folur për etikën në universitete, kryeministri Rama tha se edhe në sallën e Kuvendit ka mungesë etike. 

“Unë shkoj më lart se ç’thatë ju. Unë shkoj tek parlamenti dhe aty ka mënyrë të këqija të të shprehurit.  Cilësia e bashkëjetesës mes nesh nuk varet me sa shumë jemi dakord, por nga mënyra se si ja shprehim njëri-tjetrit dakordësinë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit”, “universitetet publike nuk e justifikojnë besimin dhe financimin. Sistemi ynë i arsimit të lartë është një piramidë si në shtet edhe në privat. Kemi inflacion masterash, doktoraturash etj. Po ta shikosh ne duhet të eksportonim të diplomuar dhe të mbështesnim kompanitë më të mëdha. Shumica e këtyre diplomave janë si letra pa vlerë që ju kanë mbetur në dorë si të rinjve edhe prindërve të tyre”.

“Në zyrën e punësimit në Tiranë janë mbi 3 mijë vende pune. Një pjesë e madhe janë zanate dhe një pjesë tjetër zihet nga të rinj e të reja që kanë ardhur nga jashtë. Ata janë mësuar se me punë jetohet dhe punojnë në çdo punë”, theksoi kryeministri.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës